Diego Armando Maradona ndodheshe në tribunën VIP gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Islandës, ku kombëtarja e tij nuk dha atë që pritej në fushë por u ndal në një barazim. Në një moment Maradona ishte shumë i tensionuar, mbase edhe nga ajo që po ndodhte në fushë dhe po i “çaheshin hundët” për një cigare. Nuk vonoi shumë dhe ai ndez një puro edhe pse në stadiume nuk lejohet duhani.
Legjenda argjentinase ka kërkuar falje në fakt pas ndeshjes: “Ishte një ditë shumë e shëmtuar për mua dhe për të gjithë argjentinasit, me shumë tension për ndeshjen debutuese në Botërorin e Rusisë.
Çdo njeri ka mënyrën e tij të të ndjerit të gjërave. Me ndershmëri po them se nuk e dija që nuk mund të pish duhan në stadium. U kërkoj ndjesë tifozëve në stadium dhe organizatorëve.
Tani duhet të shohim përpara, më të fortë se kurrë më parë. Forca Argjentina!”,–ka shkruar Maradona në “Facebook”.