Për të shkak të refuzimit të qeverisë serbe për bashkëpunim dhe indiferencës së autoriteteve kosovare, rreth 300 milionë euro kursime të shtetasve të Kosovës në bankat e Serbisë mund të humbasin.
Duke iu referuar aktvendimit të Gjykatës së Strasburgut, Serbia ka për detyrë t’u kthejë qytetarëve të Kosovës rreth 300 milionë euro. Por, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, shteti i Serbisë dhe Banka Qendrore serbe po refuzojnë që të bashkëpunojnë.
Në një prononcim për “lajmi.net”, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti deklaroi se guvernatori Mehmeti ka adresuar një shkresë zyrtare tek guvernatorja e Bankës së Serbisë.
“Ju njoftoj se pas kërkesës nga Avokati i Popullit, me datë 17 shtator 2019, Guvernatori Mehmeti ka adresuar një shkresë zyrtare tek Guvernatorja e Bankës së Serbisë, me ç’rast janë kërkuar informata të hollësishme rreth kësaj çështjeje, mirëpo ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
Nga ajo që mund të shihet, mund të themi se Banka e Serbisë dhe shteti serb po refuzon të bashkëpunoj në një çështje që ka të bëjë me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në takime të ndryshme që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar zbatimin e të drejtave të qytetarëve tanë”.
Më 25 korrik të këtij viti, Avokati i Popullit iu është drejtuar institucioneve të Kosovës për këtë çështje, ku propozonte themelimin e një zyre për qytetarët ku do të mund t’i dorëzonin dëshmitë që kanë në lidhje me kursimet e tyre. Mirëpo kjo zyrë nuk është hapur ende.
Kontributet e pensionistëve kosovarë që kanë punuar para luftës në Kosovë kanë mbetur në Serbi.
Po ashtu, lajmi.net i ka dërguar disa pyetje Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të kuptuar se kur do të hapet kjo zyre. Dhe përgjigjja e tyre ka qenë se nuk është nën kompetencat e tyre.
“Pyetja e parashtruar nuk ka te beje me autoritetin e MPMS-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MMPS-së.