Në një postim në Twitter të enjten Presidenti Donald Trump shkruante se ishte “ironik” fakti që ndërsa ai pritet të niset drejt Kanadasë për një takim ekonomik me udhëheqësit botërorë dhe pastaj në Singapor për bisedime mbi armët bërthamore me udhëheqësin Phenianit, hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 vazhdon.
Në sulmin e tij më të fundit në Twitter ndaj hetimit, zoti Trump pretendon se që nga momenti kur Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mblodhi grupin e tij prej 17 prokurorësh “nuk ka pasur kurrë një grup njerëzish më paragjykues apo me qëndrime kundërthënëse”.
Zoti Trump tha se hetimi nëse njerëzit e fushatës së tij kanë patur një marrëveshje të fshehtë me rusët dhe nëse ai ka penguar drejtësinë duke shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së James Comey gjatë kohës kur ai po kryente hetimin, “është një justifikim i demokratëve për humbjen në zgjedhje”.
“Kur do të nisin njerëzit të thonë, faleminderit zoti President, që shkarkove James Comey-n?”, shkruante ndër të tjera zoti Trump në twitter.
Në postimet e tij, zoti Trump u ankua dy herë për ata që i cilësonte si “13 demokratë të irrituar” duke iu referuar disa pjesëtarëve të ekipit hetimor të zotit Mueller, që kanë dhënë donacioneve fushate për kandidatë demokratë, edhe pse zoti Mueller është një republikan i regjistruar dhe mbikëqyrësi i tij në Departamentin e Drejtësisë, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, është emëruar në detyrë nga vetë zoti Trump.
Në postim në Twitter zoti Trump pyeste: “A nuk është ironike? Po përgatitem për të shkuar në takimin e G-7 në Kanada për të luftuar për interesat e vendin tonë në tregti (kemi marrëveshjet më të këqija tregtare të bëra ndonjëherë), pastaj do të nisem për në Singapor për t’u takuar me Korenë e Veriut, lidhur me problemin bërthamor … Por në SHBA përsëri kemi 13 demokratë të zemëruar që vazhdojnë përpara me një gjueti shtrigash”
Në një tjetër postim, ai citonte një profesor të universitetin të Harvardit Alan Dershowitz të kishte thënë se hetimi nje vjeçar i zotit Mueller nuk do të duhej të ishte hapur kurrë.
“E gjithë kjo është bërë nga Departamenti i Drejtësisë. Nuk ka nevojë për një grup njerëzish miliona dollarësh që të sulmojnë dikë pas shpine“, tha zoti Dershowitz. “Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë drejtësia“, tha profesori, një gjë që zoti Trump e vlerësoi si një mendim “shumë të drejtë”
Zoti Trump gjithashtu pyeste: “Ku ndodhet serveri?”, duke iu referuar një misteri të Uashingtonit, se pse hetuesit nuk kanë qenë në gjendje që edhe pas dy vitesh, të ekzaminojnë përmbajtjen e serverit të kompjuterit të Komitetit Kombëtar Demokrat gjatë fushatës së 2016-ës në kohën kur dosjet e tij besohet se u hakeruan nga agjentët rusë, shkruan voa.
Lidhur me një çështje tjetër zoti Trump tha se një hetim i vazhdueshëm lidhur me sigurinë kibernetike mbi përdorimin e kompjuterave në Kongres është një “skandal i specialistëve të teknologjisë së demokratëve” dhe pohoi se “është çelësi për pjesën më të madhe të korrupsionit që shohim sot”. Ai tha se Departamenti i Drejtësisë “nuk duhet të lejojë heqjen e pergjegjësisë” ndaj ish-kryetares së Komitetit Kombëtar Demokrat Debbie Wasserman Schultz, një ligjvënëse e Floridës.