Ministri Brendshëm Oliver Spasovski ka hedhur dyshimet se kreu i Shërbimeve Qendrore të policisë, Goran Georgievski si dhe ai i njësive speciale, Mitko Peshov, janë pjesë e skenarit të dhunshëm që përfshiu Kuvendin e Maqedonisë. Të dyshuar gjithashtu janë edhe 30 përfaqësues të tjerë të policisë maqedonase.
“Në bazë të analizave të gjendjes faktike është konstatuar se gjatë marrjes së masave konkrete dhe aktiviteteve të përfaqësuesve të MPB-së, në sigurimin e Kuvendit janë bërë lëshime.
Gjithashtu lëshime janë konstatuar edhe në pjesën e sjelljes etike dhe profesionale të nëpunësve policorë të cilët kanë kryer detyrën e tyre para dhe pas ngjarjes”, thuhet në raportin e përgatitur për konstatimin e gjendjes faktike të ngjarjeve të 27 prillit, cituar nga mediet në Maqedoni.
Në raport gjithashtu theksohet se hyrja e dhunshme e qytetarëve në Kuvend vjen si rezultat i hapjes së portës kryesore nga pjesë e brendshme, që ka sjellë deri tek cenimi i sigurisë në Kuvend.
Një pjesë e nëpunësve policorë nga sektori për mbrojtjen e personave të caktuar dhe objekteve, të cilët kanë qenë prezent në Kuvend gjatë hapjes së portës kryesore, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta penguar atë.