Kryeminsitri Edi Rama vazhdon të komunikojë me qytetarët mbi organizimin e çështjeve që do të jenë në prioritet të qeverisjes së tij.
Për këtë arsye ai iu është drejtuar atyre për të pasqyruar të gjitha eksperiencat negative që kanë hasur në administratën shtetërore.
Kjo kërkesë sipas Ramës do të zgjidhje shumë çështje të qytetarëve që përballen në zyrat e shtetit.
Postimi i kryeministrit në Facebook:
EKSPERIENCA JUAJ NEGATIVE
Shumëkush prej jush ka të paktën një eksperiencë negative, të jetuar apo të dëgjuar nga familjarë a miq, në zyrat e shtetit. Do t’i isha falënderues kujtdo prej jush që do ta ndante një eksperiencë të tillë këtu. Nëse do të kishte edhe emra konkretë drejtuesish a punonjësish të zyrës përkatëse, edhe më mirë akoma.
Për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo, ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti. Platforma e Bashkëqeverisjes SHQIPERIA QE DUAM, e cila do t’ju jepet për gjykim në formë paraprake në fillim të javës, do të sigurojë lidhjen tuaj direkte me kabinetin qeveritar, edhe për rastet e eksperiencave negative në zyrat e shtetit.
Komentet tuaja në këtë postim, na ndihmojnë shumë për të nxjerrë një raport të veçantë për grupin që po punon për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit. Faleminderit dhe mos ngurroni ju lutem.