Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ligjin për buxhetin të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro. Sipas tabelave të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit. Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka zyrtarizuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Por, taksën do ta paguajnë edhe ata të cilët nuk kanë marrë në dorë një dokument ligjor për legalizimin, por kanë aplikuar në këtë proces. Të paktën 350 mijë ndërtime janë në proces legalizimi dhe ende nuk kanë marrë leje. Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit, kjo kategori do të paguajë 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Aktualisht në Shqipëri, ka qytetarë që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 10-mujorin e këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 4.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në vitet e fundit.
Kështu pensionistët e vetmuar, familjet me ndihmë ekonomike, banesat sociale, si dhe kategoria e invalidëve do të përjashtohen nga tatimi mbi ndërtesën. Taksës së pronës do t’i nënshtrohen edhe ato familje që janë në proces legalizimi, ndërsa ajo do të përfshihet tek fatura e energjisë elektrike dhe do të paguhet çdo muaj ose një herë në tre muaj. Parlamenti miratoi propozimin e mazhorancës për këto kategori, të cilat në total arrijnë në afro 90 mijë familje në të gjithë vendin. Por dilema që do të shoqërojë zbatimin e kësaj takse është kush do të quhet vlerë tregu mbi të cilin do të aplikohet tatimi? Çmimet e ndërtesave përcaktohen nga tregu i lirë dhe e njëjtë duket se do të jetë edhe logjika e taksimit të tyre.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj është shprehur se kjo formulë është përcaktimi i një takse sa më të drejtë në raport me zonën ku është banesa. Mbi vlerën që ka kjo e fundit do të merret një përqindje 0.05, të paktën për individët. Vendosjes së një çmimi sa më real i ka paraprirë pjesa e rivlerësimit të pasurive që u mbyll në maj të këtij viti. Gjithsesi për çdo rast që nuk ka kaluar këtë proces, kadastra do të ketë vlerësimin e saj që sjell pasurinë në vlerën e tregut. Në çdo rast mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar duket se vlerësimi do të bëhet mbi maksimalin. Diskutimet e shumta për këtë ligj kanë rezultuar edhe me një rritje të taksës që do të paguajë biznesi. Ministria e Financave fillimisht kishte propozuar përqindja që do të aplikohet mbi çmimin e një ndërtese që përdoret për veprimtari ekonomike të ishte 0.15% por Kuvendi miratoi një tatim në masën 0.2%.
Për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat mbi pronën. Referuar dhe analizave të bëra nga Ministria e Financave, taksat vendore mbi pasurinë e paluajtshme janë një burim i preferueshëm të ardhurash për disa arsye. Në radhë të parë, baza tatimore është e dukshme për çdokënd dhe është e vështirë t’i shpëtosh detyrimit tatimor që aplikohet ndaj pasurisë së paluajtshme. Nga këndvështrimi i administrimit tatimor, procesi i tatimit të pronës është më i lehtë pasi barra tatimore është e bashkëlidhur me pronën. Po sipas specialistëve të financave publike, gjithashtu si të ardhurat e tjera me peshë në financat e pushtetit vendor, kjo bazë tatimore rrit përgjegjshmërinë e drejtuesve vendorë, pasi krijon një lidhje direkt midis tatimeve të paguara dhe shërbimet e përfituara nga prona.
Kadastra fiskale ose regjistri që nuk dihet kur do përfundojë
Fillimet e vitit 2014 nxorën në diskutime dhe reformën e sistemit të kadastrës fiskale, e cila më pas u kthye në prioritet. Për këtë element është diskutuar në tryeza të mbyllura dhe të hapura ekspertësh edhe para këtij viti, por pa patur organizime me fokus të qartë formatin e taksës ndaj pronës. Tatimi mbi pronën synon të jetë pjesa kryesore e burimit të të ardhurave të bashkive të reja, tashmë të ristrukturuara nga reforma administrative-territoriale. Megjithëse taksa mbi pronën ka një përfaqësim të vogël në të ardhurat tatimore që mblidhen nga administrata tatimore qendrore dhe vendore, ajo mund të transformohet në një burim të qëndrueshëm për financat vendore.
Dimensioni i vlerës së tregut të pronës është pjesa kryesore në arritjen e bazës së plotë të tatimpaguesve që do të paguajnë bazuar mbi llogaritjet që prodhohen prej saj. Ndërthurja e vlerës me bazën tatimore në mënyrë direkt do të ndikojë mbi fuqinë ekonomike të pushtetit vendor. Por a ka kapacitete pushteti vendor për ta mbledhur, por edhe ai qendror për të ngritur një agjenci, apo strukturë të posaçme kompetente për ta realizuar një nismë të tillë.
Një sistem i ndershëm fiskal ku do të jenë të identifikuara apo të shënuara të gjitha pronat e shqiptareve. Kjo është ajo që do të përmbledhë në një regjistër të vetëm, i gjithi online, atë që quhet Kadastër Fiskale. Ky regjistër do të ketë të regjistruar të gjitha pronat e paluajtshme, çka pritet të ketë një efekt pozitiv të paktën në uljen e evazionit fiskal në këtë sektor. Gjithë procedura bëhet për një regjistrim të plotë të pronave të paluajtshme, jo vetëm si hapësirë, por edhe si vlerë tregu.
Ministria e Financave ka thuajse 3 vjet që punon për realizimin e këtij projekti, megjithëse prej vitesh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është kërkuar si një zgjidhje për mbledhjen e taksës së pronës. Por si do regjistrohen të dhënat dhe si do të funksionojë kadastra fiskale? Sipas ekspertëve të Financave që aktualisht po punojnë për këtë, regjistrimet që në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit (pronarit), numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut.
Sipas Ministrisë së Financave, FMN-ja ka kërkuar në bazë të praktikës botërore, që regjistrimi i pronave të jetë një proces i detyruar për të gjithë pronarët. Kjo risi do të sjellë, jo vetëm një njohje të plotë të situatës, por edhe një mbledhje të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas projektit të parashikuar, pronat e patundshme të qytetarëve do të regjistrohen te gjitha në një sistem online, se bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi.
Është ky thelbi i projektit, që parashikon krijimin për herë të parë në Shqipëri të Kadastrës Fiskale, e cila synon të vendosë rregull në këtë sektor, që konsiderohet më informale edhe për sa i përket të ardhurave në buxhet. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se krijimi i kadastrës fiskale është fokusi i paketës fiskale te vitit te ardhshëm. Informaliteti i lartë në ndërtime gjatë viteve te fundit ka bërë që në vendin tonë të mos ketë një bazë të dhënash të sakta, shkruan Scan.
Kështu ka mjaft objekte të cilat kanë nisur si banesa, janë transformuar në njësi tregtare apo shërbimesh, pra ndryshimi i destinacionit apo në jo pak raste edhe i pronarëve, bën që të ketë një amulli. Por ky projekt pritet të finalizohet në vitin 2020, çka do të të thotë se dy vitet 2018 dhe 2019, do të shërbejnë si vite tranzicioni për ndërtimin e kësaj kadastre, por edhe për edukimin e qytetarëve me formulën e re të taksimit të pasurive të paluajtshme.
Sipas Ministrisë së Financave tashmë ka nisur bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës, e cila po jep eksperiencën e saj në këtë drejtim. Gjithashtu, në ngritjen e kadastrës fiskale pritet që një kontribut në asistencë teknike që japë edhe qeveria suedeze.