Kompanitë ushtarake private, zënë një pozitë gati të barabartë me ushtritë e rregullta, operacionet e sotme ndërkombëtare paqeruajtëse. Madje, bazuar në studimet e ekspertëve amerikanë, korporata të tilla ushtarake, do të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në konfliktet e armatosura lokale, dhe në luftërat në përgjithësi në të ardhmen. Ja cilat janë kompanitë kryesore sot në botë:
ACADEMI
U themelua në vitin 1997 nga ish-ushtaraku Erik Prins, bashku me kolegun e tij El Klark. Disa vjet më vonë, u krijua një kompani tjetër, e cila në thelb ishte dega e saj e re “Blackwater Security Consulting”, efektivët e së cilës morën pjesë në operacionet ushtarake në Afganistan.
Ndërkohë në vitin 2003, luftëtarët e kësaj kompanie morën pjesë në misione të ndryshme në Irak. Zyrtarisht, “Blackwater” merrej me stërvitjen e policisë dhe ushtrisë irakiane. Në vitin 2010 kompania ndryshoi emrin në ACADEMI. Ajo ka shumë baza trajnimesh jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera, ku stërviten çdo vit më shumë se 40.000 njerëz.
Të ardhurat e saj kryesore, rrjedhin nga pjesëmarrja në konflikte të ndryshme të armatosura, ku rreth 90 përqind e fitimeve vijnë nga kontratat me qeverinë amerikane. Në vitin 2005 ajo fitoi 25 milionë, dhe 1 vit më vonë 600 milion dollarë. Çdo ditë, një ushtar mercenar nga ACADEMI i kushton shtetit amerikan 1200 dollarë, në një kohë që një ushtar i ushtrisë amerikane vetëm 150-190 dollarë.
Kjo kompani është akuzuar mbi mënyrën sesi ka vepruar në Irak, duke shkaktuar vdekjen e një numri të madh civilësh në Bagdad. Ndërkohë rreth saj ka dyshime se është e angazhuar në kontrabandë armësh. Në marsin 2010, më shumë se 500 kallashnikovë dhe armë të tjera u zhdukën nga depot e ushtrisë amerikane në Afganistan. Dhe në shtator të po atij viti, disa punonjës të kompanisë u akuzuan për trafik ilegal armësh.
G4S
Numri i punonjësve të kësaj kompanie arrin në 657 mijë. Ajo është një kompani shumëkombëshe që ofron shërbime të sigurisë, dhe e ka selinë në Britaninë e Madhe, dhe me zyra në 125 vende të botës. U themelua në vitin 2004 pas shkrirjes së kompanisë daneze “Group 4 Falck” dhe britanikes “Securicor PLC”.
Në vitin 2008, nisi të garantojë sigurinë e aktiviteteve muzikore dhe sportive. Ajo ka blerë vazhdimisht kompani më të vogla të sigurisë. Edhe G4S, nuk ka qenë e iminizuar nga skandalet. Në vitin 2009, një i burgosur nga Australia Perëndimore, vdiq kur po transportohej nga punonjësit e kompanisë me një makinë pa ajër të kondicionuar, dhe pa qasje tek uji i pijshëm. Po atë vit punonjësit e zyrës australiane të G4S, nisën një grevë për kushtet e këqija të punës dhe pagat e ulëta.
FDG Corp
U themelua në vitin 1996 nga marinsi A.Rodriguez. Disa vjet më vonë partneri i tij ishte oficeri rus D.Smirnov. Kompania është e angazhuar në gati të gjitha pikat e nxehta në botë: Somali, Gjirin e Adenit, Irak, Guinea-Bissau, Izrael, Palestinë, Gaza dhe Afganistan.
Ajo është e profilizuar në ofrimin e shërbimeve të tilla si mbrojtja e anijeve dhe ngarkesave, logjistika ushtarake, transporti detar dhe tokësor, trajnimi i njësive speciale dhe ekipeve të sigurisë për operacione në zona me rrezik të lartë, si dhe këshillim ushtarak.
DynCorp
U themelua nga disa pilotë ushtarakë që gjatë gjatë Luftës Koreane. Të ardhurat e kompanisë në vitin 1994, arritën në më shumë se 1 miliardë dollarë, dhe 3 vjet më vonë i tejkaluan 2.4 miliardë dollarët. Aktualisht, DynCorp ka mbi 3.4 miliardë dollarë të ardhura vjetore, dhe punëson më shumë se 10.000 njerëz në fusha të tilla si operacionet ajrore, rehabilitimi dhe zhvillimi, mirëmbajtja dhe funksionimi, trajnimi i shërbimeve inteligjente dhe shërbimeve të sigurisë.
Edhe “DynCorp” është bërë pjesë e skandaleve. Në fund të viteve 1990, punonjësit e saj u akuzuan për pedofili dhe trafikim të fëmijëve. Pavarësisht se të gjithë pjesëmarrësit në krime u shkarkuan nga detyra, asnjë prej tyre nuk u nxorr para drejtësisë.
MRPI
U themelua në vitin 1987, nga gjenerali në pension V.Ljuis, dhe ka në përbërje 350 ish-gjeneralë amerikanë. Ofron shërbime për qeverinë amerikane, dhe autoritetet e shteteve të tjera. Ajo ka ndihmuar qeverinë e Kolumbisë, Liberisë, ndërsa ka trajnuar dhe planifikuar operacionet e ushtrisë kroate kundër forcave serbe në vitin 1995. Kompania bashkëpunoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri në vitet 1998-1999, dhe në Maqedoni në vitet 2000-2001.
Shërbimi i Mbrojtjes Aegis
Kjo kompani britanike u themelua në vitin 2002, nga ish oficeri i ushtrisë britanike T.Speiser. Ajo ka të punësuar 20 mijë njerëz, dhe klientja e saj kryesore është SHBA-ja. Aktualisht, ka një kontratë me qeverinë amerikane, për ofrimin e sigurisë së trupave amerikane në Irak, dhe që vlerësohet në 293 milionë dollarë.
Përveç kësaj, në vitin 2011, ajo fitoi një kontratë me vlerë 497 milionë dollarë, për të mbrojtur autoritetet amerikane në Kabul. Në vitin 2005, Shërbimet e Mbrojtjes Aegis u përfshinë në një skandal, kur në internet u publikua një video, në të cilën punonjësit e kompanisë qëllonin ndaj popullatës paqësore të Irakut.
Erinys International
Një tjetër kompani ushtarake britanike, e themeluar nga ish oficeri britanik J.Garrath dhe zyrtari i aparteidit të Afrikës së Jugut Sh.Kleari në vitin 2002. Aktiviteti i kompanisë, është përqendruar kryesisht në ofrimin e shërbimeve të sigurisë, kryesisht në zonat e Afrikës Qendrore.
Ajo ka disa kontrata me qeverinë amerikane në Irak. Misioni më i madh, ishte me angazhimin e 16.000 luftëtarë në më shumë se 280 zona në të gjithë vendin, që morën pjesë në sigurimin e aseteve energjitike, dhe në veçanti të tubacioneve të naftës. Kompania u gjend në qendër të skandalit, kur në vitin 2004 media publikoi informacione mbi keqtrajtimin e të burgosurve.
Northbridge Services Group
Është një kompani e përbashkët ushtarake amerikano-britanike. Sipas disa vlerësimeve, kompania ka në dispozicion rreth 3 mijë ish-ushtarakë britanike, si dhe disa mijëra ish-ushtarakë francezë, jug-afrikanë dhe amerikanë. Punonjësit e kësaj kompanie luajtën një rol të rëndësishëm në konfliktin civil në Liberi në vitin 2003, duke marrë anën e rebelëve dhe arritur rrëzimin e qeverisë.
TIRANA TODAY