Sot në ditën e protestës më të madhe të opozitës një prej figurave me potente të PS-së Taulant Balla, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, ka zgjedhur të zhvillojë takimin e tij të parë në Librazhd me gra dhe vajza të këtij qyteti, që ishin mbledhur në qendrën e Librazhdit, të transformuar nga projekti i Rilindjes Urbane.
Duke përmendur protestën e opozitës ditën e sotme në Tiranë, Balla apeloi që të mos ketë dhunë. Balla tha se qytetarët e Librazhdit, por edhe të gjithë Shqipërisë sot s’kanë asnjë arsye të shkojnë në protestë.
“Sot në Tiranë PD ka thirrur një protestë. Apeli im dhe i gjithë Librazhdit para kësaj proteste është: Protesta bëni sa të doni, por xhama mos thyeni, gurë mos hidhni, Shqipërinë mos e e prishni sepse Shqipëria boll ka vuajtur këto 25 vite. Nuk na duhen më as ’97 as ’98 sepse të parat që vuajnë më shumë nga dhuna janë nënat, janë motrat dhe ato që qajnë më shumë janë nënat e motrat.
Apeli im edhe një herë është të mos ketë dhunë, por vetëm protestë paqësore, pavarësisht se unë nuk gjej asnjë arsye për të qenë një qytetar i thjeshtë në atë protestë. Në atë protestë nuk protestohet për vende pune, në atë protestë nuk protestohet për mirëqenie, nuk protestohet për shtet, por për të kundërtat e këtyre”, tha deputeti Balla.
Balla prezantoi projektet e qeverisë të cilat e kanë shndërruar Librazhdin dhe të gjithë Shqipërinë duke thënë se pavarësisht kësaj mbetet akoma shumë punë për t’u bërë dhe më shumë do të bëhet në 4-vjeçarin e ardhshëm.