Gentjan Mezani ka surprizuar botën e sportit në Shqipëri, pasi ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Laçit. Pavarësisht se Mezani nuk arriti të fitonte Kupën, ku përballë Skënderbeut, ai ka zhvilluar një sezon fantastik me kurbinasit duke u kualifikuar edhe në kompeticionet Europiane. Vlonjati e mori drejtimin e Laçit në javën e 4-ët në sfidën ndaj Vllaznisë, pas dy humbjeve radhazi, me Luftëtarin dhe Kukësin. Vetë trajneri me anë të një statusi në “Facebook” është shprehur se largimi ishte për arsye personale dhe se falënderonte të gjithë njerëzit me të cilët punoi këtë vit në Superiore.
Ja çfarë shkruan trajnerin Mezani në facebook:
Aventurës time te Laçi i erdhi fundi. Për arsye personale po largohem nga skuadra, që më dha mundësinë dhe kënaqësinë e drejtimit në elitë. Dua të falënderoj presidentin Pashk Laska, i cili më dha mundësinë të trajnoj Laçin dhe për korrektësinë në çdo aspekt. Falënderoj edhe tifzerinë e mrekullueshme kurbinase, që ka qëndruar gjithmonë pranë ekipit dhe më ka respektuar në mënyrë të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Një falënderim i veçantë për stafin teknik, për përkushtimin e treguar në çdo seancë stërvitore. Në fund dua të falënderoj futbollistët, ata që bënë të mundur përjetimin e një eksperience të jashtëzakonshme jo vetëm nga pikëpamja teknike, por dhe ajo njerëzore. I uroj Laçit suksese në Europa League dhe në kampionatin e ardhshëm! Faleminderit dhe do t’ju jem gjithmonë mirënjohës! Para Laçi!