Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka mbështetur me asistencë zhvillimin e faqes përmbledhëse të të dhënave kombëtare, e cila do të paraqitet në faqen zyrtare të internetit të INSTAT-it dhe do të mundësojë shkëmbimin e të dhënave dhe metodave statistikore.
Sipas INSTAT, faqja NSDP përmban linke të statistikave të publikuara nga prodhuesit zyrtarë të statistikave, përkatësisht Bankës së Shqipërisë, Institutit të Statistikave dhe ministrisë së Financave. Kjo faqe synon të shërbejë si një qendër publikimi e përgjithshme për statistikat themelore makroekonomike.
Publikimi i të dhënave themelore makroekonomike përmes versionit të ri të faqes NSDP do t’u ofrojë politikbërësve kombëtarë dhe grupeve të interesit vendase apo ndërkombëtare, përfshirë edhe investitorëve dhe agjencive të vlerësimit, një qasje të lehtë në informacionet që Bordi Ekzekutiv i FMN-së i vlerëson si të rëndësishme për monitorimin e kushteve dhe politikave ekonomike.
Autoritetet e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm këtë proces për shpërndarjen e statistikave cilësore. Versioni i ri i NSDP-së do t’u mundësojë përdoruesve qasje të plotë të të dhënave për kategoritë e GDDS nga data 20 qershor 2017.
Një link i NSDP së Shqipërisë do të jetë i disponueshëm në faqen e buletinit të standardeve të shpërndarjes së FMN-së nga data 20 qershor 2017 tek http://dsbb.imf.org/