Informacionet që kanë mbërritur për vendndodhjen e Klement Çalës, i cilësuar si truri i grabitjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit, kanë qenë të pakta, edhe pse Policia e Shtetit ka vendosur ne dispozicion të qytetarëve një shumë prej 10 mijë eurosh.
Rreth 100 telefonata janë administruar nga punonjësit e policisë, por pas verifikimeve, asnjë informacion nuk ka rezultuar i vlefshëm për kapjen e vëllezërve Klement dhe Eldi Çala, si dhe mikut të tyre Talo Çela.
Deri më tani, në pranga kanë rënë: Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Çela dhe Alkond Bengasi. Dëshmia e këtij të fundit nxori zbuluar edhe bandën e grabitësve, pasi pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë.
Sipas uniformave blu, tre personat që ndodhen në arrati, referuar sistemit TIMS rezultojnë në territorin shqiptar, por ka dyshime se janë larguar nga vendi ynë përmes kufirit të gjelbër.
Kujtojmë se ditën kur ndodhi ngjarja, humbi jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë Admir Murataj, i cili u cilësua si një nga organizatorët e grabitjes.