Që nga momenti i nxjerrjes në shitje të pronës dhe deri në finalizimin e procesit, shqiptarëve u duhet një vit kohë.
Agjencitë imobilare në vend kanë raportuar për llogari të një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë se koha për shitjen e një prone në Shqipëri përkon me 13.7 muaj.
Në fakt, agjentët pohojnë se në gjashtëmujorin e dytë, koha mesatare për shitjen e pronave u rrit me dy muaj, shkruan “Monitor”.
Më shpejt bëhet shitja e pronave në bregdet, të cilat nuk duan më shumë se 8-10 muaj, ndërsa më shumë vështirësi ka në shitjen e tyre në qendrat urbane dhe në Tiranë, ku duhen relativisht 15 muaj.
Ekspertët e sektorit vlerësojnë se koha për shitjen e pronave lidhet së pari me kërkesën që ofron tregu në një periudhë të caktuar për pasuri të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, tregu i pasurive në vendin tonë është nën presionin e paligjshmërisë. Shpesh pronat, edhe pse dalin në shitje, kanë probleme me Hipotekën dhe me detyrime të pashlyera nga zotëruesit e mëparshëm, gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë shitjen e tyre.