Sjellja e sulmuesit të Kukësit, Artur Reginaldo është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme. Sulmuesi nga Mozambiku u zëvendësua nga trajneri Armando Cungu në minutën e 90’+2′ me Dino Spehar. Ndeshja kishte përfunduar dhe trajneri Cungu e përdor më shumë për të vonuar lojën duke parë edhe rezultatin 2 me zero në favor të tyre.
Gjatë momentit që po zëvendësohej, fytyra e tij e tregonte qartë zhgënjimin dhe nervozizmin. Trajneri Cungu i doli para për ta përgëzuar, por në momentin që shkodrani u mundua ta përqafonte, 28-vjeçari e shtyu duke refuzuar afrimin e tij.
Ai i drejtoi gishtin tregues trajnerit Cungu në formë kërcënimi duke i drejtuar dhe fjalë. Numri një i stolit nuk i mirëpriti këto veprime dhe iu kthye sulmuesit të tij kryesor. Një tjetër fërkim mes tij dhe Reginaldos pas atij të disa javëve më parë. Situata pritet të ketë të tjera zhvillime dhe padyshim që presidenti Safet Gjici nuk do të lejojë sjellje të tilla tek verilindorët.