Vaksinimi është mënyra më efektive dhe e rëndësishme e mbrojtjes gjatë fëmijërisë. Para prodhimit të vaksinave, çdo vit në botë vdisnin ose mbeteshin invalidë miliona fëmijë. Në sajë të vaksinave në ditët e sotme miliona fëmijë jetojnë të shëndetshëm pa pasoja.Vaksinat aplikohen sipas një kalendari të duhur. Themeli i këtij kalendari mbetet njësoj pavarësisht se mund të ketë disa ndryshime midis institucioneve që i aplikojnë. Ka edhe vaksina të tjera që aplikohen tek fëmijët përveç atyre të përfshira në listën e institucioneve shtetërore. Edhe këto vaksina është mirë të bëhen në kohën e duhur sipas porosisë së mjekut.
1-Vaksina e tuberkulozit
Quhet BCG. Duhet të bëhet menjëherë pas lindjes. Një muaj pas vaksinës krijohet një skuqje në vendin e vaksinës. Pas disa javësh ajo kthehet në një plagë, rrjedhë dhe krijon kore, e cila bie pas një farë kohe dhe fillon të rrjedhë përsëri. Më pas krijohet një kore tjetër. Kjo përsëritet për disa muaj dhe në fund lë një shenjë të vogël. Nuk është nevoja që kjo pjesë të ruhet nga larja, pluhuri, prekja, uji, kremi. Kjo plagë nuk ka dhimbje. Nëse në muajt e ardhshëm vihet re një masë e fortë poshtë krahut nën sqetull, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun.
2-Vaksina e përzierë me pesë lloje
Kjo vaksinë mbron nga difteria, kolla e mirë, tetanozi dhe paraliza e fëmijës, si edhe nga sëmundjet që shkakton H. influenza. Doza e parë aplikohet në muajin e 2-të, pastaj me periudha 2 mujore bëhen dy doza të tjera në muajt e 4-t dhe të 6-të. Pra, 3 vaksina në vitin e parë dhe në moshën1.5 vjeç një vaksinë tjetër, gjithësej 4 vaksina. Në moshën 4 vjeç bëhet vaksina e 4-t e përzierë.
Efekti më i rëndësishëm anësor i vaksinës 5-she është temperatura. Për të parandaluar temreraturën 2 orë pas vaksinës jepet medikament, i cili shërben për ta ulur atë. Preferohet paracetamoli. Ky medikament jepet gjatë 48 orëve pas vaksinës edhe sikur fëmija të mos ketë temperaturë, për të parandaluar shfaqjen e saj. Mospasja e temperaturës pas vaksinimit të parë nuk tregon që s’do të ketë temperaturë pas vaksinimeve të tjera. Pas 48 orëve, nëse ka temperaturë, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun sepse mund të ketë një shkak tjetër.
Në vendin e vaksinës 5-she mund të vihet re një fortësim, i cili mund të zgjasë për disa javë apo muaj. Mos u shqetësoni, sepse ky është një efekt dytësor, i parëndësishëm i vaksinës. Në vendin e vaksinës mund të krijohet gjithashtu skuqje, e cila mund të rritet gjatë 48 orëve të para. Më vonë ajo zvogëlohet. Në qoftë se skuqja vazhdon mbi 48 orë, konsultohuni me mjekun. Gjatë 48 orëve të para bebi mund të mos jetë i qetë, mund të mos ketë oreks dhe mund të ndihet i dobët. Mos u shqetësoni. Shumica e efekteve anësore të vaksinave janë nga vaksinat e kollës së mirë.
3- Vaksina e pneumokokut
Penumokoku (Streptococcus penumonaiae) është një mikroorganizëm që shkakton meningit, pneumoni dhe mund të kalojë në gjak duke shkaktuar në këtë mënyrë vdekjen. Ai mund të shkaktojë komplikacione si bronkit, sinuzit dhe infeksion të veshit të mesëm, të cilat janë sëmundjet më të shpeshta të fëmijërisë. Pas fillimit të aplikimit të vaksinës së pneumokokut, sëmundjet e shkaktuara prej tij janë ulur në mënyrë të ndjeshme.
Doza e parë bëhet kur bebi është 2 muajsh dhe më pas me periudha 2 mujore, gjithësej 3 herë. Pas moshës 1 vjeç në muajin e 14-të bëhet doza e përforcimit. Nuk ka efekt anësor të rëndësishëm. Nëse në vendin e vaksinës krijohet enjtje dhe bebi nuk është i qetë jepet paracetamol, por zakonisht nuk është nevoja për mjekim. Vaksina e pneumokokut nuk bëhet pas moshës 9 vjeç.
4-Vaksina e fruthit, rubeolës dhe shytave
Emri i kësaj vaksine formohet nga shkronja e parë e çdo fjale, Fruthi, Rubeola dhe Shytat. Aplikohet për herë të parë në moshën 14 muajsh dhe më pas në moshën 4 vjeç. Efektet anësore janë si pasojë e vaksinës së fruthit. Efektet anësore shfaqen pas ditës së 4-t dhe deri në ditën e 14-të. Ato ngjajnë me gripin. Për temperaturën përdoret paracetamol. Efekti anësor zgjatë zakonisht 3-4 ditë dhe kalon vetë. Nëse simptomat zgjasin më shumë se 3-4 ditë dhe nëse ato shtohen, atëherë konsultohuni me mjekun për të përjashtuar mundësinë e ndonjë sëmundjeje tjetër.
Njollat në lëkurë që shfaqen nga vaksina e fruthit nuk transmetohen te përsonat e tjerë (nuk janë ngjitëse). Fëmijët që nuk janë vaksinuar me vaksinën e fruthit dhe shytave dhe bien në kontakt me fëmijë të sëmurë nga kjo sëmundje, kanë mundësi mbrojtjeje nëse mund të vaksinohen gjatë 6 ditëve të para të kontaktit.
5-Vaksina e verdhëzës tip B (hepatiti B)
Mikroorganizma e verdhëzës tipi B shkakton cirrozë të mëlçisë, sëmundje kronike mëlçie dhe kancer të mëlçisë. Doza e parë e vaksinës bëhet në lindje. Një muaj më pas dozës së parë bëhet doza e dytë dhe 5 muaj pas dozës së dytë bëhet e treta. Nuk është e nevojshme të përsëritet një dozë e vetme çdo 5 vjet për të vazhduar efektin mbrojtës. Kjo vaksinë nuk ka efekt anësor, prandaj nuk është e nevojshme të merren masa. Nuk është e nevojshme bërja e testeve të hepatitit para vaksinimit të fëmijëve.
6-Vaksina e verdhëzës tip A (hepatiti A)
Verdhëza e tipit A është më e shpeshta. Vaksina ka dy doza. Doza e parë para moshës 2 vjeç dhe doza e dytë 6 muaj pas së parës.
Zakonisht nuk ka ndonjë efekt anësor të rëndësishëm prandaj nuk është e nevojshme të merren masa. Nuk nevojiten doza shtesë për të vazhduar efektin mbrojtës.
7- Vaksina e lisë së dhenve
Vaksina e lisë nuk duhet ngatërruar me emrin e sëmundjes së lulës (chickenpox vs smallpox), sepse sëmundja e lulës nuk ekziston më. Vaksina e lisë aplikohet dy herë, një herë pas moshës 1 vjeç dhe pastaj në moshën 4 vjeç. Kur aplikohet për herë të parë në moshën 1 vjeç, duhet të kalojnë të paktën 4 javë midis dy dozave. Nëse përsonat e pa vaksinuar kontaktojnë me përsonat e sëmurë dhe e bëjnë vaksinën brenda 3 ditëve, ajo ka veti mbrojtëse vetëm 50%. Vaksina nuk ka efekt të rëndësishëm anësor. Por 4 nga 100 fëmijë që vaksinohen mund të kenë në trup njolla të lëngshme. Numri i njollave arrin deri në 8-10. Nuk ka nevojë për mjekim, por nëse fëmija është duke u trajtuar me kimioterapi ose rreze për kancer, duke marr kortizon, hyn në dializë, si dhe pacientët e tjerë me sistem imunitar të dobët nuk duhet të kontaktojnë me pacientët me li. Kjo mikroorganizmë mund të rëndojë shëndetin e tyre. Pas vaksinës së lisë së dhenve nuk duhet përdorur aspirinë.
8-Vaksinat e gripit
Çdo vit në muajt shtator, tetor dhe nëntor, fëmijëve të moshës 6 muajsh deri në 18 vjeç i duhet bërë vaksina e gripit. Për ata nën moshën 8 vjeç, kur vaksina aplikohet për herë të parë, duhet aplikuar dy herë me periudhë një mujore midis dozave. Vaksina vazhdon bëhet çdo vit; një herë në vit. Nëse vaksina bëhet për herë të parë mbi moshën 8 vjeç, ajo aplikohet gjithnjë vetëm një herë në vit.
9- Vaksina e diarresë
Diarreja është sëmundja më e shpeshtë në fëmijëri. Ajo mund të shkaktojë edhe vdekje. Ka shumë mikroorganizma që shkaktojnë diarre, por te fëmijët e vegjel rotavirusi është më i shpeshti. Doza e parë e vaksinës së tij duhet dhënë patjetër para moshës 14 javëshe dhe doza e dytë pas dy muajsh të tjerë.
10- Vaksina e virusit HPV (human papilloma virus)
Kjo vaksinë bëhet për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Aplikohet pas moshës 11 vjeç. Dy dozat e tjera aplikohen 1 dhe 6 muaj pas dozës së parë, gjithësej tre herë.
Këshilla të mjekut për vaksinimin:
Për të gjithë ata që pyesin nëse bëhet apo jo banjo pas vaksinimit, mjekët thonë “po”. Gjitathu, theksohet se vaksina mund të bëhet në çdo ditë të vitit. Por, vaksinat shtyhen vetëm nëse ka ndonjë problem të rëndë shëndetësor, nëse temperatura e trupit kalon 38 C dhe nëse ka sëmundje të rëndë.