Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka paralajmëruar sot në mbledhjen e grupit parlamentar, publikimin e disa skandaleve të reja që do të prekin qeverinë Rama. Kryedemokrati tha se ka një tender të marrë nga ana e një kompanie kroate, në shkelje me ligjin, vetëm për shkak të lidhjes me Olsi Ramën.
“Ka një kompani kroate që ka marrë tender kundër ligjit. Për shkak se është e lidhur me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën. Kjo kompani e fitoi garën në kufijtë e shifrës limit të tenderit.
Kjo është një aferë e re korruptive e qeverisë. Një tender prej 15 milionë eurosh dhënë një kompanie kroate, tender që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin.
Sot, paralajmërimi ynë është bërë realitet. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh, në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret”.
Basha ka thënë se kjo aferë ka patur edhe përfshirjen e një ish-zyrtarje kroate në vendin tonë.