Nga: Marsela Sinani/Fenomeni i vetëvrasjes është i hershëm. Nëse do të bënin një krahasim kohor, shifrat do të përafroheshin, pasi pa pikë problemi mund ta cilësojmë si një bilanc lufte. Të dhënat janë shokuese, e ndërsa problemet sociale dhe psikologjike kanë shtuar vitet e fundit numrin e vetëvrasjeve në vend. Vetëvrasja është një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë, dhe gjerësisht i përhapur. Ndër arsyet kryesore që listojnë psikologët është gjenetika, por edhe faktorët ekonomikë.
Rastet e përsëritura kur qytetarët shqiptarë i japin fund jetës, tregon se edhe vlerësimi i rriskut suicidal në shoqërinë tonë është i një urgjence të madhe. Kur shoqëria vlerëson rriskun, atëherë ajo arrin të kuptojë se ka pjesëtarë të saj që jetojnë me një krizë të madhe të brendshme, në izolim dhe vetmi, që jetojnë mungesa shprese dhe pamundësi për të parë zgjidhje alternative. Duke vlerësuar riskun, shoqëria kupton se pas çdo rasti vetëvrasjeje qëndron një specifikë: kriza e suicidit mund të ketë qenë momentale, e kufizuar në kohë, siç edhe mund të ketë jetuar e fshehur për një kohë të gjatë.
Çfarë ndodh me ta, që të ndërmarrin këtë akt ekstrem? Sociologia Entela Binjaku ka rrëfyer për “Tirana Today” se njerëzit që ndërmarrin këtë hap, me siguri kanë menduar se kështu çlirohen nga e ardhmja e errët që i pret, apo u japin fund problemeve që për ta nuk kanë zgjidhje, ose sa vijnë e bëhen më të vështira.
“Të vlerësosh këtë risk, do të thotë të trajtosh seriozisht kërcënimet, paralajmërimet apo pohimet e thëna qoftë edhe kalimthi për një vetëvrasje të mundshme. Mbi të gjitha, ato janë thirrje për ndihmë. Por vlerësimi i riskut suicidal duhet të kryhet nga profesionisti, dhe jo nga dikush tjetër!
Nga pikëpamja sociale, suicidi trajtohet si një formë e veçantë e dhunës. Sociologu që është marrë më shumë me këtë dukuri është Emile Durkheim.
Sipas tij, ajo ndahet në tre tipe:
Vetëvrasja egoiste -“Njeriu nuk mund të jetojë nëse nuk ndjehet i lidhur me diçka që ta tejkalojë atë…jeta është e durueshme vetëm kur i japim arsyen e të ekzistencës, vetëm kur njeriu nëse ka një qëllim përmes të cilit t’ia vlejë përpjekja për të jetuar”.
Vetëvrasja altruiste– “Kur njeriu është i shkëputur nga shoqëria, ai vetëvritet me lehtësi, por me po të njëjtën lehtësi e bën këtë edhe nëse është shumë i lidhur me të”. Në disa kultura, vetëvrasja nuk është gjë tjetër veçse një formë e ekzagjeruar e një virtyti, e ruajtjes së nderit dhe e shprehjes së forcës së brendshme.
Vetëvrasja anomike– Shoqëria nuk është vetëm organizmi që përthith me të njëjtin intensitet ndjenjat dhe energjitë e njeriut, por ajo është dhe forca për t’i sistemuar ato”.
Vetëvrasja nxitet për shkak se ekuilibri në një shoqëri ka pësuar ndryshim, ka rritur idenë e dështimit dhe i izolon njerëzit që nuk përshtaten me ndryshimet në ritmin që ajo vendos.
Ndjesia e dështimit rritet në po të njëjtën shkallë që rriten dëshirat dhe aspiratat, duke rritur bashkë me këtë rriskun e vetëvrasjes. Vetëvrasja apo marrja e jetës është reagimi tragjik ndaj situatës së jetës stresuese dhe aq më tepër tragjike, sepse ajo mund të parashikohet.
Nëse ekzistojnë mendime vetëvrasëse, është mirë që të njihen shenjat që e paralajmërojnë lidhur me vetëvrasjen, dhe sesi mund të kërkohet ndihma që të mund të shpëtohet një jetë. Në rastin e mendimeve vetëvrasëse apo vetë vetëvrasjes, mund të qendrojë mendimi se nuk ekziston asnjë mënyrë për të zgjidhur një problem dhe se vetëvrasja është e vetmja mënyrë për të ndalur dhimbjen”, thotë ajo.
Një pyetje e cila vështirë ti japësh përgjigje lidhet me shkaqet e ndërmarrjes së këtij hapi fatal. Sociologia na mbërthen pas vetes, duke na sqaruar se janë një sërë faktorësh, e një ndër to është edhe mungesa e shpresës.
“Shkaqet e mendimeve vetëvrasëse janë të shumta. Më së shumti ato vijnë si rezultat i bindjes se një situatë që të ka mbërthyer, nuk mund ta përballosh. Nëse për të ardhmen nuk ka shpresë, mendon se vetëvrasja është zgjidhja.
Shpesh për njerëzit e vetëvrarë, thuhet se vuanin nga depresioni. Atëherë çfarë ndodh me dikë në depresion? Një ndër karakteristikat e depresionit është mungesa e shpresës. Kjo është edhe arsyeja se pse shumica e njerëzve që vuajnë nga depresioni, vonojnë të kërkojnë shpresë.
Shpesh të gjendur si në rrjetën e merimangës, ata as nuk e kuptojnë sa keq ndjehen, as sa shumë kanë ndryshuar, por kur arrijnë ta bëjnë këtë, nuk besojnë më se ka ndonjë zgjidhje.
Ndaj dhe në të shumtën e rasteve ata ju drejtohen të afërmve, me të cilën flasin për një moment të vështire që ata t’i mbështesin. Si edhe në probleme të tjera, edhe në këtë rast është me rëndësi të dihet se çfarë ndihme të kërkosh. Çfarë terapie të kërkosh, çfarë është e mjaftueshme dhe çfarë është tërësisht e kotë.
Shumë depresivë mjaftohen me mjekimet që marrin nga psikiatri. Të tjerët kërkojnë ndihmë të tjerëve, që t’u japin gëzim. Ka të tjerë që luftojnë që të dalin në breg vetë. Por pak prej këtyre formave funksionojnë. Ndonjëherë problemi zgjidhet përkohësisht, ose sa për dukje, herë tjetër zhduken pasojat, por depresioni vazhdon të rezistojë diku, dhe prek pikat tona të dobëta.
Çfarë duhet të mbajmë mend është se depresioni është një problem serioz, dhe është shenja e një konflikti të brendshëm, ku “e keqja” ka fituar. Për ta mposhtur kërkon shumë punë, forcë të brendshme dhe disa numra magjikë. Nuk është fjala për disa tableta, por depresioni si një proces i thellë, kompleks dhe personalë, nuk mund të ketë një zgjidhje universale. Psikoterapia nënkupton krijimin e atij kuadri ku zbulohet zgjidhja dhe ku gjenden burimet për ta aplikuar”, shprehet sociologia për “Tirana Today”.