Shqipëria ka pasur mjerisht shumë data tragjike në historinë e saj. Por 28 marsi i vitit 1997, është padyshim dita kur humbën jetën më shumë shqiptarë brenda një dite të vetme. Një peshkarexhë e vogël e quajtur “Kateri i Radës”, u nis atë ditë rreth orës 16.00 të pasdites nga Porti i Vlorës me 115 persona në bord.
Shumica ishin familjarë, që donin të iknin në Itali, për shkak të kaosit të atyre javëve në Shqipëri. Ku trazirat e shpërthyera që në janar, për shkak të falimentimit të firmave piramidale, degraduan në atë fillim marsi në hapjen e depove ushtarake nga jugu në veri të vendit.
Ata kishin paguar kursimet e tyre të fundit, në atë udhëtim që do të rezultonte i fundit për pjesën më të madhe të tyre. Rreth 2 orë më vonë, anija e vogël u pikas në mesin e Kanalit të Otrantos nga anija e marinës italiane “Sibilla”, që kërkoi të ndalonte dhe të inspektonte anijen nëse kishte emigrantë të jashtëligjshëm.
Por kontrabandistët që drejtonin anijen, dhe që kishin marrë paratë për këtë trafikim, refuzuan duke vazhduar rrugën përpara. Por autoritetet italiane e shtuan presionin, dhe në një moment “Sibilla”, që ishte 4 herë më e madhe, e goditi peshkarexhën e vogël shqiptare e cila u fundos brenda pak minutash.
Disa që ishin në pjesën e sipërme arritën të shpëtonin, të tjerët brenda, kryesisht gra dhe fëmijë të vegjël, nuk patën asnjë shans. Në total 81 persona, pëfunduan bashkë me anijen në 800 metra në fundin e detit. Prej tyre vetëm 57 do të nxirreshin pas 6 muajsh, ndërsa trupat e pajetë të 24 personave nuk u gjetën kurrë.
Vite më vonë kryeministri italian i kohës, Romano Prodi, foli për një “një paaftësi të marinës italiane”. “Marina jonë nuk ishte e përgatitur në atë kohë për të bërë këto gjëra. Mund t’ju siguroj që ishte një incident, për mua shumë i dhimbshëm.
Këtë e tregon fakti që ndjeva për detyrë të vija në funeralet e viktimave, dhe ishin funerale shumë të dhimbshme. Nuk do të harroj kurrë karvanet me arkivolë, familjarët që qanin. Ishte një moment dhimbje. Por fajtor, do të thotë të bësh diçka me qëllim. Ju siguroj që nuk ishte e qëllimshme”, deklaroi ai në një intervistë televizive.
Dhe në fakt ky ishte edhe konkluzioni i hetimeve disavjeçare, që u mbyllën me dënimin simbolik me pak vite burg të kapitenit të “Sibilla”-s. Por fakt është se ndërsa Shqipëria zinte nga kaosi, në Itali kishte një tension të madh politik, lidhur me flukset e shtuara të refugjatëve shqiptarë, që o zbarkonin me gomone në brigjet italiane.
Ish-kryeparlamentarja italiane Irene Piveti, asokohe deputete e partië së ekstemit të djathtë Lega Nord, bëri bujë në media me deklaratat e saj:”T’i hedhim shqiptarët në fund të detit, të mos i lejojmë t’u afrohen brigjeve tona!”.
Vetë Piveti me profesion bazë atë të gazetares, kërkoi ndjesë publike në vitin 2011, gjatë një vizite që zhvilloi në Shqipëri, ku ndaloi edhe në Vlorë. Edhe pse vizita e saj u prit me protestat e familjarëve të viktimave. Veç dhimbjes së pashuar për familjarët e humbur, këta të fundit kanë përjetuar një kalvar të madh gjykatave italiane duk kërkuar drejtësi për viktimat, dhe të paktën një lloj dëmshpërblimi financiar.
Në nëntorin e vitit 1998, zëvendësprokurori i ngarkuar nga Gjykata e Brindizit për hetimet paraprake, Leonardo Leone de Kastris, foli për manipulim të provave fotografike dhe regjistrimeve të kryera nga anijet italiane.
Ndërkohë në marsin e vitit 2005, përfundoi gjyqi në shkallën e parë, kur drejtuesi i anijes që u mbyt, Namik Xhaferi, u dënua me 4 vjet burg. Ndërsa kapiteni i anijes italiane Fabricio Laudadio me 3 vjet burg, dënime që më vonë u ulën. Ndërkohë, paralelisht vijuan edhe gjyqet për dëshpërblimet.
Në fund shteti italian pranoi t’u japë familjarëve rreth 4 milionë euro në total. Por shumica prej tyre pretendojnë se as sot pas 23 vitesh, nuk kanë marrë asgjë. Madje më 15 janar të këtij viti, familjarët e viktimave të Tragjedisë së Otrantos, i dërguan një letër të hapur kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku kërkuan ndërhyrjen e tyre lidhur me këtë çëshje.
“Kërkojmë drejtësi, në emër të fëmijeve të vegjël që nuk u rritën kurrë, në emër të vajzave që nuk u bënë dot nuse, në emër të atyre nuseve që nuk e morën dot fëmijën e tyre në dorë po dhanë shpirt bashkë, në emër të atyre prindërve që nuk panë fëmijet e tyrë duke u rritur. Klithma e tyre oshëtin nga fundi i detit dhe kërkon drejtësi”, thuhej në letrën e tyre.
TIRANA TODAY