Kryeministri Edi Rama ka habitur me deklaratën e sotme, teksa ka thënë se Erion Veliaj është koka e një komploti brenda Partisë Socialiste. Madje, kryeministri akuzoi edhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj si një bashkëpunëtor të fuqishëm të Veliajt, që është pjesë e këtij grupi armiqësor brenda PS-së.
Por, duket se Rama ka zgjedhur këtë mënyrë për të ironizuar pyetjen e gazetarit nëse lëvizjet u bënë për të qetësuar përplasjet mes klaneve brenda Partisë Socialiste.
Por përgjigja e Ramës ka qenë jo e shkurtër duke u ndalur te një komplot brenda PS, madje ka thënë se atë e drejton kryebashkiaku i Tiranës. Rama tha se “ai mund të vazhdojë të dalë kundër partisë me planet e tij e të vazhdojë të mbjellë pemë, por një ditë në një nga ato pemët do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do të marrin dënimin e duhur.”
Nuk dihet nëse kjo deklaratë e Ramës ka qenë një ‘mesazh’ drejt Kryebashkiakut, apo thjesht një ironi e radhës nga ana e kryeministrit, edhe pse siç duket në video ai ishte mjaft i sinqertë kur deklaroi se ka një komplot brenda Partisë Socialiste. Gjë që u vijua me deklaratën se po mendohet për dënime të rënda apo internime, si për të kujtuar periudhën e sistemit komunist kur brenda partisë gjendeshin armiq apo spiunë.
Më poshtë, videoja kur Rama bën deklaratën e fortë:
Përsa i përket konspiracionit. Ka një komplot në PS. Jam i shqetësuar për këtë. Është një lëvizje konspirative që synon jo vetem ato që thatë ju, por gjëra shumë më të rënda që unë s’i them dot. Jemi duke menduar për një gjyq popullor dhe dënime shumë të rënda. Është e qartë për mua që koka e këtij komploti është kryetari i Bashkisë së Tiranës, padiskutim i mbështetur fuqimisht nga ish-ministri i Brendshëm Xhafaj. Dyshohet për përfshirjen e institucioneve të tjera në këtë konsipracion.
Ky grup armiqësor nuk e ka të gjatë. Më vjen shumë keq që më kapë gafil, por jam i detyruar ta pranoj. Erion Veliaj mund të vazhdojë të dalë kundër partisë me planet e tij e të vazhdojë të mbjellë pemë, por një ditë në një nga ato pemët do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do të marrin dënimin e duhur./ TIRANA TODAY