Vajza që tronditi opinionin publik dhe politikën, Xhisiela Maloku, nisur nga kritikat e shumta, ka thënë se ajo do të marë përgjegjësinë e plotë për çfarë ka deklaruar më herët. Në kundërpërgjigje të gjithë atyre që shprehën mllefin ndaj saj, ajo thotë se do të përballet me ligjin. “Jam gati të përballem me ligjin për dëshmitë e mia të rreme në Prokurori”, ka thënë ajo, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. 25-vjeçarja ka shtuar se gjendja e saj psikologjike është rënduar akoma më shumë, me arrestimin e djalit të deputetit Rrahman Rraja, që sipas provave të mbledhura nga organi i akuzës, ka ushtruar dhunë ndaj vajzës.
Ajo i ka mëshuar fort faktit se nuk është përdhunuar, përkundër zërave që qarkullojnë. Në një rrëfim për psikologen Ervisa Lula, 25-vjeçarja thotë se nuk është dhunuar apo përdhunuar, ndryshe nga ajo që deklaroi ish-nënkomisari Emiljano Nuhu, i cili në një intervistë për mediat tregoi gjithë ngjarjen që zanafillën e ka në muajin korrik të këtij viti. E reja i drejtohet të gjithë mediave që të mos ndërhyjnë, pasi kjo çështje i takon Prokurorisë.
Apel ndaj medias
“Në radhë të parë i bëj thirrje të gjitha mediave mos të merren më me mua, kjo çështje tashmë i takon Prokurorisë! Gjithashtu i lutem dhe politikes, të na mbaje jashtë kësaj çështje, si mua dhe Rexhepin, sepse policia ka bërë detyrën e saj kur unë e bëra kallëzimin. E bëra sepse ndodhi një zënkë mes nesh nga inati dhe xhelozia arrita deri aty, por kjo s’ka të bëjë me politikën.
Këto janë gjërat tona personale, nëse doni të bëni politikë, hajde merruni me deputetin në fjalë, me Z. Rrahman Rraja, por duke pasur parasysh që ai është një njeri i drejtë, po merren ça bën djali i tij që tashmë është 24-vjeç, duke më përdorur dhe mua. Ju lutem mjafttt! Gjendja ime psikologjike është rënduar akoma më shumë me arrestimin e Rexhepit, duke e ditur si është e vërteta dhe që unë nuk jam dhunuar apo përdhunuar siç është shprehur Emiljano Nuhu, kjo gjë më bën të ndihem keq!
Uroj që çdo gjë të shkoj në vend, dhe unë jam e gatshme të përballem me Prokurorinë për dëshmitë e mia! Sepse herën e fundit kur jam thirrur në Prokurori, kam pasur një keqkuptim kur më është bërë pyetja po për dhunën a e pranon? Kam thënë s’jam gati të flas për këtë, por ato e kanë marrë që unë e pranoj. Pikërisht aty ka qenë momenti që unë të tregoja të vërteten, por kam qenë e paqartë!”.
Xhisiela Maloku hedh poshtë dhe pretendimet për kërcënime, pas dy intervistave që ajo dha në “Top Channel” dhe “Tv Klan”. Po kështu, 25-vjeçarja kërkon që të mos e paragjykojnë për jetën e saj.
“Ju lutem mos më gjykoni për jetën time, se dëgjoj pafund që thonë: Ku e ke marrë këtë, ku e ke marrë atë? Duke filluar nga atletet, rrobat, gjërat më personale të mijat. Mos paragjykoni kur nuk dini asgjë!”.