Kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka publikuar një foto në Kuvend ku shfaqej Lulzim Basha në zyrën e tij me vëllain e 2 personave të shpallur në kërkim, për 3.4 mln eurot e gjetura në “Toyota Yaris”.
“Mos ik Lulzim , mos u fshi se sot ke një provë të rëndë që të përfshin në historinë e parave. Të kam kallëzuar penalisht. Ja ku e ke Lulzim, ja ku je Lulzim së bashku me vëllain e personave në kërkim për drogë, për paratë. Ja ku je me vëllain e dy personave me iniciale E.V. dhe A.V. të shpallur në kërkim si pritës të parave. Ja ku e keni në zyrën e Lulzim Bashës, vëllai i dy personave që prisnin paratë në zyrën e Lulzimit. Kjo është provë e pakundërshtueshme. A u shërbeu Basha këtyre njerëzve, kjo i takon drejtësisë, dhe këtë provë do t’ia dorëzoj drejtësisë”.
Një ditë më parë, u bë me dije se Taulant Balla ka bërë një kallëzim penal ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me akuzat e këtij të fundit për çështjen e parave të gjetura në makinat ‘Toyota Yaris” në Portin e Durrësit.
Kallëzimi i Ballës është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Taulant Balla akuzon Bashën për nxjerrjen e sekretit hetimor, në lidhje me dy automjetet tip “Toyota Yaris”, që u bllokuan në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.