Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes në Shijak, ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme.
Arrestimi u bë i ditur nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Ervin Hodaj, gjatë një komunikimi me mediat, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Altin Lila, për rezultatet e punës së dy drejtorive, gjatë muajit maj.
Elton Beqiri është kapur dhe arrestuar nga policia për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje të shtetasit Biond Guri. Siguria në shkolla dhe ajo rrugore, lufta kundër krimeve të rënda dhe narkotike, dhuna në familje dhe reagimi në kohë janë disa nga përparësitë e policisë së deklaruara nga Hodaj.
“Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë konferencë të përbashkët me Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin.
Kjo konferencë zhvillohet në kuadër të qasjes së re të Policisë së Shtetit për një komunikim më transparent, më të drejtpërdrejtë, dhe më të shpeshtë me qytetarët dhe median. Qëllimi ynë është të informojmë publikun mbi rezultatet e punës sonë, masat që kemi ndërmarrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat me të cilat përballemi në përmbushjen e misionit tonë, siguria në shkolla dhe ajo rrugore, lufta kundër krimeve të rënda dhe narkotikëve, armëmbajtja pa leje, kapja e personave në kërkim, evidentimi dhe goditja e krimeve mjedisore, ndjekja në kohë e dinamikës dhe shqetësimeve të qytetarëve, dhuna në familje, reagimi në kohë e profesionalizëm në rast ngjarjesh si dhe shërbim dinjitoz për qytetarët.
Në përfundim të raportimeve tona, do të jemi të hapur për pyetjet dhe interesimin tuaj, në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik.
Fillimisht, do të paraqes rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës gjatë muajit Maj.
Janë evidentuar 383 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 382.
Janë identifikuar 434 autorë të dyshuar, nga të cilët 117 janë vënë në pranga, janë kapur në kërkim 42 shtetas, 302 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 15 janë shpallur në kërkim.
Krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 136 vepra penale më shumë, ndërsa zbulueshmëria është rritur me 2%.
Këto rezultate janë arritur nëpërmjet operacioneve dhe aksioneve policore të zhvilluara në fushën e kapjes së personave në kërkim, goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve ekonomiko-financiare, lojërave të fatit, dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Janë finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar 36 persona, janë proceduar 4 shtetas në gjendje të lirë, 4 shtetas në “Arrest shtëpie” dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë.
Operacionet, policore kanë konsistuar në:
* Goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, ku janë finalizuar 3 operacione policore, 2 nga të cilat me objekt shpërndarjen e narkotikëve në afërsi të shkollave dhe zonave urbane në qytetin e Kavajës dhe Shijakut.
* Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve (1 operacion policor)
* Kapjen e personave në kërkim (3 operacione policore)
* Në drejtim të krimeve të Rënda(1 operacion policor)
* Krimi Ekonomik (1 operacion policor)
Janë sekuestruar, sende apo prova të tjera që lidhen me veprimtari kriminale dhe konkretisht:
* 3 armë zjarri automatik, kallashnikov mod.56, (2 krehëra me 120 copë fishekë),
* 1 armë gjahu,
* 6 armë sportive,
* 134 gr, cannabis Sattiva,
* 60.17 gr Kokainë,
* Kartëmonedha në Euro 4.410,
* Kartëmonedha në Lekë 92.200,
* Celularë 32 copë,
* 4 automjete,
Janë trajtuar në total 373 konflikte, nga të cilat 370 konflikte në familje dhe 3 konflikte për motive të ndryshme. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe janë proceduar autorët e dyshuar.
Me rritjen e fluksit të lëvizjes së mjeteve, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore. Si rezultat, Policia Rrugore ka vendosur 11.373 ose 3.155 masa më shumë se 1 muaj më parë, ku pjesa më e madhe është për ato shkelje që ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë rrugore.
Janë evidentuar 10 aksidente rrugore, si pasojë e të cilëve kanë humbur jetën 4 shtetas, janë plagosur rëndë 4 shtetas si dhe janë plagosur lehtë 8 të tjerë.
Gjithashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore nga këto struktura janë proceduar penalisht 62 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt, nga të cilët janë arrestuar 34 shtetas, nga të cilët 25 shtetas kanë qenë në gjendje të dehur, ndërsa 28 janë hetuar në gjendje të lirë.
Si rezultat i një angazhimi më të madh të strukturave vendore ndaj krimeve mjedisore dhe krimeve që cenojnë regjimin juridik të tokës, në kuadër të masave të marra dhe kontrolleve të shtuara në bashkëpunim edhe me inspektoratet përkatëse, janë evidentuar 5 vepra penale në fushën e krimeve mjedisore dhe krimeve që cenojnë rregjimin juridik të tokës me 5 autorë të dyshuar, 1 shtetas i arrestuar dhe proceduar penalisht 5 shtetas.
Si rezultat i një kontrolli me efikas të territorit, bashkëpunimit me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligj zbatuese, janë evidentuar 29 vepra penale më shumë në fushën e ndërtimeve pa leje.
Edhe pse qarku jonë nuk është në hartën e zonave me risk të kultivimit të bimëve narkotike, nuk është ndërprerë puna për kontrollet në ambiente të hapura dhe të mbyllura, ku deri tani janë realizuar 1074 të tilla, ose 550 më shumë krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar.
Gjithashtu nga ana jonë janë marrë masat duke kryer takime me Autoritetet vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2026, duke garantuar qytetarët dhe turistët për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike.
Pavarësisht rezultateve të arritura, mbeten ende problematika që kërkojnë vëmendje dhe angazhim të mëtejshëm siç janë:
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, sidomos përdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjetit, përdorimi i aparateve telefonike, manovra të rrezikshme në rrugë, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, si dhe mos respektimi i sinjalistikes.
Rastet e dhunës në familje.
Prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, kryesisht afër perimetrit të sigurisë në shkolla dhe jo vetëm.
Për adresimin e këtyre problematikave, shërbimet e Policisë kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin e çdo shkeljeje dhe paligjshmërie, si dhe kanë rritur kontaktet me qytetarët, për të siguruar informacion me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që shfaqen në territor.
Të nderuar gazetarë, këto ishin disa nga rezultatet kryesore të punës tonë, dhe duke ju falënderuar i kaloj fjalën Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin për paraqitjen e rezultateve të punës së strukturave të kësaj drejtorie.
Para se ta mbyllim këtë konferencë, dua t’ju drejtohem të gjithë qytetarëve të qarkut Durrës, se Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është maksimalisht e angazhuar për të parandaluar dhe luftuar paligjshmërinë në çdo drejtim.
Në këtë kontekst, është shumë i nevojshëm angazhimi juaj qytetar, për të mbështetur policinë dhe për të adresuar pranë saj çdo problematikë që është në kompetencën e policisë, çdo sjellje të pahijshme të punonjësve të policisë, apo të neglizhencës së tyre, në përmbushje të detyrës, duke ju garantuar qëndrim ligjor si dhe reagim të menjëhershëm për shqetësimet e adresuara , pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta bëjmë komunitetin tonë më të sigurt.
Besoni te Policia dhe përkraheni akoma më shumë për të pasur më shumë siguri dhe shërbim më cilësor! Faleminderit dhe mirë u takofshim në konferencën e radhës”, u shpreh drejtori i Policisë së Durrësit.















