Ashtu si ishte paralajmëruar ndodhi, tifozët e Liverpool nuk janë pritur aspak mirë në Kiev. Mbrëmjen e së enjtes një grup tifozësh ishin duke darkuar në një restorant pranë stadiumit ku do të organizohet finalja të shtunën, por ajo që ndodhi ishte e tmerrshme, një grup huliganësh nazistë prej 20 vetash i sulmuan ata, duke i masakruar dhe mbuluar me gjak.
Pamjet e momentit të tmerrshëm janë publikuar nga tabloidi britanik “Mirror”, ku shihen banditë të maskuar e plaçkitës që sulmuan fansat britanikë, shumë pranë stadiumit olimpik të Kievit. Grupi prej 20 huliganësh u vërsul dhunshëm si një tufë qensh, ndërsa tifozët anglezë, në përpjekje për t’u mbrojtur prej tyre përdorën edhe tryezat e restorantit dhe karriget.
Të mbuluar në gjak, me çarje e dëmtime të rënda në kokë e në qafë, ata u detyruan të zmbrapseshin. Më tronditës është fakti se policia ukrainase, sipas asaj që shkruan media britanike, qëndroi e tërhequr dhe arrestoi vetëm dy prej përgjegjësve.
Ngjarje të tilla ishin paralajmëruar kohë më parë nga tabloidi “The Sun”, teksa shkruante në fillim të këtij muaji se tifozët e Liverpoolit do të rrezikonin të zhyteshin në “ferr” me të mbërritur në Kiev për finalen e Champions League, duke veçuar madje edhe grupin ekstremist të krahut të djathtë, nazistët e “White Boys Club”, që janë edhe huliganët më të dhunshëm simpatizantë të ekipit të Dinamos së Kievit.