Ministri plotësues i Jashtëm grek, Jorgos Katrougkalos ka komentuar ndryshimet e bëra së fundmi në qeverinë shqiptare, ku u zëvendësuan 7 ministra duke komentuar marrëdhënien mes dy vendeve.
Ministri grek ka theksuar se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë ka arritur në nivele të kënaqshme, por që u la pas për shkak të zhvillimeve të tjera me rëndësi.
Katrougkalos tha në një intervistë radiofonike:
“Aty ku prisnim të kishim konkludimin e këtij progresi të mirë, në festën e 28 tetorit, që përveç përvjetorit festiv kombëtar do të nderonim edhe të rënët në luftën italo-greke në Shqipëri, që për herë të parë gjetën paqe pasi u varrosën me nderime pas 70 vitesh, ndodhi ngjarja e trishtuar me Kacifën”, ka thënë ai.
Sipas tij, “për arsye që kryesisht kanë të bëjnë me politikën e brendshme të vendi fqinj, sipas vlerësimit tim, kemi pasur një ftohje të klimës, por që mendoj se është plotësisht e riparueshme. Përpjekja jonë është pikërisht të risjellim nivelin e diskutimit, aty ku ishte, dhe të shkojmë drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjeve”– thotë ai.