E enjte, 28 Tetor, 2021
5.5 C
Tirana

VIDEO/Panajot Pano – Si vrau komunizmi një fenomen futbolli

9 vite më parë u shua një nga futbollistët më të mirë dhe të talentuar që ka njohur futbolli shqiptar, ai është Panajot Pano. Edhe pse nuk pati mundësinë të bashkoheshe me skuadrat europiane, për shkak të regjimit komunist në të cilin jetoi, jehona e nje fenomeni të tillë do të dëgjohej edhe përtej kufijve. Jetoi në një kohë që futbolli nuk kishte interes të madh në Shqipëri, pasi nëse një fenomen i tillë si Pano do të jetonte në ditët e sotme do të luante për ekipe që sundojnë futbollin europian.

“Fenomeni”, është ai futbollist që ka aftësi të lindura teknike, shumë mbi normalen dhe vlerësimi për të do të ishte i panevojshëm. Pele, Maradona, Cruyff mund të cilësohen si fenomene, ashtu si dhe shumë të tjerë. Por një emër duhet thënë, një emër që nuk ka asnjë dyshim edhe pse i panjohur për publikun e gjerë. Po flasim për “Jotin”, Panajot Panon.

Ai lindi në 1939 në Durrës, ku bombat binin si rrebesh shiu. Por mes atij kaosi do të lindte një fenomen i madh. Një njeri me këmbë të arta. Familja e tij do të transferohej drejt Tiranës për një jetë më të mirë. Një vend i mundësive për të rinjtë shqiptarë dhe ku Pano pati ‘takimin’ e parë me topin. Një top futbolli, që do të bënte kthesën e madhe në jetën e tij.

Por prindërit e tij zgjidhnin studimet para topit: “Prindërit e mi nuk ishin dakord që të luaja me top gjithë ditën, në vend që të studioja”. Por Pano ishte i vendosur dhe nga ndeshjet në rrugë kalon tek të rinjtë e KF Tiranës. Aftësitë e tij ranë menjëherë në sy, por jo ato aftësi që mund të mendojë çdokush. Pano, në fakt ishte një portier i shkëlqyer.

Po, por në fillim të karrierës së tij. Deri në moshën 17-vjeçare, Pano luante në portë dhe me duar.  Çfarë fillimi të çuditshëm kanë karrierat e mëdha! “Joti, dil në nxehje. Tani do futesh. Por në sulm”, i thotë trajner Demneri, që i dha shansin për herë të parë të riut në skuadrën e parë.

Jo një debutim për t’u mbajtur mend, pasi Tirana mposhtet 4-0. Panajot Pano zhvilloi 28 ndeshje me Tiranën dhe shënoi 8 gola. Por nuk e mendonte kështu Demneri, i cili filloi t’i jepte më shumë besim dhe më shumë minuta. Dhe kështu, në më pak se një vit Pano bëhet titullar i padiskutueshëm, duke i lënë pas veteranët me gola dhe paraqitje.

Kur po shkëlqente në fushën e lojës, u detyrua të ndërpriste karrierën për të kryer shërbimin ushtarak. Por Pano nuk hoqi dorë. Dhe gjatë kohës së lirë në ushtri luante futboll. Një vëzhgues i Partizanit, (skuadra e ushtrisë asokohe) e pikasi dhe bëri gjithçka që t’ia prezantonte trajnerit. Lëvizje plotësisht e goditur.

Dhe këtu fillon legjenda e të madhit Pano dhe e Partizanit.  Pano, pak më shumë se 20 vjeçar, u mor për të qenë titullar. Për Partizanin luajti rreth 15 vite, zhvilloi 240 ndeshje dhe 136 gola.  Ai është legjenda e “Të Kuqve”. Kryegolashënues me 12 gola, fiton edhe titullin në sezonin e tij të parë.

Fillimi i sukseseve të mëdha të skuadrës shqiptare, që dominoi vitet ’60 në nivel kombëtar dhe jo vetëm. 4 kampionate kombëtare, 6 Kupa të Shqipërisë dhe një Kupë Ballkani për klube. Pano kishte cilësi të jashtëzakonshme dhe një këmbë “magjike”. Prekje e lehtë dhe elegante kur duhej, e dhunshme dhe potente në momentin vendimtar. Madje ai u cilësua nga ekspertët si “Puskas i vogël”, që do të përshtatej më mirë nëse nuk do të ishte për atë “i vogël”.

“Pele dhe Eusebio janë lojtarët më të mirë në botë, por Panajot Pano është lojtari më i fortë që ka luajtur ndonjëherë në këtë stadium,” tha Mysmim Bey, pronari i Fenerbahce, pas një ndeshje të Panos atje. Fenerbahce dhe shumë klube të tjera evropiane donin ta transferonin por Pano nuk lëvizi nga Shqipëria edhe pse kundër dëshirës së tij.

Panajot Pano zhvilloi 28 ndeshje për kombëtaren shqiptare dhe shënoi 4 gola. Ishte një emocion i pabesueshëm kur veshi për herë të parë fanellën e kombëtares kundër Bullgarisë më 1963-shin. Pastaj, dy ndeshjet që do mbeten në memorie përgjithmonë.

Fitorja 1 – 0 kundër Danimarkës me golin e tij të parë për kombëtaren dhe barazimi 0–0 në Tiranë kundër Gjermanisë Perëndimore në 1967, në një ndeshje për kualifikueset e Evropianit.  Një ndeshje me një rezultat jo të drejtë, që duhet vlerësuar jo vetëm nga mungesa e golave.

“Ne e fituam atë ndeshje, e dinim, Gjermania dhe arbitrat e dinin, edhe pse tabela tregonte 0–0”,  tha Joti, që pas asaj ndeshje filloi të vlerësohej akoma më shumë në arenën ndërkombëtare.

“Askush në shtetin tim dhe në Evropë nuk di ta trajtojë topin si ai”, ka thënë pas asaj ndeshje Willi Schulz, mbrojtës legjendar i Gjermanisë në vitet ’60 – ’70.

I shokuar ngeli edhe Franz Beckenbauer. “Edhe nëse Pano në të ardhmen nuk do të më mbante mend, unë do ta mbaj mend gjithmonë”, tha Kaiseri me një admirim të dukshëm.

Por nuk ishin të vetmit që bënë vlerësime për “legjendën e futbollit shqiptar”. Në vitet 2000, UEFA e cilësoi si “Futbollistin shqiptar të shekullit’’. Më 27 prill 2005 merr titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Në Shqipëri u kthye në idhull.  “Nder i kombit” ishte titulli qe iu dha për herë të parë një sportisti nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi.

U nda nga jeta më 19 janar të vitit 2010 në Jacksonville, Florida, SHBA nga një atak kardiak, ku kishte shkuar për të vizituar të bijën që jetonte atje. Ceremonia e tij u përshëndet nga më shumë se 100 mijë persona në Tiranë, për t’i treguar dashurinë e tyre.

Kështu u shua një fenomen i futbollit shqiptar, që regjimi komunist në të cilin jetoi nuk e lejoi të sundonte Evropën.

Eno Leka, Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

U përurua në maj, Spitali Memorial i Fierit ka mungesë ilaçesh

Spitali Rajonal Memorial i Fierit hapi dyert për qytetarët në muajin maj të vitit 2021. Tashmë jemi në muajin tetor, dhe një qytetar nga...

Grabitësit në sulm në lagjen e ‘VIP-ave’, tentojnë të djegin dy mjete

Dy ditë më parë, persona të paidentifikuar kanë tentuar të djegin dy mjete të parkuara në rrugën e “Vilave” në fshatin Lundër, në periferi...

Greqi/ Tërmeti “zgjon” Kretën

Një tërmet me intensitet 3.9 të shkallës Rihter ka zgjuar mëngjesin e sotëm Kretën, në Greqi. Sipas Institutit Gjeodinamik grek, tërmeti u regjistrua rreth...

Blerja e energjisë zhvlerëson lekun, euro në nivelin më të lartë nga korriku

Euro është forcuar ndjeshëm sot në tregun e brendshëm valutor, duke reflektuar kërkesën e lartë për valutë për blerjen e energjisë. Sipas kursit zyrtar të...

Të gjithë kanë Covid!, po ku shkuan fjalët e Helena Kadaresë!?

Nga: Frrok Çupi Para tre ditësh, Helena Kadare, kur s’ka dalë në publik prej vitesh, doli dhe lëshoi një lutje për rininë. “Ne të rriturit...