Procedurat për të marrë kartën e shëndetit për fëmijën tuaj janë lehtësuar. Tashmë, aplikimi mund të kryhet edhe online duke aplikuar në portalin E-Albania. Portali ofron mundësinë e aplikimit nga kryefamiljari për kartën e shëndetit për fëmijët 0-18 vjeç, që janë regjistruar paraprakisht pranë mjekut të familjes. Aplikimi është falas dhe ai ofrohet edhe për shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri.
Karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar dhe përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë. Karta është personale, e patjetërsueshme dhe shpërndahet pa asnjë pagesë apo tarifë shërbimi.
Ky shërbim ofrohet menjëherë online për kategoritë: a) Nga 0-1 vjeç dhe b) Nga 1-18 vjeç.
Për të kryer aplikimin online nevojitet dokumenti i identifikimit të përdoruesit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Ja si mund të aplikoni online
Kujdes: Përpara se të aplikoni, ju lutem duhet të keni regjistruar fëmijën tuaj pranë mjekut të familjes.
Për të përdorur shërbimin regjistrohuni si qytetar në portal dhe plotësoni formën përkatëse për këtë kërkesë, e cila hapet menjëherë kur klikoni butonin “Përdor” në krah të këtij shërbimi.
Dokumentet që duhet të paraqiten pranë qendrës shëndetësore, pasi është kryer aplikimi online për kartë shëndeti
-Dokumentacion identifikues:
-Për shtetasit shqiptarë: kartën e identitetit; për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, në mungesë të kartës së identitetit, paraqitet certifikata e gjendjes civile ose pasaporta, të cilat janë dokumente që përmbajnë numrin personal të identitetit.
-Për shtetasit e huaj: Leja e qëndrimit ose leja provizore e qëndrimit e lëshuar nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.
-Dokumentacionin që vërteton kategorinë përfituese dhe afatin e përfitimit.