Nga: Lorenc Vangjeli
Janë rreth gjashtë qind a shtatë qind gra e burra që kanë dorëzuar kartën e identitetit me shpresë se mbas 25 prillit do ta këmbejnë me pasaportë diplomatike. Dhe që pavarësisht moshës e gjinisë, do të pagëzohen si etër të kombit, siç quhen rëndom ata që hyjnë në parlament, institucion të cilin e quajnë tempull të demokracisë edhe ata që e përdorin si tualet. Ata do të nisen në zonat përkatëse elektorale për të bërë fushatë, për të dëshmuar se secili është më i mirë se tjetri, edhe kur nuk thonë atë që mendojnë, edhe kur nuk e mendojnë atë që thonë. Të gjithë të kuruar, me një shpurë herë të vogël dhe herë të madhe ndjekësish që në formë piramide, ndajnë me kandidatin për deputet, ëndrrën e ndryshimit të jetës së paku për një mandat parlamentar.
Fati e desh që ata të bëjnë fushatë në kohë pandemie dhe kjo e ndërlikon dëshirën për të bërë fushatë të stilit amerikan: dorë më dorë e derë më derë. Edhe pse mes tyre ka shumë nga ta që e kanë kaluar Covid-in dhe kanë në xhep një sasi të mirë antitrupash, kujdesi për të mos rimarrë dhe dhënë virusin e frikshëm në segmentin zgjedhës – kandidat, është tërësisht racional. Ndaj, pavarësisht ndasive të thella, kundërshtive, armiqësive të dukshme dhe aleancave të fshehta, ky është momenti për të bërë një parapakt zgjedhor, si një gjest të vullnetit të mirë e reciprok mes palëve. Ndoshta ky është momenti që do të verifikonte një copë armëpushimi e solidariteti politik të përbashkët, pavarësisht kahut partiak. Me disa qindra doza vaksine që do t’u jepeshin kandidatëve për deputetë, pavarësisht llojit të listës apo renditjes në listë, do të imunizoheshin kandidatët dhe do të garantohej edhe votuesi që ata do të takonin.
Ndryshe, nga sjellës të shpresës sic ata e quajnë veten, do të shndërroheshin në bomba ambulante që shpërthejnë infektim. Në këmbim cmontimit të këtyre bombave e minave njerëzore, disa qindra të moshuar që përbëjnë fashë rreziku nga sëmundja, do të duhej të prisnin jo shumë kohë që t’u vinte rradha sërish. Por ky nuk do të ishte ndonjë problem i madh. Aq më shumë se ata janë pjesë e një brezi që është mësuar të presë me durim. Me durim kanë pritur floririn në lugën e premtuar nga komunizmi, zbarkimin anglo-amerikan që do t’i shpëtonte prej komunizmit apo edhe me më shumë durim kanë ditur të presin në rradhë për të marrë tallonin e komunizmit. Tani, në pritje që tranzicioni demokratik të marrë fund, ata mund të kuptojnë se imuniteti në tufë i anëtarëve të listave partiake të zgjedhjeve do të bënte vetëm mirë dhe do të ishte një akt racional në të gjitha kuptimet. Edhe për brezin që do të duhej të priste sërish në rradhë për vaksinën.
Pjesa tjetër do të jetë histori që është shkruar në të njëjtën mënyrë edhe katër vjet më parë, sipas parimit që sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Filmi i zgjedhjeve e bëri Ciak-un e parë këtë javë. Emra të njohur dhe emra tërësisht të panjohur u vunë në startin e një gare e cila nuk ka shumë pikpyetje për finishin. Me fanelat e partive respektive në xhep, me një mal me ëndrra në shpinë për veten dhe elektoratin, ata janë të gjithë së bashku portreti në puzzle i kryetarëve që i kanë hartuar.
Tek lista e PS gjendet edhe portreti i Ramës, i cili pretendon se nuk ka dorë në shkrimin e atyre emrave se jua ka lënë drejtuesve të qarqeve që të bëjnë zgjedhjet, edhe portreti i Bashës që pretendon se i ka lista kolegjiale, edhe portreti i Monikës që nuk e ka kundërshtuar të kundërtën. Po kështu, edhe në partinë e Jozefinës apo të Patozit, kandidatët janë zgjedhur sipas rastit dhe gustos vetjake të tyre. Ligji, sistemi zgjedhor dhe tradita e ngulitur tashmë e diktojnë këtë gjë.
Flokët e Profesoreshë Najadës, si ngjyrat e dikurshme të Fate Velajt apo Gramozi si histori e të ardhmes së re të së majtës, janë pjesë e ekstravagancës së pandryshueshme të Ramës, atipik si politikan dhe si politikani tipik ballkanas që di të llogarisë çdo gjë në favor të vetes.
Saliu, Tritan Shehu apo Dash Shehi janë monedha e pashmangshme që paguan me vullnet Basha, i cili kërkon që më të njëjtat mjete, me të njëjtën mënyrë e të njëjtit njerëz, të arrijë një rezultt të ndryshëm. I kushtëzuar të rrijë brenda kornizës së përcaktuar nga e cila as do të dalë dhe as nuk del dot, portreti i tij ka më shumë nevojë për të justifikuar humbjen sesa shpresë për të gjetur fitoren.
Grupi i madh i të rinjve energjikë, por anonimë, të qartë në atë që duan, por pa CV që bind se bëjnë dot çfarë duhet, janë dëshmia se Monika është më e re sot se në kohën kur hyri vrullshëm në politikë që në adoleshencës e saj të dikurshme. Nevoja për dishepuj të bindur dhe nguti për të kthyer miqësitë e vjetra në armiqësi të reja, vlen të konfirmohet si bast jo personal i saj.
Autorët dhe listat janë matrioshka gjigante shqiptare: hiq një e del e njëjta gjë, në formë, përbajtje, ngjyrë e material. E vetmja gjë që ndryshon mes tyre është madhësia, por edhe ajo është e përshtatur për këtë lloj autokton matrioshke ballkanase.
Publiku nuk ka shumë për të zgjedhur mes tyre. Sikundër është thënë gjithëherë që prej vitit tashmë të largët 2008-të të ndryshimeve kushtetuese, ata janë të zgjedhur nga kryetarët, votuesi vetëm i noterizon ata në rrugën drejt parlamentit. Për të vërtetuar thënien e re: siç janë listat sot, do të jetë parlamenti nesër dhe siç do të jetë parlamenti i nesërm, ashtu do të jetë qeveria, administrata, shoqëria shqiptare dhe vetë Shqipëria edhe nja katër vjet të tjerë me rradhë. Herë një koncert me muzikë dhome që nuk e luajnë më shumë se katër-pesë instrumentistë dhe herë një zhurmnajë masive rruge ku shumëkush bind veten se po luan në harpën e ndërlikuar të politikës.
Mes tyre, edhe gjashtë qind a shtatë qind gra e burra, nga të cilët do të mbetet një buqetë e emëruar nëpunësish politikë prej 140 vetësh, që sado të ndryshëm nga njëri-tjetri, janë pjesë e një matrioshke gjigante, e njëjtë me portretin e trazuar të shoqërisë shqiptare. E cila, për shkak të atyre listave, është e gjitha brenda sallës së parlamentit, me të gjitha veset dhe virtytet, me moralin publik dhe publikun moralist, çdo individ i të cilit ndan me veten bindjen prej naltmadhnie: Të isha unë mbret në këtë vend vetëm për 24 orë…!