Një grup profesionistësh, akademikësh dhe intelektualë të fushave të ndryshme kanë bërë disa propozime për përballimin e krizës nga Covid. Propozimet e përfshira në këtë dokument bazohen në një këndvështrim që sheh realitetin me gjithë problematikat që mbart, pa hyrë në disfatizëm. Qëllimi është të analizohen problematikat dhe të ofrohen propozime, jo vetëm për situatën aktuale të përballjes me krizën shkaktuar nga koronavirusi por, edhe për pozicionimin e ekonomisë në të ardhmen.
“Nuk mendojmë që dalja nga kriza ku ndodhemi dhe ringritja ekonomike mund të realizohet pa një qasje proaktive, të hapur ndaj ideve të reja, gjithëpërfshirëse e kontributit të operatorëve në vend, duke lënë mënjanë ndasitë politike”, thuhet në dokument.
Propozimet përmbajnë 26 pika, të cilat synojnë: Sigurimin dhe Lehtësimin e Qarkullimit të Likuiditetit në Treg; Nxitja e mekanizmave dhe tregjeve financiare qe sigurojnë burime afatgjata likuiditeti; Ekuilibrimi i dizavancës tregtare dhe Mbështetja e prodhimit vendas; Kontrolli I Papunësisë; Eliminimi i ineficencave dhe nxitja e tregjeve; Nxitja e zhvillimit te tregut te kapitaleve dhe alternativave te tjera te investimit; Vlerësim risku shëndetësor:
Masat emergjente të propozuara
Propozimi 1 – Emetimi i obligacioneve në lekë për koronavirusin.
Emetimi i tyre do të siguronte burime monetare të konsiderueshme duke konsideruar nivelin e depozitave në banka. Megjithë interesat më të lartë që do të kërkohen për shkak të krizës mund të sigurohet një kosto më e ulët e interesit të tyre duke aplikuar ulje të taksave për maturime mbi 5-vjeçare. Gjithashtu për obligacionet me afat maturimi mbi 7 vjet vlen amnistia fiskale e përshkruar më poshtë.
Propozim 2 – Duhet pasur një qasje pozitive me biznesin dhe duhen aprovuar propozimet e shoqatave të biznesit.
Një qasje pozitive me biznesin është shumë e rëndësishme pasi mban gjallë shpirtin e iniciativës private. Problematikat e biznesit janë të shumta në këto momente, ambienti i biznesit ka ndryshuar me raporte që shkojnë nga klientela e deri tek punonjësit, që do të rishikohen dhe, në shume raste do të lindë nevoja e rithemelimit të tyre.
Kjo do të ketë kosto të ngjashme me kostot e fillimit të një biznesi, dhe ekspozimi, me diskriminimin e tij si përfitues në këtë situatë, përafron largimin e tij nga tregu, duke rritur risqet e një papunësie strukturore afatgjatë në të ardhmen.
Propozimi 3 –Pagesë e plotë e pagës për punonjësit e bizneseve të mbyllura,
Kjo duhet kryer për një kohë të caktuar, e më pas, duhet të shkohet, gradualisht, drejt një page mesatare. Ndërmarrjet, të cilat nuk kanë deklaruar punonjësit duhet të mos sanksionohen për të nxitur procesin e deklarimit.
Propozimi 4 – Tu sigurohet një e ardhur minimale kryefamiljarëve, për person, nëse nuk rezultojnë të punësuar.
Propozimi 5 – Të eliminohet parapagimi i tatim fitimit për biznesin e vogël dhe të shtyhet e rishikohet për biznesin e mesëm dhe të madh.
Propozimi 6 – Për personat që nuk janë të siguruar duhet t’u lihet hapësira firmave t’i deklarojnë pa sanksione në mënyrë që të hyjnë në format e financimit.
Propozimi 7 – Kreditë mbi kapitalin qarkullues si dhe overdraftet duhen rinovuar automatikisht dhe pa interesa shtesë.
Propozimi 8 – Për financimet pjesë e paketës së garancisë interesat max duhet të jenë 0.5%.
Një normë më e lartë nuk ka kuptim për një kredi të sigurt.
Propozim 9 –Të shtyhen të gjitha pagesat e tatimeve që nga muaji Mars.
Kjo pasi në të kundërt do të kemi firmat që do të pezullojnë aktivitetin e tyre duke shkaktuar një dëm edhe më të madh në ekonomi. Kjo nuk vlen nëse ke marrë çfarëdo lloj tjetër financimi për krizën.
Propozim 10 – Duhet pezulluar pagesa e qerasë për bizneset me rimbursim të qiradhënësit.
Rimbursimi duhet të bëhet mbi një normë në përqindje mbi totalin. Masa e rimbursimit të qiradhënësve duhet të konsiderojë nëse pronari ka burime të tjera fitimi dhe nëse nuk ka pagesa kredie mbi pronën e dhënë me qira. Në këto raste rimbursimi duhet të bëhet i plotë.
Propozim 11 – Qeveria shqiptare (institucionet e pushtetit qendror dhe lokal) duhet të likuidojë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private brenda muajit prill 2020, duke shlyer të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike, që nuk janë të anuluara, me apo pa rishikim buxheti.
Propozim 12 – Rimbursim automatik i TVSH-së kreditore dhe kompensimi me detyrime të tjera tatimore qofshin këto edhe të periudhës virale dhe/ose kompensim me detyrimet tatimore të furnitorëve të shoqërive kreditore te TVSH-së.
Propozim 13 – Njohja si shpenzim i zbritshëm i të gjithë shumës dhe për të gjitha donacionet që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës covid-19. Kjo nuk duhet të kufizohet me kalimin e shumës nëpërmjet thesarit.
Propozim 14 – Të përjashtohet biznesi Bar-Restorant-Hoteleri nga taksa e reklamës për 5 muaj dhe të aplikohet pagesë me këste për detyrime të tjera të mëparshme për një kohë prej 36 muajsh.
Propozim 15 – Incentivim i transportit të mallrave, personave dhe turizmit me vendet e rajonit. Fazat e hapjes, për sa i përket transportit, do të ishte mirë të përkonin midis vendeve të rajonit nga të cilat buron numri më i lartë i turistëve. Nëse do të aplikohej një incentiv mbi çmimin e paguar prej shoqërive të turizmit kjo do të shërbente si një shtysë e fortë për tërheqjen e turistëve.
Propozim 16 –Përcaktimi i modeleve për marrjen e masave mbrojtëse ndaj virusit dhe aplikimi i tyre nga biznesi. Modelet duhet të bazohen në a) respektimin e linjave guidë të pranuara, të përcaktuara në funksion të rihapjes dhe mbylljes (si psh. linjat guidë të Organizata Botërore e Shëndetësisë në 07.04.2020 për bizneset në sektorin ushqimor, 19 Marsit për masat në vendet e punës, 31 mars 2020 për sektorin e akomodimit), b) zbatimin e një kuadri të qartë ligjor, c) duke parashikuar trajnime dhe certifikim të personave përgjegjës të sistemeve të sigurisë të shëndetit si dhe d) të masave mbështetëse në nivel qendror për adaptimin e bizneseve me kushtet e reja duke i integruar në manualet e sigurisë .
Kushtet, për tu respektuar, bazohen mbi hartëzimin e aktiviteteve ekonomike sipas vlerësimit të riskut të përhapjes së virusit (duke pasur parasysh objektin e veprimtarisë dhe grup-profesionet) si dhe prej informacioneve të marra mbi baza ditore, nga një rrjet territorial, për tu krijuar nga autoritetet shëndetësore, me persona përgjegjës, për evidentimin në kohë të rasteve të dyshuara.
Masat afatgjata
Propozim 17 – Publikimi i Planit të Aksionit sipas skenarëve të parashikuar për përballimin e krizës dhe i Planit strategjik për rimëkëmbjen e ekonomisë
Shpallja më herët e një plani strategjik mbi përballimin e krizës dhe ringritjen e ekonomisë së vendit do ulte pasigurinë në tregun financiar, operatorët ekonomikë do të krijonin pritshmëri për të ardhmen, me projeksione bazuar në një risk të menaxhueshëm, si dhe do të përmbahej kostoja e financimit të obligacioneve qeveritare.
Propozimi 18 –Krijimi i një komisioni mbarëkombëtar ekonomik
Ky komision nuk duhet të kufizohet vetëm me grupimet institucionale (qeveritare), por të përfshijë edhe përfaqësues të tjerë nga opozita, shoqëria civile dhe Diaspora. Linjat strategjike të përcaktuara duhet të pranohen nga politika. Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës do të identifikohet networku me shqiptarë të afirmuar, e do të shfrytëzohet për promovimin e Shqipërisë dhe përthithjen e investimeve të huaja.
Propozimi 19– Krijimi i një fondi/banke kombëtar/e të zhvillimit
Banka do të krijohet me kapital të injektuar nga qeveria, investime të tjera dhe me masën monetare të përftuar prej aplikimit të një amnistie të plotë të parasë. Kjo bankë mund të kreditojë bizneset në sektorët prioritarë, duke u blerë Obligacione Korporate, ose duke garantuar emetetimin e këtyre obligacioneve nga biznesi. Ky instrument do t’i jepte biznesit akses në fonde të konsiderueshme dhe afatgjata, do t’u jepte mundësinë bankave dhe fondeve të pensionit e investimit të diversifikonin portofolet, si dhe do të nxiste zhvillimin e tregut te kapitaleve. Kjo bankë do të mund të investojë edhe në kapitalin aksioner të shoqërive në raste të veçanta.
Qëllimi do të jetë drejtimi i ekonomisë dhe financimi i sektorëve strategjikë. Krijimi i kësaj banke kërkon një ndryshim në qasjen dhe përgjegjësinë politike, por e shohim të pashmangshëm nëse do të duam të nxisim punësimin dhe zhvillimin, si dhe të përmirësojmë pozicionin konkurrues rajonal të strukturës prodhuese lokale, me financimin e sektorëve teknologjikë dhe arsimit.
Financimet do të shkojnë vetëm për projektet që gjenerojnë punësim dhe stimulojnë zhvillimin.
Propozimi 20 – Amnisti totale të parasë së padeklaruar për një periudhë të caktuar për shtetasit shqiptarë.
Në këtë mënyrë kapitali i paregjistruar do të pushojë së ushqyeri ekonominë në të zezë dhe nxitur ineficiencat e sistemit. Amnistia e kësaj forme të kapitalit, që ka prekur çdo nivel, nuk do të vazhdojë të devijojë tregjet dhe as do të pengojë zhvillimin normal të sektorëve ekonomikë, si pasojë e asimetrive informative dhe nxitjes së theksuar të “moral hazard”.
Që amnistia të ketë sukses duhet të jetë e plotë, e aplikuar një herë të vetme, me ashpërsim të penaliteteve të mëvonshme, si edhe me kompensim të eksternaliteteve negative.
Nga ajo do të përfitojnë dy kategori, bizneset dhe individët. Mbi biznesin, do të aplikohet për gjendjet e padeklaruara të magazinës një kosto 15% e vlerës së deklaruar, për gjendjet e tjera që lidhen me arkën, kredinë dhe kapitalin një kosto 7%; ndërsa për individin ky penalitet do të jetë 20%-30%
Në këtë mënyrë kapitali i paregjistruar do të pushojë së ushqyeri ekonominë në të zezë dhe nxitur ineficiencat e sistemit. Amnistia e kësaj forme të kapitalit, që ka prekur çdo nivel, nuk do të vazhdojë të devijojë tregjet dhe të pengojë zhvillimin normal të sektorëve ekonomikë. Shumë forma të asimetrive informative dhe të “moral hazard” do të eliminohen.
Nga amnistia do të përfitojnë dy kategori, bizneset dhe individët.
Kushti për pranimin e amnistisë do të jetë përdorimi i parasë që do të legalizohet në obligacione qeveritare dhe në bankën e zhvillimit, sipas kushteve të përcaktuara në propozimet përkatëse. Qëllimi i amnistisë është sigurimi i financimeve publike me një kosto të ulët për tu përballur me emergjencën si dhe sigurimi i fondeve për ringritjen ekonomike.
Propozimi 21 –Humbja e të drejtës së përfaqësimit në administratë dhe në çfarëdo pozicioni drejtues të individëve që përfitojnë nga amnistia.
Edhe administratorët e bizneseve që legalizojnë gjendjet e magazinës humbasin të drejtën e përfaqësimit në administratë. Për sa i përket individëve, familjarët e nivelit të parë humbasin të drejtën për të drejtuar aktivitetet që financohen me burimet e legalizuara nga amnistia, deri në 2 vite pas përfitimit. Në këtë mënyrë do të mund të kompensohet eksternaliteti negativ që lind nga aplikimi i saj. Që të sigurohet suksesi i kësaj mase duhet të kemi parasysh që përfituesit nuk duhet të ndihen të rrezikuar në asnjë mënyrë për pjesën e amnistuar në cash . Ndaj dhe duhet respektuar:
Propozimi 22 – Mosaplikimi i efekteve dhe sanksioneve mbi shumën e amnistuar
Për çfarëdo dënimi të mëvonshëm dhe për çdo rast të parashikuar në ligjet e tjera shuma e amnistuar nuk duhet të preket dhe as të përbëjë indicie apo element prove, nëse kapitali i siguruar në këtë mënyrë nuk transformohet në cash, për të paktën tre vite për individët dhe një vit për bizneset.
Megjithatë, për veprat e korrupsionit, evazionit, pastrimit të parave etj, nevojitet një ashpërsim I sanksioneve menjëherë pas amnistisë.
Aplikimi i plotë i amnistisë është kompleks, jo vetëm për eksternalitetet negative që krijon, por dhe për aplikimin e masave për kompensimin e tyre si psh. kufizimi i të drejtës së përfaqësimit etj. Nevojitet që të preken një seri ligjesh si ai antimafia, i SPAK etj për të mos krijuar konflikte ligjore që do të pengonin suksesin e amnistisë.
Propozimi 23 – Evidentimi i përgjegjësisë civile të nëpunësve administrativë dhe ashpërsimi i sanksioneve ndaj tyre.
Në këtë mënyrë nxitet përgjegjësia e nëpunësit civil në të gjitha nivelet dhe luftohet presioni politik në vendimmarrje, duke pasur një përmirësim të prekshëm në mirëqeverisje.
Propozim 24 – Përdorimi i Bankës së Shqipërisë si Huadhënësi i Fundit
B.SH. do të garantojë financimin e qeverisë dhe, ne raste të veçanta edhe të korporatave strategjike. Përdorimi i politikave te lehtësimit sasior nëpërmjet blerjes nga B.SH. të obligacioneve të Thesarit të emetuara nga Qeveria, por edhe të Obligacioneve të emetuar nga korporatat strategjike (psh AirAlbania, Banka e Zhvillimit, UKT, Posta Shqiptare etj etj).
Propozim 25 – Ndryshimi i Ligjit të bankës së Shqipërisë për të përfshirë në objektivat e saj dhe punësimin.
Propozim 26 – Ringritja e Bursës së titujve
Duke siguruar transparencën me anë të ashpërsimit të sanksioneve për mosrespektimin e saj, si dhe dhënia e tagrit të mbikëqyrësit, institucioneve rregullatore që sigurojnë cilësinë e raportimit financiar. Ndërmarrjet publike duhet të udhëheqin procesin e regjistrimit në bursë.
Propozimi 26.1– Të incentivohen bizneset qe i drejtohen tregut te kapitaleve për të kërkuar fonde duke u listuar ne Burse.
Kjo do shkarkonte nga Qeveria presionin e biznesit për fonde, dhe do i orientonte ata drejt mekanizmit të tregut, nëpërmjet shitjes së aksioneve apo obligacioneve korporative të huamarrjes. Incentivat mund te jene ligjore (me detyrim siç ka ndodhur edhe ne disa vende te rajonit, si Maqedonia) apo mund të jenë incentiva fiskale (ulje e Tatim Fitimit per 3-5 vite). Një nismë e tillë, do të luftonte evazionin fiskal, do u mundësonte bizneseve aksesimin e fondeve afatgjatë, dhe do të zhvillonte tregun e kapitaleve.
Propozimi 26.2 – Të mundësohet krijimi i një tregu të brendshëm FOREX te paanshëm e transparent ne Bursë.
Kjo do të amortizonte rrezikun e volatilitetit të lartë të kursit të këmbimit në tregun vendas, duke mos lejuar manipulimin e tij si dhe duke mbrojtur qytetarët nga zhvlerësimet apo ndikimet negative te operatorëve të caktuar (kryesisht operatorë të mëdhenj). Një treg valutor i brendshëm e transparent dhe i pa-anshëm do t’i jepte Bankës së Shqipërisë mundësinë që të kishte një politikë monetare me efikase nëpërmjet Operacioneve të Tregut të Hapur.
Propozimi 27 – Formimi i një organizmi qendror që do të asistojë institucione shtetërore në hulumtimin e fondeve/granteve të huaja/BE të lidhura me implementim projektesh
Ky organizëm, do të aftësojë dhe suportojë këto institucione në procesin e aplikimin për përfitimin e tyre, thjeshtojë komunikimin ndërinstitucional për arritjen e qëllimit, do të gjurmojë dhe raportojë implementimin e tyre, dhe vërë para përgjegjësisë ligjore institucionet ose punonjësit publikë të cilët me veprimet ose mos-veprimet e tyre pengojnë ose ndalojnë implementimin e këtyre projekteve, dhe si rezultat përthithjen e fondeve./Monitor