Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi të enjten se do të vonojë zbatimin e ndalimit të TikTok-ut pas urdhërit të ri të gjykatës në favor të platformës kineze për shpërndarjen e videove të shkurtra.
Departamenti tha përmes një deklarate se urdhri i mbylljes së platformës nuk do të hyjë në fuqi “në pritje të zhvillimeve të mëtejshme ligjore”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se e kishte apeluar urdhrin e gjyqtares Wendy Beetlestone që ndalonte qeverinë nga vendosja e kufizimeve ndaj TikTok-ut.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se ky aplikacion kinez kërcënon sigurinë kombëtare, megjithëse TikTok ka përsëritur shumë herë se të gjitha të dhënat e rrjetit ruhen në serverat në ShBA, me një kopje rezervë në Singapor.
Beetlestone shkroi “përshkrimet qeveritare të kërcënimit të sigurisë kombëtare nga aplikacioni TikTok janë hipotetike”.
Kjo nuk është sfida e parë gjyqësore ndaj përpjekjes së Trump-it për shtypjen e TikTok-ut. Në fund të shtatorit, gjykatësi i distriktit të Uashingtonit Carl Nichols shtyu për më vonë një urdhër të administratës së Trump-it që synonte ndalimin e TikTok-ut në dyqanet e aplikacioneve për telefonat celularë./CRI/