Tek Vllaznia u raportua prej disa javësh se ai ishte i dëmtuar dhe prandaj nuk ishte grumbulluar me ekipin. Por e vërteta për Edon Hasanin se pse nuk ishte shfaqur në stërvitje nuk është se ka probleme fizike. 25-vjçari pasditen e sotme është prezantuar në Iran me skuadrën e tij të re, Sepahan. Ai i ka surprizuar të gjithë duke firmosur në mënyrë kaq të fshehtë me ekipin ku më parë ka luajtur edhe shkodrane Xhevahir Sukaj.
Klubi iranian e ka prezantuar mesfushorin në faqen e tij zyrtare në Instagram duke pozuar me ngjyrat e skuadrës së tij të re. Hasani mësohet se ka firmosur për një sezon e gjysmë me klubin e Sepahanit, që këtë vit po kalon një moment të vështirë teksa gjendet i pozicionuar në vendin e 12-të në tabelën e klasifikimit pas 15 javësh të luajtura. Kontrata e Hasanit me Sepahanin gjithashtu mund të zgjatet dhe më tej në rast se drejtuesit e klubit iranian mbeten të kënaqur nga loja e tij. Në karrierën e tij Hasani ka luajtur dhe në kampionatin rumun dhe atë bullgar dhe për të është eksperienca e 3-të jashtë vendit në karrierë.