Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, po zhvillojnë një dëgjesë me artistët, të cilët kanë kundërshtuar me forcë prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
“LIVE nga dëgjesa me artistët për t’i dhënë Tiranës një Teatër Kombëtar dinjitoz, xhevahir i ri i qytetit dhe qytetarëve”, shkroi Veliaj në një postim në rrjetet sociale.
Ministria e Kulturës ka hedhur për konsultim projektligjin që çon në shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin në vend të tij të një teatri të ri.
Seanca dëgjimore vjen një ditë para aksionit të paralajmëruar të komunitetit të artistëve, që pritet të kalojë në një formë tjetër të protestës, duke qëndruar 24 orë në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, iu drejtua artistëve duke u thënë të zgjedhin një përfaqësi që të negociojë më tej për projektin e Teatrit Kombëtar.
“Jemi të hapur për diskutim sa i përket gërshetimit të trashëgimisë me pjesët e reja të godinës. Nëse do jeni dakord të caktoni një përfaqësi, që bashkë me mua të jenë pjesë e këtij procesi. Të mblidhemi dhe të bëjmë negociata. Nëse nuk na pëlqen e lëmë kështu si është”, tha Veliaj.
Përfaqësuesi i aktorëve, Alert Çeloaliaj u shpreh: “Në ftesën që na është bërë nga ministrja gjithçka është në të kryerën, s’lë vend për diskutime”.Alert Çeloaliaj: Në ftesën që na ka ardhur thuhet se teatri i ri do të ndërtohet. Pra është vendosur dhe nuk e di për çfarë kemi ardhur sot. Sipërfaqja e teatrit është mbi 7 mijë m2, por këtu thuhet 1200 m2. Në gjithë ftesën flitet në kohën e kryer, pra nuk ka më vend për diskutim. Të gjitha këto e bëjnë të kryer diskutimin. Ne jemi kundër prishjes arbitrare të teatrit kombëtar dhe atij eksperimental. Pyetja jonë është: a janë ezauruar të gjitha mënyrat për gjetjen e fondeve?
Neritan Liçaj: Pse të mos bëjmë njëherë ligjin pastaj flasim për teatrin e ri? Ta shtyjmë edhe pak sa të bëhet një ligj i mirë për artin dhe kulturën dhe pastaj të flasim.
Mirela Jorgo (avokate): Ju bëtë gjysmë ore propagandë.
Veliaj: Ne kemi sot dëgjesë me aktorët. I kam dhënë fjalën Ndrenikës.
Mirela Jorgo: Ne jemi përfaqësues të shoqërisë civile që mbështesim aktorët. Dakord të flasin aktorët pastaj ne.
Robert Ndrenika: Teatri mund të riparohet dhe të dalë një gjë e shkëlqyer dhe jo me 30 milionë euro. Të kanë gënjyer me ato 30 milionë euro. Maksimumi mund të shkojë 10-15 milionë euro ai teatër që duan të bëjnë. Tani më është konsoliduar mendimi që i gjithë kompleksi i teatrit mund të ruhet. Tirana e do një teatër të mirë që mund të shkojë 100-200 vjet dhe e meriton Tirana.
Kam vuajtur shumë gjatë kësaj kohe, kam qenë te zyra e kryetarit më ka paraqitur projektin, kam qenë optimist, por, kam vuajtur shumë nga çështja e partneritetit privat-publik, ka hile brenda, kam vuajtur shumë se e dhashë shtëpinë, dhe kam vuajtur 3 vjet gjyqeve, njërën hyrje, ma pushtuan me badigard. Vajte të ministri i Brendshëm, shoku Petro Koci që s’ma vari fare, kupton, jam kundër partneritetit publik privat. Ndoshta projekti është i mirë, jam në mëdyshje për çështjen e skenës dhe e kam thënë, këtu ka dushe, e kështu ashtu, por skenën nuk e kemi parë, për këtë duhet të falsin regjisorët, arkitektët dhe aktorët.
Mirë bëre që përmende Pazarin e Ri i dashur kryetar, nuk ka ndonjë gjë të keqe të arsyetohet, si është ai Pazari i Ri që e kam parë, që e ruan atë strukturë, po nuk është më as era e keqe, por e ndjen që je te pazari i ri i dikurshëm, kjo Zamira mund ta na thotë që është edhe një Pazar i Korçës por është bërë i shkëlqyer, të ka lezet shpirti ta shohësh, atje s’kam qenë, por më pëlqen shumë.
Edhe ky kompleksi ynë, me dy godina, me të marangozëve dhe oborrit se është monument kulture, mund të riparohet dhe të dalë gjë e shkëlqyer jo me 30 milionë euro, të kanë gënjye zoti Erion, pavarësisht se the 4-5 fish, maksimumi vene 10 milionë euro ai që duhet të bëjmë. TIRANA TODAY