Gjenerali Goran Radosavljeviç, i njohur me nofkën “Guri”, akuzohet si organizator i masakrave të mëdha, që ushtria serbe kreu në Kosovë në vitet 1998-1999. Në cilësinë e drejtuesit të njësive elitë të policisë serbe, ai koordinoi sulmin dhe masakrën që pasoi në Prekaz ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij. Më 15 janar 1999, urdhëroi vrasjen e dhjetëra shqiptarëve të pafajshëm në fshatin Raçak, një masakër që në vitin 2017 do ta cilësonte si një “operacion të ligjshëm dhe të përkryer kundër terroristëve”.
“Guri” nuk është përballur asnjëherë me ndonjë akuzë nga Gjykata e Hagës. Prokuroria Speciale serbe për Krimet e Luftës, nisi dhe pushoi disa vite më parë hetimet ndaj tij për “mungesë provash”. SHBA-ja ka ushtruar vazhdimisht presion për dënimin e tij, për vrasjen e 3 shqiptaro-amerikanëve, të cilët në vitin 1999 shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së.
Nën presionin e vazhdueshëm të Uashingtonit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar Gjykatën e Lartë serbe të rishqyrtojë akuzat ndaj tij. Deri tani Radosavljeviç ka qenë i paprekshëm, pasi prej vitit 2010 është pjesë e Partisë Progresiste Serbe, të themeluar nga vetë Vuçic. Madje nga viti 2014 është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të kësaj partie. Radosavljeviç jeton i qetë në Beograd, dhe drejton një kompani private të sigurisë fizike.