Ashtu sikundër ndodh rëndom nëpër urbanet e kryeqytetit, ku shpesh fatorinot dhe kontrollorët përplasen verbalisht me qytetarët, një incident i tillë është shënuar një ditë më parë në urbanin e linjës Kinostudio-Kombinat, raporton një qytetar për “Tirana Today”.
Në orët e para të mëngjesit teksa kontrollori po bënte detyrën e tij, një qytetar po përdorte një librezë (dokument i veteranëve) që i kishte mbaruar afati i përdorimit, për të udhëtuar. Ky fakt nuk i kishte shpëtuar syrit të kontrollorit, i cili i ka marrë librezën dhe i ka kërkuar qytetarit që të bënte pagesën.
Duke hasur refuzimin e këtij të fundit, kontrollori nga sa shikohet në video ka vijuar punën. Por qytetari nga ana tjetër ka vazhduar ta ofendojë atë me fjalë të rënda. Nga ana e tij, kontrollori ka ruajtur qetësinë ndërsa debati mes tyre ka vijuar si më poshtë:
Kontrollori: Bëj tjetër pra, se qenke edhe goxha burrë!
Qytetari: Bëj marshallah pra!
Kontrollori: Hajt se ke për ta marrë prapë, se kështu nuk hipet në autobus!
Qytetari: Kush, ti ore?!
Kontrollori: Në 1941 ke luftuar ti, 3 vjeç, në 1944 është çliruar.
Qytetari: Ik qërohu, maskara m…
Kontrollori: Të më thuash pederast mua ti?!
Qytetari: Fole ti or trim?
Kontrollori: Na lër or xhaxha, se kam dalë që në orën 5. Na lër rehat!
Qytetari: Na plasi trapi…
Kontrollori: Paske goxha edukatë…
Qytetari: Për ty ore…
Kontrollori: Dukesh që je pasardhësi i veteranëve…/TIRANA TODAY/