Një atentat mafioz është kryer në qendër të qytetit të Elbasanit, ku i vrarë ka mbetur avokati Ravik Gurra. Autori i ngjarjes duket se e ka përndjekur dhe në momentin që i është afruar e ka qëlluar tre herë me pistoletë me silenciator. Gurra ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Autori është larguar me një automjet nga vendi i ngjarjes, të cilit raportohet se i është vënë flaka në dalje të Elbasanit, pranë ish-metalurgjikut.
Burime bëjnë me dije se policia po heton lidhur me dy pista deri më tani, lidhur me raportin e viktimës me fisin Çapja në Elbasan si dhe me atë të Emiliano Shullazit, pasi këtë të fundit e kishte përfaqësuar në gjyq. Gurra njihej në Elbasan si mik i fisit Çapja, ndërsa së fundmi ka qenë avokat dhe i Emiljano Shullazit. Po ashtu më herët 50-vjeçari ka qenë avokat dhe i ish-drejtorit të ARRSH-së, Dashamir Xhika.
Po ashtu, pjesë e punës së tij ka qenë dhe Altin Arapi, i akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet shqiptare për vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.
“Shērbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje si dhe po krehin zonēn ku dyshohet se janë larguar autorët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po grumbullon e fikson çdo provë që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes. Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policisë e Shtetit është nisur menjëherë në ndihmë të grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shpejtë të ngjarjes”, thotë policia në një informacion për mediat.