Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ftuar në “Tonight Ilva Tare” paralajmëroi një operacion të madh kundër pasurive të vëna në mënyrë kriminale.
Ju vura re sot që ju dorëzuat rrjeteve sociale dhe hapët një llogari në Twitter?
Po, e vërtetë është. Nuk kam pasur kurrë llogari të kësaj natyre – qoftë në Tëitter, qoftë në Facebook. Por me sa pashë nuk rezistoja dot më. Dhe jam i detyruar që për efekt dhe të komunikimit, transparencës me publikun, ta bëja këtë hap.
Dhe si ishte eksperienca?
Ishte një impresion interesant. Sa të mësohem.
Do ju shohim më shumë prezent në Twitter apo në media? Keni bërë një zgjedhje të strategjisë së komunikimit si Ministër i Brendshëm?
Jo. Do të vazhdoj të qëndroj pak në media por shumë në komunikim me publikun. Kështu që Tëitter do jetë një mundësi për të bërë një transparencë shumë më të shpejtë në raport me publikun por dhe me partnerët. Dhe kjo është shumë e rëndësishme gjithashtu. Sepse pata rastin, me një homologun tim gjatë verës, të bisedoja për çështje që kishin të bënin me funksionin, detyrën, përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm. Dhe një nga gjërat që pyeti ishte nëse kisha apo jo komunikim përmes Tëitter apo Facebook-ut. Dhe një nga këshillat që më dha ishte pikërisht domosdoshmëria për ta pasur. Por dua të qëndroj deri këtu, jo më shumë.
Do ju mjaftojnë 140 gërma për të përcjellë mesazhin që keni për punën e Policisë?
Po besoj se nuk është e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët, e më pas edhe me struktura dhe me partnerët. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë gjë, nëse dëshiron të jesh sa më transparent. Sepse transparenca natyrisht është një element në dobi të efikasitetit dhe rezultatit, mendoj unë.
Ministri Xhafaj, kam shumë pyetje dhe nuk do ndalem gjatë tek Twitter-i. Pyetja e fundit lidhur me të. Ishte një përgjigje dhe për akuzat e Opozitës sot ky reagimi në Twitter, apo nuk ishte aq? Ngaqë i falenderuat “të gjithë për mbështetjen, po nisim një punë frytdhënëse në zbatim të ligjit”. Mos ishte një mënyrë elegante për t’iu përgjigjur dhe opozitës?
Jo. Opozita të them të drejtën (ose disa individë prej saj) më kanë bërë reklamë falas. Që të jem i sinqertë. Unë nuk kam marrë kurrë kaq shumë mesazhe. Dhe ka një përkim të çuditshëm. Edhe gjatë kohës që ishte reforma në drejtësi, edhe në mars, edhe tani, në momentet që më kanë sulmuar më shumë, unë marr më shumë telefonata dhe mesazhe se asnjëherë tjetër. Nuk e di pse ndodh kjo – dhe do t’i kërkoj dikujt ta studiojë sinqerisht. Por është momenti kur kam mesazhe dhe telefonata pa fund.
Po çfarë ju thonë?
Fatmir Xhafaj: Janë mesazhe mbështetëse. Sidomos kur ka qenë reforma në drejtësi, kanë qenë të jashtëzakonshme. Madje shpeshherë iu kam thënë kolegëve të mi që sikur t’i mblidhja të gjithë mesazhet që kam ruajtur nga njerëzit e të bëja një libër, do ishte shumë interesante. I kam ruajtur këto të njerëzve të thjeshtë. Janë shumë interesante, mbresëlënëse, por mund të nxjerrësh dhe shumë mësime.
Megjithatë besoj është ende herët për të folur për kujtime tuaja. Keni 4 vite mandat përpara.
Pa dyshim. As nuk jam viktimë e kujtimeve. Por për sa i përket të qenit korrekt për Reformën në Drejtësi, po mendoj diçka. E kam gati diçka. E kam një lloj detyrimi për ta botuar. Jo më shumë ndaj vetes, se sa ndaj atyre njerëzve që kanë kontribuar dhe kanë lënë shenjë në këtë proces. Në mënyrë të veçantë grupit të bashkëpunëtorëve, njerëzve në shoqërinë civile, media dhe patrnerëve
Do jetë një rrëfim personal si e keni përjetuar ju atë betejë të Reformës në Drejtësi, apo një përmbledhje e të gjithë punës?
Do jetë diçka mikse. Dhe dikush që kam pasur mundësinë t’ua tregoj – më saktë pjesëtarëve të familjes dhe dy-tre bashkëpunëtorëve të mi – e kanë konsideruar një gjetje interesante. Nuk e di a do kem kohë për ta përfunduar apo jo, ky është realisht problem.
Katër muaj shkëputje nga Ministria e Brendshme. Ndiheni sikur kanë lëvizur pak gjërat, ju kanë dalë nga kontrolli, apo është gjithçka e rimarrë shpejt?
Jo. Sepse nuk e shoh si çështje kontrolli. E shikoj si çështje drejtimi, udhëheqjeje dhe ushtrimi të përgjegjësisë. Për aq kohë sa unë e kisha atë detyrë, ushtrova përgjegjësinë politike, kushtetuese dhe institucionale. Në kohën që nuk e kisha thjesht më mbetej për ta vëzhguar nga larg dhe natyrisht sot jam rikthyer me të gjithë përgjegjësitë e mia për ta përmbushur më së miri.
Ministër Xhafaj, a keni një objektiv madhor kryesor gjatë këtij mandati si Ministër i Brendshëm?
Një objektiv… natyrisht, nëse do ta përmblidhja në një fjali, do ta fokusoja te një moto, zbatim i fortë i ligjit dhe shërbim ndaj qytetarit. Kurse përtej kësaj më duhet të them se kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe me bashkëpunëtorët e mi, edhe me shumë ekspertë për përgatitjen e një dokumenti politik në të cilin janë mirëpërcaktuar qartë 10 prioritete kyçe ku do të fokusohet drejtimi i punës sime në udhëheqje të Ministrisë së Brendshme në ushtrim të përgjegjësive të mia kushtetuese dhe ligjore.
Ka qenë një dokument politik, thatë?
Dokument politikash lidhur me prioritetet, objektivat dhe masat ku do të fokusohet puna në vazhdim. Për të shkuar deri te ky dokument i cili sot mund të konsideroj që është një draft që është formësuar qartë, është i konturuar mirë, por është ende në proces për t’u bashkëshoqëruar me një plan-veprimi që do të përcaktojë masat dhe veprimet konkrete, indikatorët matës të rezultatit, përgjegjësitë, afatet kohore dhe pritshmëritë rreth tyre.
Në funksion të saj, nuk ka qenë një punë e lehtë, dua të them diçka që nuk ka qenë shumë publike, kam punuar shumë jashtë vëmendjes së kamerave, kontakteve me median. Kemi pasur shumë takime, disa takime, me prokurorë, të cilët i kam ftuar që të japin përshtypjet, komentet, vlerësimet e tyre, propozimet, sugjerimet ku ata mendojnë se duhet të përmirësohet puna e policisë; me punonjës të policisë të strukturave dhe niveleve të ndryshme, të eksperiencave të ndryshme, të moshave të ndryshme; me aktorë të shoqërisë civile që janë të fokusuar në veprimtarinë e organizatave të tyre në çështje të rendit dhe sigurisë; me gazetarë të kronikës dhe gazetarë investigativë dhe pa dyshim, me partnerët. Kemi punuar ngushtësisht me partnerët. Jam shumë i lumtur për faktin se kam marrë prej tyre kontribute të drejtpërdrejta për dokumentin dhe e shoqëruar kjo edhe me mbështetje konkrete për mënyrën se si do t’i qasemi bashkarisht disa çështjeve themelore që ka ky dokument.
Kur do të bëhet publike?
Dokumenti siç thashë, do të bëj një rikalim gjatë kësaj jave dhe javës që vjen përsëri te partnerët, për shkak se ka një gjë shumë pozitive që jo vetëm përfaqësuesit e tyre këtu në Tiranë, por ata kanë kërkuar që edhe zyrat qëndrore të tyre, nga ata vijnë, të shprehen rreth këtij dokumenti pasi e konsiderojnë një gjë vërtet të dobishme, edhe në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh apo shumëpalësh dhe besoj që brenda harkut të 2 javëve do të jetë një dokument që do të prezantohet në publik dhe ndoshta do të shënojë fillimin e një sërë veprimesh konkrete të rëndësishme në detyrën time si ministër, por edhe të ekipit që do të punojë me mua gjatë kësaj kohe.
A do t’i prekim disa nga këto prioritete besoj sot, apo janë ekskluzive e janë sekrete ende deri sa të bëhen publike?
Për aq sa do të mundem, patjetër…
MInistër Xhafaj, ju thatë që keni marrë mbështetje sidomos kur ju ka sulmuar opozita. Por në fakt ju dhe miku juaj Gramoz Ruçi keni qenë më të sulmuarit nga opozita veçanërisht gjatë debatit që u bë për miratimin e qeverisë? A keni një shpjegim, pse ky sulm kundër jush?
Jo nuk është hera e parë, kështu sulmet më të mëdha realisht kanë qenë realisht në periudhën kur filloi të formësohet reforma në drejtësi, ato kanë qenë sulmet më të egra, të dukshme dhe të padukshme. Ka qenë një bashkim i disa grupeve e interesave politike, njerëzve që vinin nga sistemi dhe njerëz të biznesit të cilët janë bashkuar bashkë për të sulmuar politikisht, por edhe për të ushtruar një lloj presioni në të gjithë atë ndërmarrje të jashtëzakonshme.
I keni kategorizuar si sulme politike dhe nuk ndiheni i prekur nga to, ne lidhje me të shkuarën tuaj politike?
Absolutisht, absolutisht nuk kam asnjë gjë që të më provokoj. Natyrisht kur ndeshesh me qëndrime apo reagime të kësaj natyre, janë më shumë të karakterit personal sesa të nevojës për të debatuar apo për t’u ballafaquar apo për t’u përplasur. Pikëpamje të ndryshme; nuk ndjehesh mirë, por në fund të fundit ky është një realitet i hidhur i shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë i politikës shqiptare, akoma në mënyrë më specifike i disa njerëzve që e kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre mbi prodhimin, hedhjen dhe shpërndarjen e baltës për cilindo dhe ngado.
A mund ta ndani me teleshikuesit e kësaj studioje se cila ka qenë e shkuara juaj në periudhën e komunizmit? E di që janë shumë, por nëse mund ta përmblidhni.
Jo. Jo.
Është me interes publik.
Nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Të kuptohemi, kur është ndryshuar sistemi unë kam qenë vetëm 30 vjeç. Kam mbaruar Juridikun në vitin `82.
Kam punuar për disa kohë jurist, ndihmës-këshilltar ligjor, gjyqtar. Dhe pastaj kam punuar, për pak kohë, gati një vit e pak hetues, por jo hetues në Ministrinë e Brendshme, siç mundohen ta paraqesin. Kur në momentin, – për të gjithë ata që nuk e njohin, -që hetuesia ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra pranë Prokurorisë. Ashtu siç do të konsiderohen sot, e thënë në terminologji, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të jenë pranë SPAK-ut. E di që ka pasur disa akuza lidhur me, nëse kam marrë pjesë, kam hetuar apo gjykuar çështje të karakterit politik. E kam dhënë një përgjigje publike. ju zakonisht i kërkoni këto për herë të dytë, për herë të tretë. Por meqë më pyetët, po them në mënyrë kategorike, në mënyrë kategorike, në asnjë rast nuk kam hetuar apo gjykuar një çështje të karakterit, të natyrës politike. Në mënyrë kategorike. Për këtë jam shumë, shumë, shumë i qetë dhe i qartë. Edhe vetë koha ka qenë shumë e shkurtër, edhe si gjyqtar, edhe si prokuror, edhe për detyrën e hetimit.. Por jam sot edhe i vetëdijshëm përse ka ndodhur gjithë kjo histori e sajuar. Ajo që është më e keqja është një histori e sajuar. Janë tentuar të korruptohen apo të shfrytëzojnë njerëz të caktuar thjesht dhe vetëm për të më sulmuar politikisht. Është shumë e turpshme, është shumë banale. Disa prej tyre më kanë shkruar. Janë ndjerë keq. Kanë shkruar drejtpërsëdrejti, por që janë përdoruar ata ose të afërmit e tyre. E di shumë mirë edhe nga ka ardhur gjithë kjo dhe kush është angazhuar për këtë gjë dhe çfarë kanë premtuar për ta bërë këtë gjë. Por kjo është shumë e parëndësishme. Është farë e parëndësishme.
Dua të them që unë si shumë njerëz, mund të ketë gjëra që kam bërë gabime në jetë, me gjithë këtë jetë të gjatë dhe jo pak të gjatë, por nuk ka asnjë gjë për të cilën të ndjehem keq. Përkundrazi nuk ka asnjë gjë që të më bëjë sot që të ndjehem keq. Jo thjesht dhe vetëm përpara qytetarëve, por edhe individit vetë. Se përsa i përket veprimeve politike…, këto budallallëqe që s’meritojnë më shumë se kaq.
Po kur shikoni foton tuaj afër ish-diktatorit Hoxha që publikohet herë pa here, ua riciklojnë edhe atë. Si ndjeheni?
Është thjesht një kujtim i së shkuarës.
Ju bezdis fakti që e publikojnë? Ju nuk jeni i vetmi, në fakt, që është aktualisht aktiv në politikë që ka foto me Enver Hoxhën.
Jo, jo fare. Bëjnë pjesë në arkivin e jetës time. Kaq, asgjë më shumë. Argëtohem ndonjëherë, rri dhe shikoj veten si kam qenë.
Nuk është e vetmja akuzë lidhja, angazhimi juaj në kohën e komunizmit. Edhe akuza personale ju kanë ardhur nga opozita që gjithashtu ju janë rikthyer shpesh herë në vëmendje, sidomos me vëllain tuaj. A keni ndonjë shpjegim pse rikthehen këto akuza dhe a keni menduar ndonjëherë ta çoni në organet e drejtësisë për t’i dhënë përfundimisht një përgjigje.
Kam 15 vite që merrem me këtë histori. Kam 15 vite që më mbajnë të njëjtin avaz. Është çështje e tyre, nuk është çështja ime. Unë kurrë në jetën time nuk jam marrë me familjarët e kurrkujt dhe as nuk kam ndërmend të merrem ta bëjë një gjë të tillë. Unë nuk jam këtu në politikë për tu marrë me familjarët e kundërshtarëve të mijë politikë. Unë jam këtu për të bërë detyrën time, për të shfaqur përgjegjësitë e mia dhe ata i shikoj si konkurrent dhe jo si armiq. Të jem i sinqertë, e kam thënë dhe nuk merrem më me këtë histori se është thjesht një histori përbaltje. Natyrisht kam një lloj keq ardhje për të sepse, kur shikoj nënën, kunatat, nipërit mbesat që cenohen nga e gjithë kjo që për shkak të qenies time në politikë apo për shkak rolit tim aktiv në politik, detyrohen që të mbajnë mbi vete disa sulme të tilla të egra të kësaj natyre që ja vështirësojnë jetën dhe ja bëjnë të pakuptimtë. Por gjithsesi është një kosto që duhet ta paguaj sa kohë që bashkëjetoj me këtë lloj politike që bëhet sot në Parlamentin shqiptar dhe në përgjithësi nga kundërshtarët politik. Natyrisht është edhe pak hipokrite e gjithë kjo histori, kur e shikoj këtë që sulmohem për të kaluarën time politike nga disa njerëz që kanë njolla të errëta pikërisht në të djeshmen e tyre dhe për më tepër kur shikoj sot që flasin për familjarët e mi, njerëz që do të duhet të flasin për përgjegjësitë e tyre, për krimet që kanë… për abuzimet që kanë bërë në raport me qytetarët e këtij vendi.
Ata mbase nuk kanë pse flasin. Duhet të flasin institucionet e shtetit shqiptar.
Ministri Xhafaj: Kjo do të duhej të ishte logjika dhe ajo që do të duhet të….. Shiko, Ministër i Brendshëm apo deputet jam bërë unë, nuk janë bërë familjarët e mi. Ajo që nuk arrijë të kuptojë ndonjëherë është, ku jam unë këtu? Që do të thotë: Do të duhej që ata të më vlerësonin mua për atë që bëj unë, për atë që shfaq unë, për përgjegjësitë e mia në raport me detyrën dhe ligjet e shtetit. Në fakt ndodh e kundërta. Nuk merren me mua, por merren me familjarët e mi. Nuk merren me mua dhe jam i bindur pse nuk merren me mua. Se nuk kanë çfarë të merren me mua. Dhe për këtë gjë jam shumë krenar në jetën time. Unë jam qenë disa herë funksionar i lartë zyrtar. Kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Kam qenë Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Kam qenë Ministër i Drejtësisë, jam aktualisht Ministër i Brendshëm dhe nuk ka një dritë hije në gjithë karrierën time në raport me përgjegjësitë e mia, politike kushtetuese dhe ligjore. Nuk gjendet qoftë një rast i vetëm që ta kem ngritur karrierën time apo të kem ushtruar detyrën time në shkelje të ligjit apo në çfarë do lloj abuzimi sa do të vogël, dhe për këtë gjë unë jam shumë krenar.
Pyetja e fundit për këtë pjesë, sepse dua të hyjë në çështjet e Ministrisë së Brendshme. Kur u dekretuat për herë të parë Ministër i Brendshëm, Presidenti i Republikës në atë kohë Bujar Nishani foli në konferencë dhe tha se të ishte për të nuk do të ishte dekretuar, por nuk ja lejonte kushtetuta ta bënte këtë. Si e vlerësoni këtë qëndrim?
Meqenëse më pyetët, unë dua të them që unë kam respekt për institucionet sepse jam vetë zyrtarë. E respektojë vetë detyrën dhe kam respekt për institucioni e Presidentit edhe kur në atë funksion ulen njerëz që nuk e meritojnë. Në atë rast, nuk besoj se ka folur Presidenti i Republikës, por ka folur ushtari politik Bujari. Mua nuk më intereson Bujari, më intereson Presidenti.
Kryeministri tha se do t’i shpallet luftë të fortëve me pasuri të pajustifikueshme.
Ka filluar diçka me “Vjeshtë 2017”, por nuk do të jetë asgjë përpara asaj që do të fillojmë. Do të jetë një operacion shumë i madh i mirëkonceptuar në luftën kundër krimit dhe evazionit fiskal dhe besoj se do të japë rezultate konkrete. Jam duke punuar me ekipin tim në Ministri. Jam duke punuar me ekspertë ndërkombëtarë që njohin praktikat e kësaj natyre. Kemi pasur dy ditë rresht diskutime. Bashkëpunëtorët e mi kanë marrë njohuri të qarta për ta rikonceptuar një ndërmarrje të tillë me fokus luftën kundër pasurive që rrjedhin nga burime të paligjshme. Ka një pjesë të pasurisë që është e lidhur drejtpërdrejt me emrat e tyre dhe një pjesë të ushtarëve të tyre. Ne duhet të godasin të dyja.
Është më e lehtë të shkojmë tek ushtari..
Jo nga ushtari, tek oficeri dhe tek eprori. Po flasim për pasuritë. Shpesh herë i kanë transferuar pasuritë tek njerëz të dytë dhe të tretë. Do ta justifikojnë edhe këta edhe këta. Po shohim me kujdes bazën ligjore dhe mënyrën se si do ta shohim këtë gjë. Nisur edhe nga rezultatet pozitive të policisë këto ditë do të kemi mundësi të organizojmë një operacion të koordinuar dhe rezultativ besoj.
Çfarë garancish jepni ju se do të luftoni edhe ata që kanë bashkëpunuar me Partinë Socialiste, pse jo me deputetë të PS.
Ata që merren me veprimtari kriminale nuk janë as të majtë dhe as të djathtë, janë thjeshtë shkelës të ligjit. Për mua këtu fillon dhe mbaron historia.
Dikush që i përket PS ka imunitet…
Keni ndonjë rast që unë mund të jem ndaluar nga fakti që jam ndaluar përpara politikanëve të së majtës…?
Pra jepni garanci se do të eliminohet?
Jap garanci se jam shumë i qartë dhe jam i vendosur të drejtojë gjithë punën e policisë për t’u përballur me grupet kriminale. Jam i vetëdijshëm se midis tyre ka prej atyre që janë të lidhur me politikën. Për mua nuk ka kriminelë të majtë dhe të djathtë.
Presioni është më i madh kur vjen nga shtëpia jote….
Isha. Le t’ia lëmë kohës.
Jeni përgatitur se do të keni shumë armiq?
Të mbrosh ligjin? Nuk më shqetëson fare. Mjafton të kesh miq njerëzit dhe kauzën.
Çfarë ndodh me pasuritë e sekuestruara?
Një pjesë e mirë nxirret në ankand dhe ka pasur problem në këtë proces për shkak të presionit. Mund t’i vëmë këto pasuri edhe në shërbim të strukturave të shtetit si në shëndetësi. Mund të kthehen shumë mirë në objekte sociale. Nuk kanë qenë të vogla këto pasuri. Nga janari deri në 31 gusht, nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë nxjerrë 3 vendime sekuestrimi, me llogari bankare 1 mln euro, 52 milion lekë të reja, sipërfaqe toke 28 mijë m2, apartamente, garazhe, etj. Ne jemi vend i vogël dhe duhet ta shohësh me kujdes si të reagosh. Për shembull marr mbrojtjen e dëshmitarëve. Ok në këmbim të gjithë kësaj, duhet të më jepni garancitë për mbrojtjen e dëshmitarëve. E kam vlerësuar këtë dhe e kam parë me seriozitet dhe do të kemi ndryshime edhe në këtë aspekt. Pra, se si mund të lidhim më mirë interesat tona me interesat e tyre.