Nga Damian Tambini, “New Statesman”
Një aspekt i habitshëm i dallgës populiste, që kërcënon të përfshijë politikën evropiane, është se sa nacionalistët nga vende të ndryshme, duket sikur e pëlqejnë njëri-tjetrin. Lëvizjet nacionaliste, po ndërtojnë aleancat e tyre: Marin Lë Pen, takohet shpesh me Viktor Orbanin e Hungarisë, dhe me udhëheqjen e Mateo Salvinin e Lidhjes në Itali, parti që së fundmi përgëzoi finlandezët për zgjimin e tyre të fundit elektoral, ndërsa Aron Banks në Londër kërkoi që kreu i Lidhjes dhe ministri i Brendshëm italian, të bllokonte shtyrjen e Brexit.
Çfarë i mban bashkë këto lëvizje, dhe si shpjegohet rritja paralele e tyre? Nëse partitë progresiste duan që ti mposhtin ato në zgjedhjet evropiane që mbahen pas një muaji, ato duhet të kuptojnë formulën e suksesi të kundërshtarëve të tyre. Ideologjitë populiste kombëtare që po lulëzojnë në të gjithë Evropën, nuk kanë të përbashkët ndonjë, por një metodë.
Një element tjetër, gjë që mban bashkë populistët nacionalistë, është përqendrimi i lartë i mbështetjes që ata marrin midis rajoneve dhe demografia e prekur nga deindustrializimi dhe stanjacioni ekonomik. Kjo është një sfidë afatgjatë për progresistët, të cilët përpiqen të ofrojnë zgjidhje reale dhe institucionale për njerëzit e dëmtuar nga ndryshimet ekonomike.
Kriza ekonomike e nisur në vitin 2008, nxiti shumë përpjekje të tjera për zgjidhje më radikale. “Populizmi i majtë”” që vjen me kastën e vet stereotipike të armiqve dhe komploteve, është përplasur gjithnjë me dialektikën e kombit kundrejt klasës. Po pse në këtë moment, nacionalizmi nazist është kaq agresiv?
Lidhja në Itali, përbën një rast interesant. Kur e kam studiuar fillimisht këtë lëvizje në vitet 1990, ajo ishte një lloj organizate që bënte fushatë për shkëputjen e rajonit të Lombardisë dhe pastaj të Italisë veriore, nga “armiku” i korruptuar, Roma.
Që nga viti 2008, kjo parti shfrytëzoi në maksimum krizën ekonomike në vend, për t’u bërë forca dominante populiste në Italinë e Jugut. Kjo është një arritje mbresëlënëse, duke pasur parasysh se dikur lëvizja denigronte jugorët.
Ajo e ngriti bastionin e saj në jug, përmes retorikës kundër emigrantëve, dhe duke nxitur urrejtje ndaj qeverisë. Ndërsa kriza italiane përfshiu mbarë vendin dhe sistemin e tij partiak, Lidhja, ashtu si partnerja e saj populiste, Lëvizja Pesë Yjet, u bë partia e të zemëruarve dhe të zhgënjyerve.
Unë kam intervistuar shumë aktivistë të Lidhjes. Karriera e një mbështetësi të Lidhjes, ndjek një rrugë të njohur. Partia e Salvinit, i ofron atë që i mungon në jetën e përditshme: një kuptim dhe drejtim në jetë, dhe mbi të gjitha, njohje dhe krenari. Kjo u jep mbështetësve një objektiv të jashtëm për zhgënjimet e jetës; biznesin e dështuar, karrierën zhgënjyese, mungesën e lëvizshmërisë sociale.
Ata gjejnë një shpjegim të përshtatshëm për dështimet personale: është faji i tyre, jo i imi. Emigrantët na kanë marrë punët, subvencionet dhe shërbimet publike; dhe ku nga burokracia e korruptuar e Romës, është zëvendësuar nga Lidhja me “moçalin” e korruptuar të Brukselit.
Kjo është formula e përbashkët: populizmi kombëtar, duke identifikuar njerëzit autentikë kundër një elite të korruptuar, ofron një mall të çmuar, dhe një shpërblim për ata që janë dëmi anësor i cikleve me ulje-ngritje të kapitalizmit.
Politika nacionaliste e armikut, është shumë efektive në mobilizimin e lëvizjeve masive. Sociologu italian Alesandro Piçorno, që u nda nga jeta pak kohë më parë, shkroi në vitin 1983: “Identiteti kolektiv, është një kusht për llogaritjen e kostove dhe përfitimeve të veprimeve kolektive”. Me fjalë të tjera: ajo që duhet të kenë gjithë politikat është një armik – një ndjenjë e “ne kundër atyre”.
Ashtu si në periudhat e mëparshme, kur kanë lulëzuar ideologjitë nacionaliste, dëshira për ndryshim, është më e përhapur dhe më e theksuar në momentet e krizave ekonomike, të cilat sigurojnë nxitjen për lindjen e një shkëndije populiste. Epoka jonë aktuale politike, është përshkruar si epoka e politikës së identitetit.
Pra, me rënien e ideologjive të shekullit XX-të, politika i është rikthyer përkatësisë dhe shprehjes komplekse të identiteteve – etnike, gjinore dhe seksuale – si kufijtë e rinj të mosmarrëveshjeve dhe njohjes. Por, populizmi i ri kombëtar është gjithashtu një formë e politikës së identitetit.
Në një plan afatgjatë, progresistët do të duhet të shkruajnë alternativat e tyre reale në një lloj narrative që apelon ndaj një publiku të gjerë. Por, për momentin, ata duhet të kuptojnë se çfarë u ofron njerëzve populizmi nacionalist.
Denonconi gënjeshtrat e populistëve. Madje me zë të lartë. Ofroni një identitet alternativ, dhe ekspozojini nën një dritë negative populistët. Ata duhet të dalin para publikut si mashtrues dhe oportunistë të paskrupullt. Dhe ky është një qëllim i arritshëm.
Pranoni argumentet e populistëve, aty ku ata kanë të drejtë. Nuk është faji i viktimave të globalizimit, por i një modeli të veçantë të kapitalizmit të liberalizuar, dhe i kufizimeve të modelit tonë ekonomik. Në këtë mënyrë, i zhgënjyeri mund ta shndërrojë zemërimi e tij në një mobilizim kolektiv për mirë.
Ata luajnë pisët, këtë bëni edhe ju. Mos kini frikë të përdorni gjuhën dhe gjestet ekstreme. Dhe së fundmi, progresistët duhet të punojnë për të ndërtuar ideologjinë e tyre të re.
*Shënim: Damian Tambini, është profesor i asociuar në Shkollën Ekonomike të Londrës
Përktheu për Tirana Today, Alket Goce