Pas skandalit me firmën ‘DH Albania’, mësohet se ka dhënë dorëheqjen Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci. Në vendin e tij, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka propozuar Skerdi Drenovën. Vendimi për emrin e ri të drejtuesit të institucionit pritet që të merret nga Bordi i OST-së. Skerdi Drenova më parë ka mbajtur postin e drejtorit të INUV-it në Tiranë.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Gradeci thotë se ky vendim vjen për arsye personale.
LETRA
Drejtuar: Z.Pajtim Bello, Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të OSHT SHA
I nderuar Z.Kryetar,
Unë i nënshkruari Klodian Gradeci, që nga data 21.09.2017 mbaj detyrën e Administratorit të OST sh.a.
Nëpërmjet kësaj kërkese, po ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga ky funksion që unë mbaj pranë shoqërisë “OST” sha, për arsye personale, duke filluar nga dt.21.01.2019.
Gjatë kësaj periudhe që kam punuar pranë shoqërisë, kam pasur mundësinë që të kontribuoja sado pak në ngritjen e saj, duke punuar me një staf të përkushtuar dhe bashkëpunues, ku së bashku kemi arritur rezultate mjaft të mira për shoqërinë.
Duke ju falënderuar paraprakisht Juve dhe stafin e OST sha.