https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/367281450383265/
Ka përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni, ndërsa kanë ardhur edhe reagimet e para lidhur me rezultatet.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli fitoren në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare:
“Jam këtu për të konfirmuar lajmin e fitores së madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, në Çair, në Dibër, në Saraj, në Likovë, në Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë”.
Nga ana tjetër, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili garoi në komunën e Strugës, akuzoi kryeministrin Zoran Zaev për humbjen e tij:
“Në rast se kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër-kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se Ramiz Merko dhe BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, tha Sela.
Aleanca për Shqiptarët në koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, atë të Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.
“Gostivari u çlirua nga një diktator. Koalicioni ka fituar edhe në Vrapcisht, Bogovinë dhe Zhelinë. Në të gjitha komunat ku kemi humbur, dallimi në vota është shumë i vogël, kjo tregon se shqiptarët u zgjuan”, theksoi Arben Taravari, i cili shpalli fitoren e tij në komunën e Gostivarit duke paralajmëruar mbajtjen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së shpejti.
Social-Demokratët e kryeministrit Zaev kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit.
“Zgjedhjet ishin kristal të pastra”, deklaroi Zaev duke bërë thirrje që VMRO DPMNE të njohë rezultatin zgjedhor:
“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. Bëj thirrje deri tek udhëheqësia e VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”.
Lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i quajti zgjedhjet vendore të falsifikuara:
“Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, derisa policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje e votave. Janë shpërndarë edhe artikuj ushqimorë”, u shpreh Gruevski. Madje, ai kërkoi formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shtuar se nuk e njihte rezultatin zgjedhor.