Një tjetër rrjedhë merr ngjarja e ndodhur në zonën e “Komunës së Parisit”, orët e vona të datës 11 qershor. Policia prangosi një ditë më parë shtetasen Adiola Lakra, banuese në Tiranë.
Sipas burimeve të policisë, 26-vjeçarja dyshohet se ka treguar lëvizjet e viktimës dhe duke e nxjerrë atë në pritë.
Policia ka sekuestruar edhe një automjet që dyshohet të jetë përdorur në atentatin mafioz ndaj Hekuran Billës. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe personi që dyshohet se largoi autorët, pasi dogjën makinën e krimit në Pezë.
I ndjeri Hekuran Billa është nxjerë në pritë para atentatorëve nga e dashura e tij. Adiola Lakra, 26-vjeçarja që u prangos ditën e djeshme, mësohet se prej një viti kishte krijuar një lidhje me Hekuran Billën, ndërsa kishte njohje edhe me Sebastian Malin, nipin e Prel Markut.
26-vjeçarja dyshohet si një nga personat që ka informuar autorët për lëvizjet e Hekuran Billës, të cilin do ta takonte mbrëmjen e 11 qershorit.
Si u zbulua 26-vjeçarja?
Burimet pranë grupit hetimor bënë të ditur se nga kqyrja e celularit të viktimës është përfituar edhe biseda që Billa kishte pasur me Adiolën pak para se të vritej. Ai kishte kërkuar që vajza, me të cilën ishte në një lidhje intime, ta takonte në zonën e “Komunës së Parisit”. Në funksion të hetimeve janë kryer edhe përgjime të bisedave telefonike mes 26-vjeçares Lakra dhe 22-vjeçarit Sebastian Mali, i arrestuar si një nga autorët e dyshuar në ekzekutimin e Billës. Së fundmi, mes Adiola Lakrës dhe Sebastian Malit kishte një numër të lartë bisedash.
“Kam patur njohje me Sebastian Malin. Ai më ofroi para që të krijoja lidhje me Hekuran Billën. Prej 1 viti u lidha me të. Sebastianit i thashë që do takohesha atë natën që ndodhi vrasja, por nuk e dija çfarë do bënte”.
Dëshmia e vajzës është tashmë prova më e fortë që ka në dorë Prokuroria, që e lidh Viktor Markun dhe Sebastian Malin me vrasjen e Hekuran Billës.
Më herët në pranga përfundoi edhe Viktor Marku, daja i Sebastian Malit dhe vëllai i Prel Markut, i vrarë në Angli nga Hekuran Billa në vitin 2006. Pista kryesore ku po hetohet deri tani për vrasjen e Billës është gjakmarrja.