Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka bërë një koment të shkurtër lidhur me situatën aktuale politike në vend. Duke iu referuar atyre që tashmë kanë nisur të marrin mandatet në emër të opozitës, Patozi shkruan se ata nuk duhen cilësuar as si tradhtarë dhe as si heronj.
Më tej, ai nuk i ndahet Bashës, pasi shkruan se lista e Lulit është e gjitha personale dhe nuk ke kë bën përgjegjës tjetër.
“Nëse doni të shihni realisht diçka pozitive tek kjo që po ndodh, e keni mu përpara syve. Është kriza e një sistemi të kalbur politik, i cili duhet shembur një orë e më parë, qoftë edhe sikur të ishte vetëm kjo arsye”, përfundon Patozi.
Postimi i plotë i Patozit:
NJË KËSHILLË FALAS PËR FILOZOFËT E REVOLUCIONIT
Për filozofët e revolucionit, që, sipas tyre ka nisur në Shqipëri, kam vetëm një këshillë: Ta marrin me të qetë dhe të mos mërziten shumë nga këta të vijimit të listës, që po pranojnë të shkojnë në parlament.
Sepse është e njëjta gjë. Ata po e marrin mandatin me të njëjtën lehtësi që ata të tjerët para tyre e dogjën.
Ndaj mos kërkoni, as heronj dhe, as tradhtarë, tek të dy kategoritë, sepse nuk ka të tillë. Aq më e theksuar është kjo tek Lista e Lulit, për të cilën, ngaqë është edhe de jure e gjitha personale, dhe po të duash, nuk ke kë bën përgjegjës tjetër.
Nëse doni të shihni realisht diçka pozitive tek kjo që po ndodh, e keni mu përpara syve. Është kriza e një sistemi të kalbur politik, i cili duhet shembur një orë e më parë, qoftë edhe sikur të ishte vetëm kjo arsye.