AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Përgjatë dy viteve u zhvilluan tri samite maratonë të NATO-s, G7-ës dhe Bashkimit Evropian. Qëllimi i tyre ishte të tregonin unitetin e vendeve të Perëndimit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo u duk qartë nga deklaratat përfundimtare të tri samiteve, të cilat ishin në një frymë dhe përmbanin vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe koordinimin e veprimeve të NATO-s dhe BEsë me qëllim izolimin ndërkombëtar të Rusisë, por edhe nga marrëveshjet e veçanta ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve, të cilat kishin në thelb fillimin e procesit të shkëputjes së vendeve të Unionit nga varësia ndaj Rusisë për naftë dhe gaz. Proces, i cili sapo ka filluar dhe pritet që të vazhdojë me intensitet në muajt dhe vitet që do vijnë.
SAMITI I NATO-S
Forcimi i mëtejshëm i forcave të Aleancës në Lindje, u vendos nga krerët e NATO-s, duke i dërguar njëkohësisht mesazhe Moskës, por edhe Pekinit. Fjalë mbështetëse për heroizmin e ukrainasve, paralajmërime ndaj Moskës për “kosto të paprecedent” dhe paralajmërime për Kinën u deklaruan në konferencën për shtyp të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, mandati i të cilit u rinovua edhe për një vit. Ai njoftoi përforcimin e forcave të Aleancës në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki, pa folur megjithatë për një përfshirje të mundshme aktive në luftën Rusi-Ukrainë. “Populli i Ukrainës ka treguar guxim dhe vendosmëri në luftën për lirinë dhe të ardhmen e tij. Ne i mbështesim ata. “Ne kemi aktivizuar planet e mbrojtjes së NATO-s, kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në anën tonë lindore”, tha ai. Megjithatë, ai i dërgoi një mesazh Kinës, duke i kërkuar Pekinit të përdorë ndikimin e tij të rëndësishëm në Rusi për të sjellë paqen dhe të mos ofrojë mbështetje financiare ose ushtarake për pushtimin rus.
DEKLARATA PERFUNDIMTARE
Në deklaratën përfundimtare përmbahen qëndrime të përgjithshme në lidhje me luftën në Ukrainë dhe i bëhet thirrje Rusisë të tërhiqet nga territori i Ukrainës:
“Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të 30 aleatëve të NATO-s, u takuam sot për të adresuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, kërcënimi më serioz për sigurinë euroatlantike në dekada. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka prishur paqen në Evropë dhe po shkakton vuajtje dhe shkatërrime të mëdha njerëzore. Ne dënojmë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në deklaratë i bëhet thirrje Presidentit Putin që menjëherë t’i japë fund kësaj lufte dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina dhe njëhershmi i bëhet thirrje Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit të saj, në përputhje me rezolutën për sulmin ndaj Ukrainës të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 2 mars 2022. Rusia duhet të pajtohet me vendimin e 16 marsit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së dhe të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake”.
Gjithashtu, deklarata “mbështet përpjekjet e Ukrainës për të arritur paqen, si dhe ato të ndërmarra në mënyrë diplomatike nga aleatët për ta vënë Rusinë në ballë për t’i dhënë fund luftës dhe për të lehtësuar vuajtjet njerëzore. Aleanca qëndron në solidaritet të plotë me Presidentin Zelenskyy, qeverinë e Ukrainës dhe qytetarët e guximshëm ukrainas që po mbrojnë atdheun e tyre. Ne, – thuhet në deklaratë,- nderojmë të gjithë ata që janë vrarë, plagosur dhe zhvendosur nga agresioni rus, si dhe familjet e tyre,…. rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj territorialë të njohur ndërkombëtarisht. Ukraina ka të drejtën themelore për vetëmbrojtje sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Në deklaratë përfshihen edhe paralajmërime drejtuar Republikës Popullore të Kinës, kur thuhet se: “Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve, duke përfshirë Republikën Popullore të Kinës (RPK), të ruajnë rendin ndërkombëtar, duke përfshirë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, siç janë sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të përmbahen nga mbështetja e përpjekjeve luftarake të Rusisë në asnjë mënyrë dhe të përmbahen nga çdo veprim që ndihmon Rusinë të anashkalojë sanksionet. Ne jemi të shqetësuar për komentet e fundit publike nga zyrtarët e (RPK)-së dhe i bëjmë thirrje Kinës që të ndalojë përforcimin e narrativave të rreme të Kremlinit, veçanërisht në lidhje me luftën dhe NATO-n, dhe të promovojë një zgjidhje paqësore të konfliktit”.
Samiti mori vendim dhe përfshiu në deklaratën përfundimtare masat konkrete për shtimin e trupave të NATO-s në Lindje: “Në përgjigje të veprimeve të Rusisë, ne aktivizuam planet e mbrojtjes së NATO-s, vendosëm elementë të Forcave të Reagimit të NATO-s dhe vendosëm 40,000 trupa në anën tonë lindore, së bashku me mjete të rëndësishme ajrore dhe detare, nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s, të mbështetur nga zhvillimi kombëtar i Aleatëve. Ne po krijojmë gjithashtu katër ekipe luftarake shumëkombëshe shtesë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Ne marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë. Masat tona mbeten paraprake, proporcionale dhe jo të shkallëzueshme”.
SAMITI I G7-TËS
Ky samit i liderëve të 7 vendeve më të zhvilluara mbajti qëndrime plotësisht të harmonizuar me Samitin e Aleancës (NATO) dhe pa dyshim duke rikofirmuar në deklaratën përfundimtare mbështetjen e plotë ndaj Ukrainës, popullit të saj dhe integritetit të saj territorial. Gjithashtu, dënohen veprimet e Rusisë dhe i bëhet thirrje të tërhiqet menjëherë nga territori i Ukrainës. Deklarata dënon sulmet shkatërruese ndaj popullsisë së Ukrainës dhe infrastrukturës civile, duke përfshirë spitalet dhe shkollat. Ne mirëpresim hetimet e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë edhe nga prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ne, -deklaruan vendet e G7-tës-, do të punojmë së bashku për të mbështetur mbledhjen e provave të krimeve të luftës. Rrethimi i Mariupolit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, si dhe mohimi i aksesit humanitar nga forcat ushtarake ruse janë të papranueshme. Forcat ruse duhet të sigurojnë menjëherë rrugë të sigurta për në pjesë të tjera të Ukrainës, si dhe ndihma humanitare që do të dërgohen në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara. Udhëheqja ruse është e detyruar të zbatojë menjëherë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të pezulluar operacionet ushtarake që ajo filloi më 24 shkurt 2022 në territorin e Ukrainës, pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat dhe pajisjet e saj ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës”.
Gjithashtu, vendet e G7-tës në këtë Samit, shprehën vullnetin për të vazhduar sanksionet e ashpra ndaj Rusisë. Ata theksuan “vendosmërinë për të imponuar pasoja të rënda mbi Rusinë, duke përfshirë zbatimin e plotë të masave ekonomike dhe financiare që kemi vendosur tashmë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë, duke përfshirë angazhimin e qeverive të tjera për miratimin e masave të ngjashme kufizuese me ato të vendosura tashmë nga anëtarët e G7 dhe për të përmbajtur nga evazioni, anashkalimi dhe mbushja që synojnë të zvogëlojnë ose zbutin efektet e sanksioneve tona. Ne, thuhet në deklaratë, i ngarkojmë ministrat përkatës në një iniciativë të fokusuar për të monitoruar zbatimin e plotë të sanksioneve dhe për të koordinuar përgjigjet në lidhje me masat evazive, duke përfshirë transaksionet e arit nga Banka Qendrore e Rusisë. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë masa shtesë sipas nevojës, duke vazhduar të veprojmë në unitet ndërsa veprojmë kështu. Në përfundim, Samiti përgëzon ata partnerë që janë bashkuar me ne në këto përpjekje”.
SAMITI I BE-SË
Konkluzionet e Këshillit Evropian për Ukrainën, të publikuara në përfundim të ditës së parë të takimit, shprehin gatishmërinë e vendeve të BE-së për të vepruar sa më shpejt me “sanksione shtesë të koordinuara dhe të rënda kundër Rusisë dhe Bjellorusisë”, si dhe “për të plotësuar boshllëqet ligjore dhe për t’u fokusuar në përpjekjet reale dhe të mundshme të anashkalimit”, duke u bërë thirrje “të gjitha vendeve të respektojnë këto sanksione”. Në përfundime thuhet gjithashtu se Këshilli është dakord për krijimin e Fondit të Mirëbesimit të Solidaritetit të Ukrainës, me të cilin BE-ja synon të “sigurojë mbështetje për qeverinë ukrainase për nevojat e saj imediate dhe, sapo pushtimi rus të pushojë për rindërtimin e një Ukrainë demokratike”, si dhe asistencë teknike për Ukrainën për të zbatuar reformat e nevojshme. Në ditën e parë të samitit, liderët e 27 vendeve të BE-së shkëmbyen mendime me Presidentin amerikan, Joe Biden, në lidhje me situatën në Ukrainë, ndërsa më vonë, në mbrëmje, u njoftua se bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së në fushën e furnizimit me gaz është duke marrë formë dhe duke synuar përshpejtimin e pavarësisë së Evropës nga gazi rus. U ra dakord për blerjen e 50 miliardë m3 gaz nga SHBA. Kjo sasi korrespondon me 1/3 e sasisë së gazit që importohet nga Rusia.
Në tekstin e konkluzioneve, liderët evropianë nënvizuan se “lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës shkel hapur ligjin ndërkombëtar dhe shkakton humbje masive të jetës dhe lëndime të civilëve”. Këshilli Evropian e quan të papranueshëm rrethimin e Mariupolit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës dhe refuzimin e forcave ruse për të siguruar akses në ndihma humanitare dhe bën thirrje për krijimin e korridoreve humanitare. I bëhet thirrje Rusisë që të sigurojë kalimin e sigurt të civilëve të bllokuar në të gjitha zonat e luftës dhe të lirojë pengjet dhe të respektojë një vendim të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për “të përfunduar menjëherë ofensivën e saj ushtarake në territorin ukrainas dhe të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake menjëherë dhe pa kushte nga i gjithë territori i saj”. Lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim, BE “Ripohon Deklaratën e Versajës, duke pranuar aspiratat evropiane dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës siç përcaktohet në Marrëveshjen e Asociimit” dhe Këshilli Evropian përsërit thirrjen e tij ndaj Komisionit që të paraqesë opinionin e tij në përputhje me dispozitat përkatëse të Traktateve.
Një pjesë e rëndësishme e Samitit të BE-së kishte të bënte me të ashtuquajturën “Busull Strategjike”, e cila është në thelb një pikë kthese në historinë e BEsë për sa i përket politikës evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes. Busulla Strategjike “ofron udhëzime strategjike për dekadën e ardhshme dhe përcakton një sërë veprimesh, mënyrash dhe mjetesh koherente, si dhe objektiva të qarta që kërkohen për këtë shtysë të re, duke i mundësuar Bashkimit Evropian të veprojë më shpejt dhe kur përballet me kriza, duke mbrojtur interesat e BE-së dhe duke mbrojtur qytetarët e BE-së, duke forcuar kapacitetin e Bashkimit Evropian për të parashikuar dhe zbutur kërcënimet, duke inkurajuar investimet dhe inovacionin për të zhvilluar së bashku aftësitë dhe teknologjitë e nevojshme”. Në tekstin përfundimtar të konkluzioneve të Samitit i bëhet thirrje Këshillit që menjëherë të ecet përpara me zbatimin e Busullës Strategjike, në përputhje me kalendarin e përfshirë në të. Komisioni Evropian, brenda muajit maj, në koordinim me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes, do të përgatisë një raport mbi boshllëqet e investimeve të mbrojtjes dhe propozimet për çdo iniciativë të mëtejshme të nevojshme për të forcuar bazën industriale dhe teknologjike evropiane në sektorin e mbrojtjes. Kjo gjë do të nxisë përpjekjet për të “forcuar qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe për të rritur aftësitë e tij të sigurisë dhe mbrojtjes përmes investimeve më të mëdha dhe më të mira, me theks në mangësitë e identifikuara strategjike…”. Për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare, duhet të jetë potenciali i plotë i instrumenteve dhe i iniciativave financiare të Bashkimit Evropian, veçanërisht “… Fondi Evropian i Mbrojtjes dhe Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor, Plani i Zhvillimit të Kapaciteteve, plotësisht të shfrytëzuara dhe Rishikimi Vjetor i Koordinuar i Mbrojtjes…”.
Pavarësisht se për sa kohë do të vazhdojë të zhvillohet lufta tragjike në Ukrainë, diçka duket të jetë e sigurt. Vendet e Bashkimit Evropian, NATO dhe SHBA, duket se në këtë periudhë janë në një kohezion të plotë politik. Në periudha të tilla kaq të vështira, bashkërendimi i veprimeve politike dhe rrjedhimisht edhe atyre ekonomike janë të një rëndësie të veçantë. Ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh vihet re një unitet i tillë në planin politik dhe kjo gjë sigurisht që do të ndikojë pozitivisht në tejkalimin e kësaj situate kaq të vështirë jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën.