Pasuria e gjyqtarëve dhe justifikimi i saj është një hallkë më vete dhe një sfidë për reformën në sistemin gjyqësor. Të dhënat e siguruara nga një studim i BIRN tregojnë se 154 gjyqtarë nga 268 gjithsej kanë probleme në justifikimin e pasurisë me burime të deklaruara, ndërkohë që shuma e pajustifikuar prej tyre kap vlerën e 698 milionë lekëve në total.
Rreth 57 për qind e gjyqtarëve të shkallës së parë në Shqipëri dështojnë në testin e justifikimit të pasurisë të paktën për një vit të deklarimit, zbulon një studim i BIRN i bazuar në praktikën e kontrollit aritmetik dhe logjik të deklaratave të pasurisë.
Studimi evidenton se 154 gjyqtarë nga 268 gjithsej kanë diferenca të pajustifikuara të pasurive të tyre të deklaruara, të cilat kapin në total vlerën e 698 milionë lekëve.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë familjare të 268 gjyqtarëve të rretheve gjyqësore, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese për të drejtë informimi.
Gjyqtarët e shkallës së parë përbëjnë rreth 65 % të të gjithë korpusit të gjyqtarëve dhe janë të shpërndarë në 23 gjykata të rretheve gjyqësore në vend.
Në analizë u përfshinë 3128 deklarata pasurie gjithsej, të cilat u përkasin viteve të deklarimit 2003-2016. Pasi u hodhën në një database, deklaratat iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike-një nga format e kontrollit që ILDKPKI përdor për të hetuar pasurinë e zyrtarëve të lartë. Të dhënat e përftuara tregojnë se vetëm 114 gjyqtarë nga 268 gjithsej arrijnë të mbulojnë me burime të deklaruara pasurinë e shtuar përgjatë 13 viteve. Ndërsa 154 gjyqtarët e tjerë rezultojnë të kenë shtim të pajustifikuar të pasurisë për një ose më shumë vite të karrierës së tyre.
Diferencat e pajustifikuara zënë 17 për qind të totalit të pasurisë neto që gjyqtarët e shkallës së parë zotërojnë së bashku-pasuri që kap vlerën totale të 4 miliardë lekëve.
Gjykata më problematike në justifikimin e pasurisë rezulton ajo e Sarandës, ku 27.7 për qind e deklaratave të analizuara kanë diferenca të pajustifikuara të pasurisë. Në vendin e dytë renditet Gjykata e Dibrës me 20 për qind të deklaratave dhe në vendin e tretë ajo e Pogradecit me 18 për qind të deklaratave me probleme.
Dështimi i gjyqtarëve në testin e justifikimit të pasurisë me burime financiare të deklaruara është një fenomen i gjithëpërhapur në sistemin shqiptar të drejtësisë. Nga analizat e mëparshme të deklaratave të pasurisë, BIRN arriti në përfundimin se diferenca të pajustifikuara të pasurisë gjendeshin mes 58 për qind të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, 77 për qind të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe 79 për qind të anëtarëve të Gjykatave të Apelit në vend.
Kurba e pasurisë
Kontrolli aritmetik dhe logjik, i njohur si KAL nga ekspertët e fushës është një mekanizëm i rëndësishëm në verifikimin dhe hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, mes të cilëve bëjnë pjesë edhe gjyqtarët. Dështimi në këtë test ngre pikëpyetje mbi integritetin e gjyqtarëve dhe krijon terren për institucionet përgjegjëse që të kryejnë verifikime të plota të pasurive të tyre.
Përveç problemeve me justifikimin e pasurisë, studimi i BIRN mbi deklaratat e pasurisë së 268 gjyqtarëve të shkallës së parë nxjerr në pah një sërë trendesh të shpërndarjes së aseteve apo rreziqe të tjera, të cilat konsiderohen si “flamuj të kuq” apo indicie për të kryer verifikime në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Të dhënat e siguruara nga studimi tregojnë se gjyqtarët e shkallës së parë në vend e kanë trefishuar pasurinë e tyre përgjatë 13 viteve të deklarimit në ILDKPKI. Në vitin 2003, gjendja fillestare e pasurisë së gjyqtarëve të shkallës së parë kapte vlerën e 1.18 miliardë lekëve, ku pasuria mesatare e një gjyqtari llogaritet rreth 4.4 milionë lekë.
Ndërsa në fund të vitit 2016, shuma totale e pasurisë bruto të tyre kap vlerën e 4.5 miliardë lekëve, të ndara mesatarisht në 17 milionë lekë për gjyqtar.Njësoj si gjyqtarët e shkallëve më të larta, edhe gjyqtarët e rretheve kanë piketuar tregun e pasurive të paluajtshme për investimin e të ardhurave të tyre. Sipas studimit, rreth 56.7 për qind e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuri të paluajtshme që kapin vlerën e 2.6 miliardë lekëve.
Të dhënat e studimit sugjerojnë se një gjyqtar e ka rritur mesatarisht vlerën e pasurive të paluajtshme familjare nga 2.98 milionë lekë në fillim të detyrës në 9.69 milionë lekë në fund të vitit 2016. Në këtë vlerësim nuk janë përfshirë pasuritë e paluajtshme të përfituara nga trashëgimia, dhuratat apo kontratat e sipërmarrjes që nuk shoqërohen me vlera në para nga subjektet e deklarimit.
Llogaritë bankare zënë 20.9 për qind të pasurisë së gjyqtarëve objekt studimi me një vlerë totale prej 958 milionë lekësh. Ndërkohë, kursimet e deklaruara në cash zënë 12.9 për qind të pasurisë së gjyqtarëve të shkallës së parë me një vlerë të përllogaritur në 593 milionë lekë.
Përgjatë 13 viteve të analizuara, likujditetet në bankë kanë shënuar një rritje prej 5.6 herësh, ndërkohë që kursimet në cash janë rritur me 6.4 herë.
Vlerat e larta të kursimeve në cash konsiderohen si “flamur i kuq” në praktikat e kontrollit të pasurisë së zyrtarëve. Sipas studimit, gjyqtarët e shkallës së parë në Shqipëri mbajnë mesatarisht nga 2.2 milionë lekë cash në shtëpi. Nëse likujditeteve cash i shtohen edhe përqindjet e aseteve të deklaruara në formën e huadhënieve, atëherë një përqindje e konsiderueshme prej 14 % të pasurisë mbahet jashtë sistemit bankar, duke përfaqësuar pjesën më informale të pasurisë së gjyqtarëve të rretheve gjyqësore në Shqipëri.
Kurba e shtimit të pasurisë neto dhe shpërndarja e saj nuk janë treguesit e vetëm rreth pasurive të njerëzve të drejtësisë. Detyrimet janë gjithashtu një mekanizëm i gjithëpërhapur për të mbështetur rritjen progresive të pasurisë.
Të dhënat e siguruara nga studimi i BIRN tregojnë se gjyqtarët e shkallës së parë kanë së bashku borxhe në vlerën e 533 milionë lekëve në fund të vitit 2016. Rreth 61 për qind të detyrimeve e zënë kreditë bankare, ndërkohë që 25 për qind janë deklaruar si huamarrje te të afërmit dhe 12.7 për qind si borxhe ndaj kompanive të ndërtimit.
Praktikat më të mira ndërkombëtare i konsiderojnë detyrimet jashtë sistemit bankar si indikatorë transaksionesh të dyshimta. 268 gjyqtarët e analizuar në këtë studim raportojnë 38.4 për qind të borxheve të tyre si detyrime ndaj të afërmve dhe kompanive të ndërtimit.
Gjykatat më të pasura
Të dhënat e siguruara nga studimi i BIRN tregojnë se në vlerë absolute, Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë është gjykata më e pasur në vend, e ndjekur nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Durrës dhe ajo e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Por ky raport ndikohet ndjeshëm nga numri i gjyqtarëve që punojnë në këto institucione gjyqësore; Gjykata e Tiranës ka 110 gjyqtarë ndërkohë që gjykata e Durrësit dhe ajo e Krimeve të Rënda kanë secila nga 16 gjyqtarë.
Krahasimi i pasurisë mesatare të gjyqtarëve të secilës gjykatë jep të dhëna të ndryshme. Gjyqtarët e gjykatës së Durrësit rezultojnë më të kamurit në Shqipëri me një pasuri mesatare prej 42.8 milionë lekë për gjyqtar. Në vendin e dytë renditen gjyqtarët e Sarandës me pasuri mesatare 20.7 milionë lekë për gjyqtar dhe në vendin e tretë ata të Gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë me 20.2 milionë lekë për gjyqtar.
Gjykata e Tiranës ka një shpërndarje pasurie mesatarisht 18 milionë lekë për gjyqtar, ndërkohë që gjyqtarët më të varfër janë ata të Krujës me një pasuri mesatare prej 1.9 milionë lekësh për gjyqtar.