Ndeshja Poloni-Shqipëri, e vlefshme për gjysmëfinalet e “Play-off”-it të Botërorit 2026, do të luhet në stadiumin “Narodovi” të Varshavës.
Federata polake e futbollit zyrtarizoi këtë të enjte impiantin për takimin e rëndësishëm, i cili ka një kapacitet prej afro 59 mijë vendesh dhe pritet të jetë plotësisht i ezauruar. Referuar rregullores së UEFA-s, për tifozërinë shqiptare është rezervuar 5% e kapacitetit, dhe priten afro 3 mijë tifozë.
Gjysmëfinalja mes dy kombëtareve, ku fituesi përcaktohet vetëm me një ndeshje, do të zhvillohet më datën 26 mars. Pavarësisht se bilanci total është në favor të polakëve, Kombëtarja shqiptare ka arritur të fitojë ndeshjen e fundit ndaj tyre në shtatorin e vitit 2023, 2-0 në “Air Albania”.
Për sfidën ka folur trajneri Jan Urban, i cili vlerëson kuqezinjtë.
“Unë nuk fshihem dhe mund ta pranoj që jemi në favoritët për t’u kualifikuar. Luajmë në shtëpi dhe duhet të përfitojmë nga ky avantazh. Por edhe Shqipëria ka potencial. Duhet që të bëjmë kujdes ndaj tyre”.
Në rast se kuqezinjtë do të kualifikohen, ata do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, nëse sigurojnë biletën për në Amerikë, do të vendosen në vazon e 4-t për shortin e kampionatit botëror që do të zhvillohet më 5 dhjetor.
Shorti, ashtu si ndeshja e “Play-off”-it dhe të gjitha sfidat e kampionatit Botëror, do të transmetohen në TV Klan.














