Emisioni “BOOM” në RTV Ora ka kryer një investigim lidhur me funksionimin e ligjit për të drejtat e autorit në Shqipëri. Për një kohë të gjatë gazetarja e “BOOM” ka monitoruar aktivitetin e 4 agjencive të administrimit kolektiv, të cilat janë organizata jofitimprurëse, objekt i veprimtarisë të së cilave është mbledhja e të ardhurave nga përdorimi i veprave me qëllim shpërndarjen e tyre tek artistët.
Vetë artistët janë në dijeni të këtyre agjencive por thonë se nuk kanë marrë asnjë lek mbrapsht për përdorimin e veprave të tyre.
Në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin:
-Agjencia ALBAUTOR, e cila mbledh të ardhura për përdorimin e veprave në fushën e muzikës dhe audiovizualit.
-Agjencia “AKDIE”, e cila përfaqëson të drejtave të artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues.
-“FMAA” e cila ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorëve, krijues dhe bashkëkrijues të veprave audiovizuale – në regji e skenar.
-Shoqata “Gramm-A” e cila mbron të drejtat e prodhuesve të fonogrameve dhe videogrameve, producentëve.
Vlen të theksohet se e drejta e autorit është gjithashtu një nga kushtet për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gazetarja e “BOOM” ka intervistuar fillimisht aktorin Artan Imami për agjencinë “AKDIE”.
Artan Imami: Kemi disa muaj që jo vetëm unë, por të gjithë këta njerëz që mund t`i shikoni emrat në peticionin drejtuar Ministrisë së Kulturës kemi kërkuar që të marrim informacionin se çfarë bëhet me mbledhjen e parave për veprat e përdorura, kryesisht me të drejtat e interpretuesve të të gjitha fushave dhe nuk e kemi marrë një përgjigje të tillë. Këtë peticion ja kam dorëzuar Ministrisë së Kulturës në momentin që ishte hapur gara në lidhje me licencat e reja, për agjenci të cilat kanë të vetmet të drejtën për të mbledhur dhe shpërndarë paratë për veprat e përdorura.
Ka marrë pjesë në garë në lidhje me këtë licencë një agjenci AKDIE e cila ka operuar 10 vjet në treg, e cila në vazhdimësi nga Zyra e të Drejtës së Autorit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, tashmë dhe nga Prokuroria ka evidentuar që ka abuzuar, ka shpërorim detyre, pasurim pa shkak të të tretëve, vjedhje. Veprat që përdoren më tepër në tregun artistik, nga të cilat vilen dhe të ardhurat më të mëdha janë muzika, që përdoret nëpër bare restorante etj.
AKDIE ka marrë para gjithmonë për këta interpretues dhe nuk ka shpërndarë. AKDIE në vend që të ishte në bankën e të akuzuarve në gjykatë penale, merr sërish licencën dhe përsëri bën të njëjtat shkelje. Vendosëm t`i drejtohemi Prokurorisë e cila pas një hetimi arriti në konkluzionin që janë kushtet për të filluar procedimin penal.
Pra ka filluar procedimi penal.Mjafton të pyesësh tërë këta emra (është fjala për listën e peticionit) ke marrë ndonjëherë para për shfrytëzimin e veprës tënde, sepse dihet botërisht që janë mbledhur para dhe përgjigjja e tyre është jo.Atëherë ku kanë vajtur këto para?
Në të njëjtën situatë gjenden edhe këngëtarët.
Gazetarja: Ju e dini cila agjenci e administrimit kolektiv ju përfaqëson ju dhe të drejtat tuaja në treg?
Manjola Nallbani: Kur kam marrë vesh emrin e agjencisë dhe personit që e drejtonte, më është dukur emri më i panjohur në botë. Absolutisht mendoj që është bërë një abuzim shumë i madh. Edhe në rastin kur unë nuk jam interesuar vetë për të ditur se ku duhet të përfshihem unë apo nga kush agjenci unë përfitoj para prej veprës apo punës sime, jam e bindur që gjatë gjithë transmetimeve të këngës sime, këto para dikujt i kanë shkuar. Unë kam marrë vesh që ka njerëz që përfitojnë nga kjo gjë, por unë kurrë. Nuk mund të ndodhi sikur në një ditë të gjithë këtyre viteve që ka funksionuar kjo agjenci të mos kem qenë në transmetim.Dhe që nga ky moment unë duhet të njoftohesha dhe të thuhej që Manjola kjo është pjesa e punës tënde.
Gjergj Jorgaqi: Deri tani mesa po shoh derisa arrita në këtë ditë që unë t`i denoncoj këto gjëra, të cilat nuk po më pëlqejnë aspak sepse po pres dhe u bënë vite që po pres, është diçka e paimagjinueshme që ne akoma mos të paguhemi. Mesa di ALBAUTOR nuk ka pajisje monitorimi për të gjitha televizionet, radiot etj.Kam mbi 2500 materiale muzikore në treg, kam mbi 3500 tekste, është absurde që një nga këto mos transmetohet. Janë mbi 500 mijë euro lekë të vjelura. Ku kanë shkuar këto lekë që t`i shpërndahen artistëve, vetëm kaq dua të di!
Ardian Trebicka: Unë përfaqësohem si producent edhe si interpret në krijimtarinë time.Veprat e mia përsa i përket interpretëve i përfaqëson AKDIA.Kam marrë diçka shumë minimale para 4-5 vjetëve nga AKDIA dhe që atëherë unë nuk kam marrë më. Si producent unë kam qenë i atashuar tek AMP dhe çuditërisht një ditë të bukur mora vesh që AMP nuk ekziton më. Nuk e di fare kush është agjencia tjetër që është licensuar.Gjërat këtu krijohen në formë fantazmash, zhduken në formë fantazmash.
Kastriot Tusha: Unë flas për interpretuesit. Unë deri tani nisur edhe nga kolegët që kemi këtu, di që nuk kemi marrë ndonjë shpërblim nga interpretimet tona.
Irma Libohova: Deri tani nuk di që të kem arkëtuar ndonjë të ardhur nga përdorimi i zërit apo i këngëve që kam krijuar apo ndonjë teksti që kam bërë vetë. Absolutisht jo! Nëse unë kam qenë e paditur përsa më takon mua, janë ata që janë të ditur të cilët drejtojnë.Të më kishin thirrur mua ose të gjithë artistët e tjerë për të na orientuar për të marrë atë ç`ka na takon.
Abuzimet e Agjencisë së Administrimit Kolektiv, AKDIE
AKDIE është një nga katër agjencitë e administrimit kolektiv, licensuar nga Ministria e Kuturës.Ajo është Agjencia e vetme e licensuar, për Administrimin Kolektiv të të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues në Shqipëri, e licensuar për herë të parë në vitin 2008 .
Kjo agjenci ka si objekt të veprimtarisë së saj mbledhjen e të ardhurave për përdorimin e veprave dhe shpërndarjen e tyre tek titullarët e së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të.
Anëtarë të Agjencisë AKDIE janë aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët, dirigjentët e orkestrave etj.
Neni 151 , pika 5 e ligjit për të drejtën e autorit thotë:
Shpenzimet totale të një Agjencie të administrimit kolektiv nuk mund të përbëjnë më shumë se 30 për qind të shpërblimeve të shpërndara.
Emisioni “BOOM” disponon aktekspertimin e realizuar me kërkesë të prokurorisë së rrethit Tiranë në lidhje me aktivitetin e agjencisë Akdie, në vitet, 2015-2016-2017.
Nga tabela rezulton se në vitin 2015 janë destinuar për shpërndarje 3, 835, 267, kur janë shpërndarë realisht 3,103,251 lekë dhe janë shpenzuar 4 , 544, 141 lekë në një raport prej 146.43 %
Për vitin 2016 janë destinuar për shpërndarje 5, 066, 058 lekë kur janë shpërndarë realisht 3,777,154 lekë dhe janë shpenzuar 7, 301, 733 lekë në një raport prej 193.31%
Për vitin 2017 ka rezultuar me humbje kur janë shpërndarë realisht 4, 601, 340 lekë dhe janë shpenzuar 7, 855, 306 lekë në një raport prej 170.72 %
Në konkluzion veprimet e agjencisë AKDIE tregojnë shpërdorim detyre dhe abuzimin në lidhje me shpërndarjen e fondeve të mbledhura nga kjo organizatë jofitimprurëse, ku kostot e shpenzimeve të administrimit të kësaj agjencie, nuk janë sa 30% e shpërblimeve të shpërndara, por në të trija rastet mbi 100%.
Agjencia ALBAUTOR
Agjencia ALBAUTOR është organizatë jo-fitimprurëse, objekt i veprimtarisë të së cilës është mbledhja e të ardhurave për përdorimin e veprave në fushën e muzikës dhe audiovizualit për veprat vendase dhe të huaja. Kjo Agjenci u rilicensua nga ministria e kulturës së fundmi në 6.07.2018.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.836, datë 28.05.2018, ka vendosur : Deklarimin e pavlefshëm të akteve dhe konkretisht vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të ALBAUTOR të datës 07.02.2015, për zgjedhjen e Këshillit të Admistrimit të shoqatës Albautor, dhe vendimit datë 17.03.2015 të Këshillit të Administrimit të Albautor për zgjedhjen e presidentit dhe drejtorit të saj Ekzekutiv z.Erlir Puto.
Gjithashtu ka vendosur edhe prishjen me nënvizim të këtyre vendimeve nga regjistri i OJF –ve në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke e shfuqizuar që nga viti 2015, dhe me detyrimin të rregullojë të gjitha pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga kjo vendimarrje, rjedhimisht dëmet ekonomike dhe financiare.
Duke qënë në kushtet se vendimi i Apelit është i formës së prerë, ALBAUTOR nuk duhej të aplikonte për rilicensim pranë Ministrisë së Kulturës.
Në datën 29.05.2018, në anashkalim të vendimit të formës së Prerë të Gjykatës së Apelit, ALBAUTOR i drejton kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të cilës i kërkon konfirmimin si drejtor i Albautor të z.Elir Puto, i zgjedhur nga Asambleja dhe Këshilli i Administrimit i shfuqizuar. Gjykata e Tiranës pasi ka shqyrtuar kërkesën e Z.Puto, e ka rrëzuar atë, duke theksuar se Asambleja dhe këshilli i Albautor këtë vendim nuk e kanë marrë në përputhje me vendimin e formës së prerë të apelit, pasi ata nuk gëzojnë më cilësitë e anëtarëve të kësaj shoqate.
Vendimi nr 587/9 datë 04.06.2018, saktëson se në këto kushte ALBAUTOR duhet të ç`regjistrohet nga regjistri i OJF. Por Gjykata e Shkallës së parë, sektori i regjistrimit të OJF, nuk ka përmbushur detyrimin e përcaktuar në vendimin e gjykatës së Apelit për ta ç`regjistruar me nënvizim Albautorin.
Ministria e Kulturës me gjithë shkeljet e rënda në korrik të 2018-ës vendos të rilicencoj ALBAUTOR si një nga Agjencitë e Administrimit Kolektiv për periudhën 2018-2021
“BOOM” disponon akt akspertimin e realizuar nga prokuroria në lidhje me shpërndarjen e fondeve nga ana e agjencisë ALBAUTOR në vitet 2015-2016-2017 ku abuzimi është i madh.
Sipas ekspertit të caktuar nga prokuroria, Në vitin 2015 janë destinuar për shpërndarje 4, 454,574 lekë kur janë shpërndarë realisht 3, 454, 996 lekë dhe janë shpenzuar 4, 187, 011 lekë në një raport prej 121.19 %, nga 30% që duhet të ishte.
Për vitin 2016 janë destinuar për shpërndarje 28, 020, 424 lekë kur janë shpërndarë realisht 15,621,835 lekë dhe janë shpenzuar 10, 148, 381 lekë në një raport prej 64.96 % .
Për vitin 2017 janë destinuar për shpërndarje 11, 174, 701 lekë kur janë shpërndarë realisht 11, 174, 701 lekë dhe janë shpenzuar 12, 100, 701 lekë, në një raport prej 162.53 % .
Me gjithë shkeljet e rënda Ministria e Kulturës jo vetëm e licencoj, por edhe i dha ALBAUTOR drejtimin e sportelit Unik SUADA i cili funksioni si sportel i vetëm unik në fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të.
Rilicensimi me kusht i AKDIE dhe ALBAUTOR
Sofjan Jaupaj, drejtor i Drejtorisë për të Drejtën e Autorit thotë: 2 agjenci u rilicensuan me kushtin për të shpërndarë një sasi të përcaktuar parash tek subjektet të cilat ata i kanë antarë.Kjo gjë erdhi pas një kontrolli financiar që gjithë grupi i punës, drejtoritë financiare, drejtoritë juridike të Ministrisë së Kulturës bën në lidhje me paketën e aplikimi që këto agjenci patën. Dhe u vu re që kishte një rritje të kostove të administrimit.U vu re që kishte një rritje të kostove administrative ndër vite të këtyre agjencive. Ligji e parashikon 30% të kostove administrative. Shpesh herë ka një tejkalim të këtyre kostove.
Ministria e Kulturës mori përsipër rilicensimin me kusht që këto para të cilat kanë shkuar për një kosto administrative ekstra, apo nuk janë identifikuar në kohë antarët në mënyrë që të shpërndahet , u ka lënë një afat 6-mujor këtyre dy agjencive në mënyrë që të bëjnë shpërndarjen tek artisti.Sa i takon legjitimitetit, nëse rilicensimi me kusht lejohet apo jo, ju bëj me dije se veprimet juridike bazuar në kodin civil shqiptar mund të vendosen në çdo rast me kusht , nëse ekziston një kusht i tillë.
Por ligji për të drejtën e autorit parashikon në nenin 159/5 pezullimin me kusht dhe jo licencimin me kusht.
Ai thotë: “Në rastet kur DDA-ja konstaton se veprimtaria e AAK-së nuk është në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat e tjera ligjore në fuqi ose me vetë statutin e saj, e urdhëron të rregullojë të metat e konstatuara, në përputhje me këto dispozita, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Nëse AAK-ja nuk përmbush këtë detyrim, DDA-ja, në varësi të rrethanave, i propozon ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit fillimin e procedurave për pezullimin për 6 muaj të licencës deri në heqjen e saj”.
Urdhri për licencimin me kusht, është në kundërshtim me ligjin organik dhe për pasojë e kthen aktin administrative licencë si akt absolutisht të pavlefshëm sipas nenit 108 të kodit të procedurës administrative, i cili thotë:
“Akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm në rastet e mëposhtme: a) kur vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë urdhëruese të këtij Kodi dhe legjislacionit në fuqi lidhur me:
- i) kompetencën e organit publik; ii) procedurën e nxjerrjes së tij; ose
iii) formën ose elementë të tjerë të detyrueshëm të aktit; b)
është nxjerrë nëpërmjet mashtrimit, kanosjes, mitmarrjes, konfliktit të interesit, falsifikimit apo një veprimi tjetër që përbën vepër penale;
- c) ekzekutimi i aktit mund të shkaktojë një veprim të dënueshëm, sipas legjislacionit penal; ç) në çdo rast tjetër të parashikuar shprehimisht në ligj”.
Po nëse nuk është bërë identifikimi i veprave për të cilat janë mbledhur këto lekë si do shpërndahen ato?
Jaupaj: Ligji parashikon disa kritere në mënyrën se si u jep një afat të caktuar kohor që këta duhet të bëjnë patjetër evidentimin e mbajtësit të së drejtës dhe nëse në një afat diku tek 2 ose 3 vjeçar ata nuk arrijnë dot që këtë ta shpërndajnë , atëherë ky fond kalon në fondin e Ministrisë së Kulturës , me fokus artin dhe kulturën. /Ora News