Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e dhëna në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale.
Presidenti Thaçi deklaroi se themelimi i Gjykatës Speciale ndodhi në rrethana imponuese diplomatike por ishte nevojë politike dhe me qëllim të ruajtjes së partneritetit strategjik me SHBA-të, BE-së dhe NATO-n.
Ai këto komente i bëri gjatë një paneli të organizuar nga OJQ-të, Integra, CPT, PAX, me temën “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë.
Thaçi tha se Kosova si asnjë vend tjetër në rajon bashkëpunoi edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dhe në të gjitha këto procese u tregua më liberale se vendet tjera, por u ndëshkua më së shumti.
“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, erdhi si nevojë politike ndërkombëtare e aktorëve ndërkombëtar, se sa për drejtësi të mirëfilltë. Pranimi ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtar, me arsyetimin se duhet të kënaqin aktorët tjerë në veçanti Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që ta ruajmë partneritetin strategjik me SHBA dhe BE dhe NATO-n, pranova ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj gjykate. Nga BE na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodh liberalizimi i vizave shpejtë, se do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonin Forcat e Armatosura shpejtë dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi e gjykatës, bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua integrimi euroatlantik”, tha ai.
Thaçi më tej tha se kjo Gjykata Speciale, ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa me Kosovën ky bashkëpunim është minimal.
Megjithatë tha se Gjykata Speciale është avantazh për Kosovën dhe jo disavantazh. Ndërsa theksoi se si President i vendit, është i përkushtuar për të vërtetën dhe pajtimin dhe se Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e pa drejtësive që kanë ndodhur në Kosovë.
Thaçi foli dhe për raportin e Dick Martit për të cilin tha se nuk ka qenë aksidental, por i motivuar politikisht.