Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e sanitarës Tire Alldervishi, e cila kishte marrë para nga disa familjarë të pacientëve me COVID-19 duke u hequr si infermiere.
Hetuesit kanë hyrë në celularin e Alldervishit duke zbuluar edhe biseda të tjera që ajo bënte më të afërmit e pacientëve që ishin shtruar pas infektimit me COVID-19.
Në biseda, ajo fliste hapur për “pazarin” e saj duke u konfirmuar edhe gjendjen e të afërmëve të tyre.
Për të vërtetuar se bisedat janë reale, prokurorët kanë nisur që të verifikojnë me radhë të gjithë personat që ka ka kontaktuar 52-vjeçarja për të vërtetuar denoncimin e vajzës që dha 8 mijë euro që ajo të kujdesej për të ëmën, e cila në fund ndërroi jetë.
Përveç bisedës me familjarët, bie në sy se sanitarja ka komunikuar edhe me mjekët dhe infermierët e spitalit për gjendjen e pacientëve, megjithatë pritet të mësohet nëse ata kanë informacion lidhur me bëmat e saj.
Ajo u denoncua pak muaj më parë në media, nga vajza e një pacienteje të sëmurë që humbi jetën nga Covid, që i kishte marrë sanitarja 8 mijë euro.