Huamarrja e brendshme për vitin e ardhshëm do të rritet ndjeshëm, teksa qeveria ka parashikuar në projekt-buxhet që huamarrja në tregun e brendshëm financiar për 2018-ën të arrijë në afro 30 miliardë lekë, në rritje me gati 50% krahasuar me këtë vit.
Vitin e ardhshëm, deficiti buxhetor do të ketë një rritje të lehtë në vlerë nominale, ndërsa do të qëndrojë praktikisht i pandryshuar në terma realë, me rreth 2.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, shpërndarja e financimit deficitit do të ndryshojë ndjeshëm krahasuar me këtë vit, kur ishte shpërndarë në mënyrë më të ekuilibruar mes tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm, raporton TV Scan.
Viti 2018 parashikon rritje të borxhit të brendshëm, gjë që nënkupton më shumë trysni mbi tregun e brendshëm financiar.
Kështu, kërkesa më e lartë e qeverisë për para mund të rezultojë në një rritje të normave të interesit për bonot dhe obligacionet, rritje e cila do të përcillej edhe në interesat e produkteve bankare.
Rrjedhimisht, kjo strategji e qeverisë mund të ketë një impakt të ndjeshëm në tregun financiar. Qeveria shqiptare parashikon që për vitin e ardhshëm interesat e borxhit të brendshëm të rriten në 25 miliardë lekë, nga 22 miliardë që janë parashikuar për këtë vit.