Konflikti i pronësisë midis dy ish-bashkëshortëve ka vënë në pranga një person të tretë.
Policia e qytetit të Vlorës ka arrestuat një shtetas i cili dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, pasi kanë hyrë në një banesë, kanë kanosur me armë zjarri të zonjën e banesës, duke ushtruar dhe dhunë fizike ndaj saj.
Burime nga policia kanë bërë me dije se salla operative është njoftuar se në një banesë në fshatin Brataj, ka të shtëna me armë zjarri.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se është qëlluar me armë në banesën e shtetasit Sh.S dhe F.S.
Autorët kanë qenë dy persona, të cilët pasi kanë qëlluar më armë në pjesën e brendshme të banesës kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases F.S, dhe më pas janë larguar menjëherë.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Sipas hetimeve të policisë ka rezultuar se ish-bashkëshortët, të cilët janë ndarë ligjërisht, kanë konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin për çështje pronësie.
Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve që policia nisi për identifikimin dhe kapjen e autorëve u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit, Ervis Karçanaj, 24 vjeç, banues në Velsh,Vlorë.
Ky shtetas rezulton të jetë nip i shtetasit Sh.S., ku së bashku me autorin tjetër ende të paidentifikuar nga policia, kanë hyrë në banesë dhe kanë kanosur shtetasen F.S..
Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje.