Ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka bërë një “skaner” të hollësishëm për tre kandidatet për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë të zgjeruar për “JavaNews” lidhur me këtë çështje, Xhafaj ka vlerësuar tre kandidaturat e paraqitura në Komisionin e Ligjeve ku ka nxjerrë në pah përgatitjen profesionale, edukimin dhe integritetin.
Teksa ka analizuar zhvillimet gjatë seancës dëgjimore në komision, Xhafaj ka zgjedhur t’i konsiderojë si sjellje tendecioze, mes pyetjesh të bazuara mbi spekulime mediatike dhe jo njohje të ligjit apo dosjeve konkrete.
Ndërkohë, ai vlerëson pozitive punën e KED, por shpreh edhe rezerva për disa nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), ku ndër të tjera gjykon se në disa raste ata kanë vepruar me standarde të dyfishta duke vendosur në parim të punës së tyre raportet shoqërore dhe jo ato meritokratike.
Nga ana tjetër, deputeti Xhafaj ka një paralajmërim edhe për atë çka mund të ndodhë nëse kreu i shtetit Ilir Meta do t’i kthejë listën e dytë KED-së, duke i kërkuar rivendosjen në afat për shkak se duhet të shprehet fillimisht Kuvendi.
Xhafaj, së fundmi Komisioni i Ligjeve zhvilloi seancën dëgjimore me tre kandidatet për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. A keni një vlerësim tuajin rreth tyre?
Ishte një seancë me interes të lartë publik, kryesisht për shkak të pritshmërisë së madhe që ka në çdo rast ky proces, aq më tepër në këto momente emergjence për krijimin dhe formatimin e trupës së Gjykatës Kushtetuese. Të tre kandidatët që u dëgjuan, bënë një prezantim të shkëlqyer dhe me një maturi për t’u vlerësuar, duke u përballur në disa raste edhe me pyetje të pa matura nga individë që në mungesë të njohjes së çështjes, kishin sjellë në Komisionin e Ligjeve thashetheme gazetash. Personalisht më lanë një ndjesi shumë të mirë jetëshkrimet e secilit kandidat. Ishin jo thjesht të plota në çdo detaj, por edhe ndër më të mirat që kemi shqyrtuar në komision. Kur shoh se çfarë përfaqësojnë ato tre zonja për integritetin, aftësitë profesionale dhe përvojën që gëzojnë në fushën ku duhet të shërbejnë, duke marrë në konsideratë edhe moshën relativisht të re, mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Nëse do t’i krahasojmë CV-të e tyre me ato të ndonjë prej ish-anëtarëve të Kushtetueses, mund të themi me bindje se në këtë rast ja ka vlejtur plotësisht reforma që kemi implementuar. Besoj fort se nëse ato do të përzgjidhen, do t’i japin një vlerë të re atij institucioni në shumë këndvështrime.
Në një moment ju pamë që reaguat ashpër gjatë pyetjeve të kolegëve në seancën dëgjimore. Pse ishte ai lloj reagimi?
Nuk mund ta quajmë reagim të ashpër, por një qëndrim normal i cili nuk lidhej aspak me individët që adresuan pyetje. Gjithçka erdhi si reaksion nga disa pyetje jo serioze të ricikluara mbi thashetheme portalesh dhe jo mbi njohje të thelluar të dosjeve të dokumenteve voluminoze që janë depozituar në komision, apo edhe vetë parashikimeve të Kushtetutës e ligjit përkatës. Për të qenë i drejtpërdrejtë me ju, isha përgatitur të ngrija një pyetje të përbashkët për të tre kandidatet dhe nga një pyetje për secilën prej tyre. Ndërkohë, kur pashë nivelin e reagimit të disa prej anëtarëve të komisionit, aty vendosa të heq dorë.
Një ndër pyetjet e bëra nga një prej deputetëve, lidhej pikërisht me pikët e marra nga kandidatet në provimin e kryer në Shkollën e Magjistraturës. Pse duhet të ngjallej debat?
Në vlerësimin tim ishte një pyetje provokuese e cila duhet thënë se nuk mund të rrjedhë veç nga mosnjohja e procesit apo nga mungesa e kulturës juridike. Edhe pse kandidatet e sqaruan shumë qartë me përgjigjet e dhëna, përsëritja e pyetjes dëshmonte haptas qëllimin tendencioz e paragjykues. Është spekuluar se dy nga kandidatet e miratuara nga KED nuk kanë kaluar vlerësimin elektronik me metodën “Scan Tron” për hyrjen në Shkollën e Magjistraturës. Nuk besoj se ka ndonjë dilemë për të kuptuar që ky është një trill i qëllimshëm për të cenuar procesin.
Po atëherë ?
Testimi profesional për dy kandidatet si subjekte të rivlerësimit “ex officio”, nuk është një proces i kryer me qëllimin për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, por është një prej indikatorëve që analizohet së bashku me relacionet apo mendimet ligjore të përgatitura në punën e tyre si këshilltare ligjore për efekt të vlerësimit kalimtar nga organet e vettingut. Për rrjedhojë edhe testimi i kryer në këtë rast nga Shkolla e Magjistraturës për këto subjekte, nuk barazohet me testimin e kandidatëve për magjistratë. Përveç kësaj, metoda e kontrollit me “Scan Tron” ka qenë njëra nga fazat e vlerësimit të kryer për të dy kandidatet, të cilat në vlerësimin e përgjithshëm të të gjithë kandidatëve, siç rezulton nga dokumentacioni i depozituar në Kuvend, janë renditur ndër vendet e para dhe me një rezultat shumë pozitiv. Për më tepër, ky lloj vlerësimi i konfirmuar edhe nga organet e vettingut, është vetëm një prej elementëve të vlerësimit të anës profesionale, pasi vlerësimi i kryer për të gjykuar përmbushjen e kriterit profesional të kandidatëve për anëtar në Gjykatën Kushtetuese, ka qenë një proces shumë më kompleks dhe me disa elemente vlerësimi. Ashtu siç rezulton nga dosja e administruar në komision, kandidatet janë vlerësuar maksimalisht krahasuar me të gjithë kandidatët e tjerë.
Ju përmendët edhe CV…
Po, do të mjaftonin edhe vetëm CV-të e tyre të pasura dhe përvoja e krijuar në vite si këshilltarë me shumë përvojë në Gjykatën Kushtetuese apo mësimdhënie në këto disiplina, për të bindur lehtësisht cilindo që ato e meritojnë plotësisht përzgjedhjen në këtë funksion kushtetues. Dua ta ritheksoj bindshëm se emrat që u prezantuan në komision janë, ndër më të mirët nga cilësitë profesionale dhe integriteti, mes të gjithë kandidatëve të përzgjedhur nga KED. Këtë konstatim e kam ndeshur lehtësisht këto ditë edhe në vlerësimet e shumë profesionistëve të fushës.
Kam parë relacionin e prezantuar në komision lidhur me kandidatët si dhe dekretin e z.Ilir Meta. Në to nuk del e qartë kohëzgjatja e mandatit për secilin prej vakancave. Cili është këndvështrimi juaj për këtë?
Kushtetuta flet qartë për këtë rast. Konkretisht Neni 179 por edhe vetë ligji për Gjykatën Kushtetuese, janë mese të kuptueshëm në sanksionimin e konceptit kushtetues që lidhet me rotacionin e domosdoshëm një herë në tre vjet që kryhet për rifreskimin e një të tretës së trupës së GJ.K. Në këtë kuptim, Kushtetuta ka qenë e detyruar të parashikojë mandate të plota ashtu si edhe mandate të kufizuara ndër vite, në funksion të domosdoshmërisë së kryerjes së rotacionit në trupën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një kërkesë e kushtetutës dhe e ligjit, ndaj do duhej të jepej e qartë në vendimin e KED, për të vijuar me vendimmarrjen e Presidentit, të Kuvendit dhe më pas të Gjykatës së Lartë, duke specifikuar se cilin vend vakant plotëson çdo anëtar i ri, gjithashtu kohën përkatëse të qëndrimit në këtë detyrë. Nëse kjo nuk bëhet në këtë moment të emërimit, atëherë do të krijonte vështirësi në një moment të dytë siç edhe ka ndodhur në raste të mëparshme. Ndaj duhet reflektuar seriozisht në këtë moment nga organet e emërtesës.
Kushtetuta parashikon një afat 30 ditor për reagimin e institucioneve të emërtesës…
Sërish kjo është shumë e qartë. Neni 125/2 i Kushtetutës dhe neni 7/b dhe 7/c i ligjit të Gjykatës Kushtetuese nuk lenë asnjë hapësirë për interpretim të ndryshëm. Presidenti dhe Kuvendi kanë një afat 30 ditor për t’u shprehur. Nëse nuk shprehen brenda këtij afati, Kushtetuta dhe ligji e kanë dhënë edhe zgjidhjen. Automatikisht këto organe humbasin të drejtën e emërimit të kandidatit përkatës dhe fitues shpallet kandidati i renditur i pari në listën e KED.
A mund ta bëjmë më të qartë në rastin konkret ?
Në rastin konkret, KED më 8 tetor i ka drejtuar presidentit të Republikës dy lista me kandidatë për dy vendet vakante që janë për t’u plotësuar prej tij. Më 16 tetor, presidenti ka dekretuar z.Besnik Muçi si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ende nuk është shprehur për kandidatin e radhës të listës tjetër. Gjithsesi, presidenti ka afat deri më datë 7 nëntor. Nëse nuk shprehet deri atëherë, ai humbet të drejtën e tij dhe kandidati i renditur i pari në listën e miratuar nga KED, më 8 nëntor automatikisht konsiderohet i emëruar anëtar i Kushtetueses. Lista e KED që e ka renditur të parin, është në të njëjtën kohë edhe vendimi i emërimit të anëtarit të Kushtetueses. Gjithashtu KED më 14 tetor i ka dërguar Kuvendit dy listat e kandidatëve për vendet vakante që duhet të shprehet për emërimin e dy anëtarëve të rinj të GJ.K. Përmes seancës dëgjimore të Komisionit të Ligjeve, Kuvendi e ka filluar këtë proces dhe ka detyrimin ta përmbyllë me votim në seancë plenare jo më vonë se 30 ditë nga dërgimi i listës. Nëse arrin të votojë me 3/5, kandidatët respektiv shpallen fitues. Nëse ky kuorum nuk arrihet ose nëse Kuvendi nuk shprehet brenda këtij afati, ai humbet të drejtën e zgjedhjes dhe automatikisht shpallen fitues dy kandidatët e renditur të parët nga KED në listat përkatëse.
Në media është përcjellë një lajm me burime nga stafi i Presidencës, ku thuhet se kreu i shtetit do t’i kthejë listën e dytë KED-së duke i kërkuar rivendosjen në afat për shkak se duhet të shprehet fillimisht Kuvendi. Keni një reagim për këtë?
E kam ndjekur këtë informacion në media dhe uroj të mos jetë i vërtetë pasi presidenti do të shkelte hapur nenin 124 të Kushtetutës dhe ligjin përkatës të Gjykatës Kushtetuese (nenin 7b, pika 4) në të cilën shprehet qartë detyrimi i organit për t’u shprehur brenda një afati 30 ditor. Ky detyrim mbizotëron mbi çdo interpretim tjetër. Parashikimi i radhës së ndjekjes në Kushtetutë për secilin organ, fillimisht ka si qëllim përcaktimin e vendit vakant që do të zëvendësohet prej tij, me qëllim ruajtjen në vijimësi të radhës së emërimeve për realizimin e rotacionit të rregullt. Përderisa është përcaktuar qartazi në Kushtetutë, specifikisht vendi vakant që do të zëvendësohet nga ana e secilit organ, e rëndësishme mbetet përmbushja e vullnetit respektivisht prej tyre brenda afatit 30 ditor.
Z.Xhafaj, në të tilla kushte mund të kemi një konflikt të ri President – Kuvend ?
Uroj që të mos ndodh pasi do të ishte e pakuptimtë. Në vlerësimin tim Kushtetuta është e qartë dhe nuk ka vend për interpretime të ndryshme. Shpresoj që të sillen në mënyrë të përgjegjshme me Kushtetutën dhe ligjin. Ndryshe, nuk kanë qëllim krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese por pengimin e saj. Gjithsesi, në këtë rast KED ka përgjegjësinë dhe mundësinë të reagojë në kohë për të zbatuar pa hezitim Kushtetutën e ligjin në fuqi.
Keni ju besim të KED aktuale ?
Besoj te Kushtetuta dhe ligji, të cilat në këtë rast janë shumë të qarta. Besoj edhe te përgjegjësia ligjore dhe publike e institucioneve. Anëtarët e atij organi janë gjyqtarë e prokurorë që kanë aftësinë si dhe përgjegjsinë për kuptimin dhe zbatimin e drejtë të normave përkatëse kushtetuese e ligjore. Shpresoj të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur. Të jem i sinqertë kam pak rezerva për punën e kryer nga KED gjatë kësaj periudhe dhe veçanërisht për disa nga anëtarët e tij. Në vlerësimin tim, nga çfarë kam konstatuar për aq sa është bërë publike, disa anëtarë të KED nuk kanë dëshmuar përgjegjshmëri dhe paanësi në qëndrimet dhe vendimmarrjet përkatëse lidhur me procesin e vlerësimit të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Përjashtimet nga gara për disa kandidatë, duhet thënë se s’kanë qenë bindëse dhe me vendimmarrje shumë të diskutueshme. Në disa nga vlerësimet e bëra prej tyre, konstatoj qëndrime klienteliste dhe të paragjykuara për shkak të raporteve personale dhe në ndonjë rast edhe qëndrime me dy standarde.
A keni ndonjë shembull për këtë ?
Për arsye formale, krejt të evitueshme me një vullnet më të mirë në interes të cilësisë së përbërjes së institucioneve të reja, janë lënë jashtë gare disa emra të njohur, si psh.z. Kristaq Traja, një nga juristët më të aftë që ne kemi në fushën e së drejtës kushtetuese. Ndërkohë janë përzgjedhur e janë përfshirë në lista edhe kandidatë që nuk përmbushin kushtet ligjore apo kriteret e integritetit moral e ato profesionale.
Gjithashtu mendoj se KED do të duhej të kishte treguar më shumë përgjegjshmëri ndaj detyrës në këto momente kritike të formatimit të institucioneve të reja si GJK dhe ILD, duke përdorur më mirë kohën pasi e zgjati shumë procesin e vlerësimit duke e çuar në limit kohor plotësimin e vakancave për GJK dhe ILD. Kjo kërkonte një menaxhim më efiçent të veprimtarisë së organit, por edhe më shumë transparencë publike. Shpresoj që drejtuesit dhe anëtarët e KED ekzistuese të bëjnë reflektimet e duhura për të mos e rrezikuar përmbushjen e detyrës së tyre brenda këtij mandati të organit në detyrë.
Po më duhet të pohoj edhe një të vërtetë të madhe, që meriton të njihet, të vlerësohet dhe respektohet nga të gjithë. Përtej këtyre problematikave, përgjithësisht dhe sidomos në rastin e vlerësimit të procesit për Gjykatën Kushtetuese, KED ka përballuar një punë shumë voluminoze dhe me kurajo duke marrë në konsideratë edhe faktin se ishte praktika e parë e trajtuar nga ky organ i ri i sistemit pas dështimit të KED-ve të mëparshme dhe e zhvilluar nën presionin e kohës së kufizuar dhe pritshmërisë së lartë, por edhe nën një presion politik destruktiv nga opozita.
Një vlerësim për ecurinë e reformës në drejtësi a mund ta kemi ?
Le të mbetemi te kërkesa për të cilën u dakordësuam për këtë intervistë. Shumë shpejt do flasim gjerësisht edhe për këtë çështje.
Po mbushet një vit nga largimi juaj si ministër i Brendshëm. A keni diçka për të shprehur tashmë pas një viti?
Po kam, jo një por shumë. Është e natyrshme pasi gjatë gjithë kësaj periudhe siç e dini rreth meje janë thënë, aluduar apo fantazuar lajme të cilat kanë kapërcyer çdo horizont të së vërtetës. Kjo besoj se e meriton një intervistë të posaçme edhe për shkak të problematikës që prek./JavaNews