Pas përplasjeve me kreun e PD-së, Lulzim Bashën, kandidati për deputet i kësaj partie në Qarkun e Beratit Lefter Maliqi ka hapur sot mitingun elektoral të PS-së në këtë qytet.
Maliqi gjatë mitingut të sotëm i ka kërkuar elektoratit të Beratit të votojnë Partinë Socialiste.
I kontaktuar nga Tirana Today, Maliqi është shprehur i revoltuar ndaj Lulzim Bashës dhe ka hedhur dritë rreth përçarjes së tij me të.
Sipas tij, kreu demokrat e ka gënjyer katër herë dhe asnjëherë nuk ka qenë i qartë dhe korrekt në asnjë prej rasteve ndaj tij.
Po ashtu, Maliqi tha se Partia Demokratike rrezikon të marrë vetëm një deputet.
Përveç mos mbajtjes së fjalës nga Basha siç ju e keni deklaruar, a ka pasur ndonjë arsye tjetër që ju sot mbështesni PS-në?
Në qoftë se ju kujtohet mandati 2009-2013, do të shikoni se kam qenë korrekt dhe mirënjohës me fjalën që i kam dhënë zotit Berisha dhe premtimit të mbajtur të tij për Lapardhanë. Në atë kohë zonat e majta në këtë qark u kthyen për herë të parë në të djathta.
Arsyeja ime e kalimit më PS-në është se jam i zhgënjyer me kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën.
Basha më gënjeu katër herë dhe asnjëherë nuk e mbajti fjalën gjatë këtyre viteve që ai është në krye të PD-së. Hera e parë që më gënjeu ishte kur bëra dokumentet dhe konkurrova për kryetar partie në Berat dhe më hoqi nga lista.
Hera e dytë që më gënjeu ishte kur konkurrova për Drejtor të Departamentit te Rendit në PD dhe mes dy kandidatëve të tjerë ma hoqën sërish emrin pa asnjë motivacion. Këto gënjeshtra sa vinin e shtoheshin, hera e tretë ishte kur më lajmëruan se do kandidoja për kryetar Bashkie në Berat dhe vetë Basha më tha se ia dhashë Partisë Republikane.
Kulmi ishte kur më tha se je i pari i listës së kandidatëve për deputetë me PD në Qarkun e Beratit dhe më vuri të tretin. Tani që u largova nga PD rrezikon të marrë vetëm një deputet.
Cila ka qenë biseda me zotin Rama? Shkuat ju tek ai apo erdhi ai tek ju ? Çfarë posti ju ka premtuar?
Është e kundërta. Më detyruan njerëzit për të mbështetur PS-në dhe u detyrova t’i bindesha elektoratit. Me Kryeministrin kam pasur vetëm një telefonate dhe më falënderoi për lëvizjen time në mbështetjes së kauzave për të mirën e qytetarëve dhe më tha se do kesh mbështetjen time të plotë. Nuk më ka premtuar asgjë. Ato që doja, ishin të vazhdoheshin ato që kishin mbetur pa u bërë, dhe këtë ua premtoi sot Rama qytetarëve.
A ka një reagim nga demokratët e Beratit lidhur me këtë lëvizje që ju keni bërë?
Jo nuk ka pasur pasi e dinë të gjithë kush jam unë. Por, një gjë ju them edhe pse jam i treti në listë më PD-në nuk do ta heq emrin nga lista. Do ua bëj siç ma bën po erdhi puna te vendi i tretë . Por, PD-ja rrezikon edhe vendin e parë në Berat.