Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), me anë të një deklarate për mediat, u bën thirrje forcave kryesore politike në vend, të marrin përgjegjësinë para qytetarëve të Shqipërisë dhe partnerëve tanë dhe të zgjidhin sa më shpejt krizën politike.
“Ne u bëjmë thirrje palëve që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të rimarrin në shqyrtim seriozisht paketën e propozuar nga eurodeputeti gjerman David Mc Allister dhe e mbeshtetur nga SHBA, si bazë të një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike ne vend”, thuhet në deklaratë.
Sipas PDIU-së, mungesa e një marrëveshje, rrezikon ta thellojë edhe më tutje krizën e rëndë politike që ka kapur vendin, rrezikon cilësinë e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe stabilitetin e vendit.
Tashmë është një domosdoshmëri e pashmangshme bërja e një Pakti Kombëtar midis mazhorancës dhe opozitës për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të hedhur themele të shëndosha për stabilitetin politik të vendit. Pjesë e këtij kompromisi të gjerë politik duhet të jetë angazhimi i të gjitha forcave politike për të zhbllokuar dhe përshpejtuar procesin e integrimit evropian duke ndërmarrë një orë e më parë reformën në drejtësi, thuhet ne deklaraten e PDIU-së.